Thumanë-Kashar, autostrada e parë e kategorisë A në Shqipëri, u hap për qarkullim më 30 qershor. Referuar kontratës, rruga është e kalueshme kundrejt një pagese 2.52 euro me TVSH për çdo mjet. 21 kilometrat e aksit Thumanë – Kashar, pjesë e Korridorit Blu, kanë kushtuar 267 milionë euro. Financimi i aksit është bërë nga koncensionari, që planifikon të mbledhë të paktën 1.3 miliardë euro të ardhura bazë për 35 vite.

Esmeralda Topi

Fillimin e vitit 2024, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku e nisi me premtimin se autostradaThumënë-Kashar do të hapej për qarkullim më 30 qershor.

“Siç e shikoni tashmë ka nisur asfaltimi i rrugës Thumanë-Kashar dhe mezi presim që ky koncesion të dorëzohet këtë verë,” premtoi gjatë inspektimit të punimeve ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku më 3 janar.

Verifikim

Pasditen e 30 qershorit inagurimi i autostradës u shenjua nga parada e makinave Retro.

“Duke filluar nga ky moment, tashmë është e hapur për të gjithë automjetet.”, deklaroi, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.

“Duhet thënë që do kemi një periudhë kohe për të plotësuar edhe disa kushte që kanë mbetur, që kanë të bëjnë me rrjetat e bllokimit. Gjithçka tjetër është mbyllur.”, shtoi më tej Balluku.

I pranishëm në ceremoninë inaguruese, kryeministri Edi Rama tha se vepra hedh “gurin e themelit” drejt një standardi të ri.

“Kjo rrugë është një vend ku të gjithë ata që duan ta prekin me syrin e imagjinatës çfarë është Shqipëria 2030 mund ta shohin sepse brenda kësaj periudhe e gjithë rruga, nga lart në Muriqan e deri në Vlorë do të jetë kështu, ky është Korridori Blu.”, pohoi Rama.

Rruga do të lidhë aksin Thumanë-Milot me autostradën Tiranë-Durrës dhe pritet të lehtësojë qarkullimin e mjeteve në drejtim të veriut të vendit.

Kalimi me pagesë

Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive Gener 2 sh.p.k dhe G2 Infra sh.p.k parashikon një koncesion 35 vjeçar.

Sipas dokumentit të firmosur nga palët, pagesa për automjetet nuk do të jetë më pak se 2.1 euro, pa TVSH . Tarifa do të përllogaritet çdo vit në bazë të kursit të këmbimit dhe do të pasqyrohet në vlerë në mënyrë kumulative çdo 4 vjet. Nga këto të dhëna, rezulton se çdo automjet do të paguajë të paktën 2.52 euro me TVSH për çdo kalim në këtë aks.

Nga ana tjetër, koncensionari planifikon të mbledhë mbi1.3 miliardë euro (pa TVSH) si të ardhura bazë nga tarifa për 35 vite.

Kontekst

Aksi Thumanë-Kashar ishte pjesë e paketës “1 Miliardë” të lancuar nga qeveria Rama 2 në 2017. Një vit më vonë, ndërtimi i kësaj autostrade iu nënshtrua procedurave të prokurimit, pas një oferte të pa kërkuar nga kompania Gener 2, e cila në fund rezultoi edhe kompania fituese.

Në Janar të 2019 kontrata u anulua nga ministrja e sapo emëruar Belinda Balluku me arsyetimin se paratë për këtë vepër do të kalonin tek Pakti për Universitetin.

Por në rrugë gjyqësore kompania GENER 2 kërkoi shfuzimin e urdhërit dhe lidhjen e kontratës. Gjykata i dha të drejtë firmës. Kështu që palët rinegociuan kontratën që i hapi rrugë ndërtimin të 21 kilometrave nga Thumana në Kashar.

Rruga Thumanë-Kashar është 20.8 kilometra e gjatë, e kategorisë “A”. Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës.

Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 130 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura, 3 mbikalime si dhe korsi emergjencash në secilën anë.

Punimet për autostradën 21 km nga Thumana në Kashar nisën në prill të vitit 2023. Para se të niste puna në terren, Ministria e Infrastrukturës dhe kompania koncensionare që do të ndërtonte rrugën u përballën me kundërshtitë e banorevë të Bërxullës, banesat e të cilëve prekeshin nga gjurma e rrugës. Ata dolën në protesta të vazhdueshme pasi nuk ishin dakord me projektin.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i kryer dhe të dhënat e mbledhura, premtimin e ministres Belinda Balluku se autostrada Thumanë-Kashar do të hapet më 30 qershor, e kategorizojmë si premtim të mbajtur.