Procesi i votimit për zgjedhjet e 11 Majit në gjithë Shqipërinë është mbyllur zyrtarisht. Në orën 19.30 të mbrëmjes, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi nuk dha një përqindje përfundimtare të votimit, por iu referua shifrës së fundit me orës 18.00 dhe 19.00 që ishte 41.38% në rang kombëtar pa diasporën. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se kanë referuar pesë raste në Prokurori për lejim votimi të shumëfishtë. Dita e zgjedhjeve ishte kryesisht e qetë me disa incidente të vogla. Pas orës 19.00 të mbrëmjes filloi edhe zhvendosja e materialeve zgjedhore nëpër KZAZ e qarqeve. Faktoje ndoqi orë pas ore ecurinë e votimit deri në mbylljen e kutisë së fundit.  Në garë u përfshinë 2046 kandidatë nga 11 parti apo koalicione politike, me lista të hapura dhe të mbyllura. Policia e Shtetit angazhoi mbi 5 mijë efektivë për të garantuar mbarëvajtjen e procesit në 5225 qendra votimi dhe 93 KZAZ.

ORA 19.00

Komisioni Qendror Zgjedhor njoftoi se deri afër orës 19.00, pjesëmarrja në votime në rang kombëtar është 41.38 për qind. Pjesëmarrja më të lartë është regjistruar në dy qarqe të vendit, Dibra me 50.06 për qind, Kukësi 48.0 për qind dhe Tirana me 46.39 për qind. Ndërsa dy qarqet me pjesëmarrje të ulët deri në orën 18.00 janë Vlora me 30.53 për qind dhe Shkodra me 36.73 për qind.

ORA 18.00

Në përditësimin e të dhënave, Komisioni Qendror Zgjedhor njofton se deri në orën 17.00, pjesëmarrja në votime në rang kombëtar është 39.14 për qind. Pjesëmarrja më të lartë është regjistruar në dy qarqe të vendit, Dibra me 48.16 për qind, Korça me 44.58 për qind dhe Tirana me 44.06 për qind. Ndërsa dy qarqet me pjesëmarrje të ulët deri në orën 17.00 janë Vlora me 29.14 për qind dhe Shkodra me 34.40 për qind. Duhet nënvizuar gjithashtu se në këtë përqindje të llogaritur deri më tani nga KQZ nuk është përfshirë diaspora

ORA 17.00

Deri në orën 16.00, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, pjesëmarrja në votime në rang kombëtar është 36.60 për qind. Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në dy qarqe të vendit, Dibra me 45.19 për qind dhe Tirana me 41.24 për qind. Ndërsa dy qarqet me pjesëmarrje të ulët deri në orën 16.00 janë Vlora me 26.50 për qind dhe Shkodra me 32.21 për qind.

ORA 16.00

Deri në orën 16:00, KQZ raporton se pjesëmarrja në votim ishte 33.67%. 4 vite më parë deri në orën 16:00 kjo pjesëmarrje ka  qenë rreth 39%.

Ora 15:00

Deri në orën 15:00, të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë një pjesëmarrje kombëtare prej 30.45%, më e ulët krahasuar me të njëjtën fashë orare në zgjedhjet e vitit 2021, kur kjo shifër ishte 35.62%. Qarku me pjesëmarrjen më të lartë është Dibra me 35%, e ndjekur nga Tirana me 34.9%, ndërsa pjesëmarrja më e ulët shënohet në Vlorë (21.4%) dhe Shkodër (26.5%).

Partia Socialiste

Deklarata për media e zëdhënëses për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe:

“Të dashur qytetarë, sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për vendin tonë. Sot të gjithë ne kemi një mundësi që vjen vetëm njëherë në katër vjet për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, të familjeve tona dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Vota juaj në këto zgjedhje është më e rëndësishme se kurrë. Përmes saj, ju do të vendosni se në çfarë drejtimi do të ecë Shqipëria jonë. Prandaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të shkoni të votoni.”

Ora 14:00

Deri në orën 14:00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raporton se kanë votuar 27.22% e votuesve. Dibra dhe Tirana kryesojnë me pjesëmarrjen më të lartë, ndërsa Vlora dhe Shkodra shënojnë pjesëmarrjen më të dobët. Krahasuar me zgjedhjet e 2021, përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje ka shënuar rënie të ndjeshme në të gjitha qarqet. Katër vite më parë raportohej 35.6% përqindja e pjesëmarrjes në votime.

Rreth orës 14:00 kreu i komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ushtroi të drejtën e votës.

