.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookHarari nuk kërkoi që të rishkruhej Bibla nga Inteligjenca Artificiale

Harari nuk kërkoi që të rishkruhej Bibla nga Inteligjenca Artificiale

Një postim i publikuar online, ku pretendohet se profesor Yuval Noah Harari ka kërkuar që Inteligjenca Artificiale të rishkruaë Biblën, nuk është i vërtetë. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se Harari nuk është këshilltar apo punonjës i WEF dhe organizata ndërkombëtare nuk e ka miratuar përdorimin e AI për të shkruar një Bibël të re.

Një postim i ndarë së fundi edhe në hapësirën shqipfolëse në rrjetet sociale pretendon se Yuval Noah Harari, i përcaktuar si “këshilltar i lartë” dhe “zyrtar i lartë” i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ka kërkuar që Inteligjenca Artificiale të rishkruajë Biblën.

Tani ky tipi Youval Harari (këshilltari kryesor i Forumit Ekonomik Botëror) hedh idenë se Bibla duhet rishkruar dhe kjo do arrihet nëpërmjet inteligjencës artificiale”-shkruan një përdorues në rrjetet sociale.

Screenshot, postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Publikimi shoqërohet edhe me një video, ku shfaqet Yuval Noah Harari duke folur për rëndësinë dhe fuqinë e Inteligjencës Artificiale (AI). Teksa shpjegon aftësinë e AI, në një moment ai dëgjohet duke thënë se: “Inteligjenca Artificiale mund të krijojë një Bibël”. Ndërsa flitet për aftësinë e AI, Harari në asnjë moment nuk kërkon që të krijohet një Bibël e re.

Nisur nga kjo, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të mëtejshëm të postimit në fjalë. Fillimisht ne bëmë një kërkim, mbi një lidhje të mundshme të Yuval Noah Harari dhe Forumit Ekonomik Botëror, që është vënë së fundi në qendër të teorive konspiracioniste si një grupim i elitave botërore që kërkon të ndryshojë rendin aktual ekonomik dhe social.

Nga kërkimi rezulton se Harari është autor dhe historian i Universitetit Hebraik të Jerusalemit. Një biografi e tij shfaqet në faqen e internetit të Forumit Ekonomik Botëror, por profesori nuk duket të ketë ndonjë pozicion zyrtar në fondacionin jofitimprurës me qendër në Zvicër. Në dhjetor 2022, një zëdhënës i WEF i tha Reuters se Harari nuk ka lidhje me organizatën dhe se ekzistenca e një biografie të Hararit në faqen e internetit të WEF: “thjesht do të thotë se ai ka marrë pjesë në një nga aktivitetet  tona, por nuk punon për organizatën tonë”.

Harari foli në takimin vjetor të Forumit të Davosit si i ftuar në 2018 dhe 2020. Nga ana tjetër, Naama Wartenburg, zëdhënëse e Hararit, konfirmoi për “Associated Press” se Harari nuk ka punuar kurrë për WEF.

Në bëmë një kërkim internet edhe mbi informacionin e shpërndarë, ku vihet re se fillimisht është publikuar nga “Slay News”, një faqe e  njohur edhe për dezinformatat e përhapura në lidhje me vaksinat e Covid-19.

Artikulli i “Slay News” pretendon se Yuval Noah Harari i ka bërë këto deklarata gjatë një interviste me gazetarin Pedro Pinto në Lisbonë të Portugalisë. Intervista është realizuar më 19 maj 2023 në Lisbonë dhe është publikuar më 6 qershor 2023 në kanalin e YouTube të Hararit.

Gjatë intervistës, Yuval Noah Harari thotë ndër të tjera se: “Inteligjenca artificiale (AI) është një teknologji ndryshe nga çdo shpikje tjetër e së kaluarës, sepse AI mund të marrë vendime dhe të krijojë ide të reja. Gutenberg shtypi Biblën në mesin e shekullit të 15-të. Shtypshkronja shtypi aq kopje të Biblës sa i kishte mësuar Gutenberg, por nuk krijoi një faqe të vetme të re. Ai nuk kishte asnjë ide të tijën për Biblën. Inteligjenca artificiale mund të krijojë ide të reja, madje mund të shkruajë një Bibël të re”.

Pretendimi i shpërndarë në media për të rishkruar Biblën është verifikuar edhe nga kolegët e mediave të huaja, të cilët qartësojnë se profesori nuk ka asnjë lidhje me WEF, dhe se ai thjesht ka argumentuar mbi fuqinë e teknologjive të reja, diçka që e ka bërë prej kohësh në veprat e tij të mirënjohura.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img