Xhamia e Namazgjasë, një investim i Turqisë prej 30 milionë eurosh hapet 9 vite pas nisjes së punimeve. Pas shumë premtimeve dhe afateve të shkelura, Xhamia e madhe e Tiranës do të inaugurohet nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan. Komuniteti shqiptar mysliman do të përfaqësohet në ceremoni vetëm me Myftiun e Tiranës. Ende e paqartë se kush do ta drejtojë Xhaminë.
Në maj të vitit 2015, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftonte zyrtarisht për hedhjen e themeleve të Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Një vit më vonë, në korrik të vitit 2016, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se xhamia do të ishte gati brenda 2 viteve për besimtarët myslimanë. “Besoj që shumë shpejt, në mos Bajramin tjetër, atë fill pas do të ketë një shtëpi të besimtarëve që është dinjitoze, që akomodon dhe besoj që i ofron qytetit shumë më shumë shërbime se shërbimet që kemi pasur deri më tani”, tha Veliaj.
Mirëpo, ky nuk ishte premtimi i vetëm për hapjen e Xhamisë së Namazgjasë. Në gusht të vitit 2018 Veliaj përsëriti se Bajramin e ardhshëm besimtarët do ta festonin në xhaminë e ‘Namazgjasë’. Edhe në muajin qershor të vitit 2019, kryebashkiaku tha se Xhamia do të përfundonte brenda atij viti.
Tre vite të tjera më pas, kryeministri Edi Rama në tetor 2022 u shpreh se përurimin e Xhamisë së Madhe nuk e ka në dorë qeveria e Shqipërisë.
Sot, 9 vite pas nisjes së punimeve dhe shumë premtimeve, Xhamia e Namazgjasë do hapë dyert për besimtarët mysliman, në një ceremoni, ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan
Një verifikim i Faktoje.al, në terren dy ditë më parë, konstatoi përgatitjet për hapjen e Xhamisë. Dhjetëra flamuj të Turqisë dhe flamuj kuqezi ishin vënë rreth e rrotull objektit të kultit, ndërsa në majë të saj qëndronin dy flamuj të mëdhenj, ai i shtetit turk dhe flamuri ynë.
Të shumtë ishin edhe qytetarët shqiptarë e turistë të huaj, të cilët ndaleshin para Xhamisë për të mësuar më shumë se kur do të hapej për publikun. “Kemi dëgjuar që kjo është Xhamia më e madhe në Ballkan. Më vjen keq që nuk do jemi këtu të enjten për ta parë nga brenda”, tha një turistike britanike për Faktoje.al.
E ngritur prej shumë vitesh, xhamia ka zgjuar kureshtjen edhe të qytetarëve shqiptarë. “Mezi presim ta shohim nga brenda, jemi shumë kuriozë. Nga jashtë duket gjithë ajo, shumë e bukur”, tha Alma, qytetare e Tiranës.
Polemikat
Për një kohë të gjatë, hapja e Xhamisë së Namazgjasë mbeti peng i qëndrimit kundërshtues të autoriteteve turke ndaj drejtuesve të Komunitetit shqiptar mysliman, të cilët i sheh si pjesë të organizatës “FETO”, të klerikut Fetullah Gylen, të cilën Ankaraja e akuzon për veprimtari terroriste dhe si përgjegjëse të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.
Çështja e pranisë së elementëve gylenistë në Shqipëri, ka dominuar axhendën e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në takime zyrtare, të çdo niveli, autoritetet turke kanë kërkuara nga pala shqiptare goditjen e “gylenistëve”.
“Nëse nuk reagoni në kohë është e pashmangshme që tentativat që kjo strukturë realizoi në Turqi të përsëriten në Shqipëri. Ne e kemi parë dhe kemi paguar një kosto të rëndë. Ne e shohim si detyrë që të paralajmërojmë miqtë tanë. Presim që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”, tha Erdogan para Kuvendit të Shqipërisë në janar të vitit 2022.
Javën e shkuar, në një postim në Facebook, imami turk Enes Bastur njoftoi se Drejtoria e Çështjeve Fetare në Turqi, e kishte caktuar të drejtonte Xhaminë e Namazgjasë. Pak më vonë postimi u hoq, ndërsa Komuniteti Mysliman shqiptar tha se nuk kishte dijeni për diçka të tillë.
Në një komunikatë të dy ditëve më parë, ky Komunitet ndërsa njoftonte ceremoninë për hapjen e Xhamisë, anashkaloi përplasjet me Ankaranë, të cilat nuk duket të jenë tejkaluar. Në inaugurimin e objektit më të madh të kultit, megjithatë nuk do të jetë kryetari i këtij Komuniteti, por myftiu i Tiranës “Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej”. Mbetet ende e paqartë se kush do të jetë imami i kësaj xhamie. Si rregull, imami i një xhamie ne territorin e Shqipërisë, duhet të jetë shtetas shqiptar me një emërim nga kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Si do jetë Xhamia e Namazgjasë?
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 6000 m2 dhe kapacitet prej 5.000 besimtarësh. Ndërtimi i saj është financuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet) dhe Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë dhe kap vlerën e rreth 30 milionë eurove. Pjesë e Xhamisë së Madhe të Tiranës janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa dhe salla e konferencave, si dhe Muzeu i Bashkëjetesës.