“Mesazhi është i qartë për ata që ende nuk kanë votuar. Ata që janë në idenë që angazhimi i tyre mund të kontribuojë tej votës në proces, do të marrin përgjigje nga institucione përkatëse. Shumë e rëndësishme që jo vetëm politikanë por edhe qytetarët të kuptojnë që kanë përgjegjësi në lidhje me procesin zgjedhor”, tha ai.

Tiranë

Një 34-vjeçar u arrestua pasi fotografoi fletën e votimit dhe e publikoi në rrjetet sociale, duke shkelur fshehtësinë e votimit. Policia e identifikoi dhe lokalizoi shtetasin R.F. pas publikimit të pamjeve në një portal, ndërsa materialet hetimore janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ora 13:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raporton se deri në orën 13:00 kanë votuar 22.78% e votuesve. Pjesëmarrja vijon të mbetet e ulët krahasuar me zgjedhjet e 2021 ku për të njëjtin interval kohe pjesëmarrja ka qënë 27.24%.

Vorë

Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vizitoi KZAZ-në e Vorës pas një incidenti të raportuar nga mediat ku u përfshi sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Gjatë vizitës, Celibashi theksoi se procesi po ecën mirë, veçanërisht në aspektin teknologjik, dhe bëri thirrje që kandidatët për deputetë të qëndrojnë larg qendrave të votimit për të shmangur tensionet.

‘E kuptoj që në terren situata nuk mund të përcillet dhe kaq e qetë. Kandidatët për deputetë sa më larg qendrave të votimit. Angazhimi i tyre mund të sjellë pasoja jo të mira për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor’, tha Celibashi.

Durrës

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka mbërritur në Durrës rreth orës 13:00 për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor.

Tiranë

Në Tiranë janë arrestuar dy persona, 57 dhe 28 vjeç, pasi fotografuan fletët e tyre të votimit në dy qendra të ndryshme. Ata akuzohen për “shkelje të fshehtësisë së votimit” dhe materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 3 dhe Nr. 4 shoqëruan në ambientet e Policisë, të dy shtetasit që sipas njoftimeve të kryetarëve të komisioneve të qendrave ku kishin votuar, kishin fotografuan fletët e tyre të votimit.

Pogradec

Në Pogradec është arrestuar në flagrancë një 63-vjeçar, pasi goditi fizikisht një anëtar të komisionit zgjedhor, pjesëtar i Partisë Socialiste, në Qendrën e Votimit nr. 3901. Ngjarja ndodhi pas një debati mes vajzës së tij, kryetare e komisionit në këtë qendër, dhe anëtarit të komisionit lidhur me votimin e personave me aftësi të kufizuara dhe të moshuarve me shoqërues. L.T. akuzohet për “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

Pas incidentit të ndodhur në Pogradec, Policia e Shtetit njoftoi se rreth orës 13:00, tre nipërit e shtetasit të arrestuar kanë shkuar në banesën e komisionerit , dhe kanë ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tij, bashkëshortes dhe djalit. Ky i fundit është dërguar në spital dhe po merr mjekim jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja ka bërë kallëzim në Komisariat.

Ora 12:00

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 12:00 ka votuar vetëm 17.78% e popullsisë, duke shënuar rënie krahasuar me vitin 2021. Rënia është regjistruar në të gjitha qarqet e vendit. Durrësi rezulton me përqindjen më të lartë të rënies së pjesëmarrjes deri në mesditë karahasuar me zgjedhjet e 2021.

Kreu i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it, ambasadori Lamberto Zannier, ka ndjekur nga afër procesin e votimit në njësinë numër 10, një nga njësitë ku votimi është në mënyrë elektronike.

“Jemi këtu për të vrojtuar zgjedhjet dhe për të vëzhguar nëse këto zgjedhje janë me standardet ndërkombëtare. Kjo është një nga qendrat e votimit nga qendrat e shumta ku jemi ne sot. Kemi 240 vëzhgues, por janë dhe 135 të tjerë nga vendet anëtare të OSBE-së dhe Parlamenti Europian. Dita e zgjedhjeve është dita e dukshme e vëzhgimit, por ne jemi këtu që nga fundi i marsit. Sigurisht ne kemi vëzhguar dhe fushatën zgjedhore dhe sot është pika e fundit, nesër do të kemi një konferencë për shtyp. Konferenca do të jetë nesër në 15:00 dhe do të jeni të gjithë të ftuar.”, u shpreh ambasadori i OSBE-së Zannier.

Fotografon votën, arrestohet 56-vjeçarja në Elbasan

Një grua 56-vjeçare, me inicialet M.C., është arrestuar në flagrancë në Elbasan pas fotografimit të fletës së votimit në qendrën nr. 2321 në lagjen “5 Maj”, veprim që përbën shkelje të fshehtësisë së votës. Arrestimi u krye me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ndërsa telefoni i saj u sekuestrua dhe u morën dëshmi nga persona që kanë dijeni. Shtetasja përballet me akuzën për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”, sipas nenit 327/1 të Kodit Penal. 56 vjeçarja mund të dënohet nga 3 muaj deri në 3 vjet burg. Ndërkohë, procesi i votimit në këtë qendër vijon normalisht.

Kodi Penal i Shqipërisë

Dibër

Në Dibër, pas një telefonate nga kandidati i Partisë Demokratike, i cili pretendoi se në fshatin Pilafë po shpërndaheshin para në këmbim të votës, Policia dhe Prokuroria nisën hetime të menjëhershme në terren. Automjetet e disa shtetasve u bllokuan për kontroll, por nuk u gjetën prova komprometuese. Ndërkohë, një tjetër incident ndodhi gjatë ndjekjes së një automjeti të dyshuar, ku u dëmtua mjeti i shtetasit E.M. Po ashtu, Xh.Gj. pretendoi se një punonjës policie që është edhe babai i një kandidati të PS-së, kishte qëlluar në ajër, por hetimet nuk gjetën gëzhoja apo prova që ta vërtetonin këtë. Polici u shoqërua dhe iu sekuestrua arma e shërbimit, ndërsa materialet u referuan në SPAK për disa vepra penale, përfshirë “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Tiranë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ishte i pranishëm në një nga qendrat e votimit pranë Akademisë së Arteve, duke ndjekur nga afër procesin zgjedhor.

Fotografia: Florion Goga

“Këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë pasi Shqipëria ka filluar negociatat e pranimit në BE. Mbajtja e standardeve demokratike është çelësi për të bërë përparim drejt BE-së,” shkruhet në rrjetet sociale të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ushtroi të drejtën e votës nga ambientet e paraburgimit 313, duke e cilësuar 11 majin si një “ditë historike për Shqipërinë”. Përmes një audiomesazhi në rrjetet sociale, Meta shprehu zhgënjimin për moslejimin e gazetarëve në qendrën e votimit, ndonëse sipas tij, kishte një dakordësim paraprak me administratën që mediat të ishin të pranishme në momentin e votimit në orën 10:00. Ai pretendon se kjo ndodhi pasi “patronazhistët njoftuan” që ai doli nga qelia i veshur kuq e zi.

Ora 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, raporton deri në orën 10:00 kanë votuar 13.54% e votuesve. Referuar KQZ-së, deri në këtë orë kanë votuar 179,346 shqiptarë nga rreth 1.3 milionë votues gjithsej.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi në konferencën për mediat tha se 8% e qendrave të votimit janë hapur me vonesë. Shkak i vonesave për 5% të qendrave ka qënë mungesa e komisionerëve, pra nuk është arritur kuorumi.

“21% të rasteve të personave me aftësi të kufizuara nuk janë asistuar sipas ligjit. Në 6% të qendrave ka pasur ndërprerje të procesit për shkak të arsyeve logjistike por çështjet janë zgjidhur. Në 5% të tyre kemi mos respektim të distancës prej 150 metra të personave, rast i para 40 e pak minutash”, tha Celibashi.

Votimi elektronik

Celibashi: “Raportimet tregojnë që procesi po shkon normalisht, nuk raportohen probleme as me funksionalitetin e pajisjes, apo probleme të tjera që mund të afektojnë procesin në këto 75 qendra votimi. 44 në Vorë dhe 31 në njësinë administrative numër 10 në Tiranë” .

Vota e diasporës

Celibashi: “185.679 zarfe të mbërritur në KQZ, në fakt ky numër është pak më i madh. Sot është dita e fundit e dërgesave të zarfeve, jemi dakorduar me DHL që mbërritja të mos jetë më vonë se ora 5, që të gjitha të marrin vulën e hyrjes para orës 19:00. Parashikoj se do të shkojë në 200 mijë numri i zarfeve nga diaspora.”

Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij votoi rreth orës 11:20 në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”. “Sot është një ditë e rëndësishme se kemi mundësi të votojmë për të ardhmen. Sot dëgjohet zëri i qytetarëve, për 4 vitet e ardhshme pushteti nuk ka për t’i dëgjuar më qytetarët. Ndaj është rëndësishme të votojmë për ndryshimin, të votojmë për të ardhmen”, tha Shehaj.

Edhe kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori votoi i shoqëruar nga bashkëshortja e tij pranë ‘Liceut Artistik’ në Tiranë. Ai ishte i vetmi kryetar partie që nuk pati media gjatë procesit të votimit.

“Sot kudo nëpër Shqipëri është një ditë e bukur. Që ta bëjmë të bukur politikisht do të duhet që shqiptarët të vijnë masivisht në qendrat e votimit. Dhe jo vetëm kaq, port ë votojnë të gjithë me ndërgjegje”, tha Qori në një video të shpërndarë në rrjete sociale.

Ora 10:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” votoi pranë shkollës “Kosova” i shoqëruar nga familjarët e tij.

Fotografia: Atdhe Mulla

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të dalin dhe të votojnë. Të votojnë për veten, për fëmijët, për pensionet, për pagat, për biznesin dhe fermat e tyre. Të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend,” tha Berisha, duke shtuar: “Do të kemi një ditë të dytë vere.”

Kryeministri Edi Rama ka votuar pak para orës 11:00 në Surrel i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama. Pas votimit ai foli shkurt për mediat, duke u shprehur: “Është fjala e popullit përmes votës së tyre. Të presim çfarë do të thotë populli”.

Fotografia: Adnan Beci / AFP

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi nga koalicioni ‘Djathtas për Zhvillim’ ka votuar në shkollën ‘Osman Myderrizi’ në kryeqytet.

“Të jenë zgjedhje të qeta e të lira, kjo është e para. Të kenë kurajo të shkojnë të votojë siç e mendojnë. Dilni e votoni se shoh shumë pak njerëz dhe ky është shqetësimi kryesor”, tha Shehi.

Nga Tirana ka ushtruar të drejtën e votës edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Tom Doshi. Nga shkolla “Kongresi i Lushnjes” Doshi tha për mediat: “Sot nuk mund të përcaktoj, kam shpresë që rezultati do të jetë superist në të gjithë Shqipërinë“.

Ora 9:00

Presidenti Bajram Begaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Armanda Begaj ishte ndër të parët zyrtarë të lartë të shtetit që iu drejtua kutive të votimit. Në fjalën e tij për mediat, presidenti u shpreh: “Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, për vendin dhe demokracinë. Kjo ditë e sotmja ka një rëndësi të veçantë për faktin që kemi hapur negociatat për anëtarësim në BE, për herë të parë voton diaspora dhe zgjedhjet duhet të plotësojnë standardet më të mira.”

Edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka hedhur votën e saj në një nga qendra e votimit në Parkun Olimpik në Tiranë.

“Sot është dita e qytetarëve shqiptarë! Sot është dita e shtetit! Sot është dita e Kombit! Sot është dita e Shqipërisë! Ju bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen kësaj thirrje, të votojnë me qytetari, ashtu siç është zhvilluar fushata zgjedhore. Të tregojmë që jemi europianë në në mendje, në zemër, në ideale, por dhe në standarde“, u shpreh Spiropali.

Të drejtën e votës e ka ushtruar edhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Dumani votoi në qendrën 1845/10 në Tiranë pranë shkollës ‘At Zef Pëllumbi. “Do flas pas zgjedhjeve “, tha kryeprokurori shkurt për gazetarët.

Ora 8:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se deri në orën 8:00 pjesëmarrja ka qënë 1.81%. Krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të 2021 niveli i pjesëmarrjes është më i ulët. Të dhënat e KQZ flasin për 11,601 votues në 60 minutat e para të procesit. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja në votime është rreth 50% më pak, duke marrë parasysh vetëm intervalin 07:00-08:00.

Burimi: KQZ

Lulzim Basha, kreu i Koalicionit Euroatlantik, votoi bashkë me vajzën e tij të madhe rreth orës 08:30. “I bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i drejtohen kutive të votimit, për të ushtruar një të drejtë për të cilën është luftuar kaq shumë: të drejtën për të zgjedhur me votë qeverinë, Parlamentin dhe deputetët që ju përfaqësojnë”, tha Basha për mediat.

Edhe kryetari i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj është paraqitur këtë të diel për të ushtruar të drejtën e tij të votës në Tiranë. “Është hera e disatë që votoj unë, por është hera e parë që votoj si drejtues. Unë mendoj se vendi ka mundësi reale për një ndryshim të madh. I ftoj qytetarët të dalin masivisht në votime”, tha Lapaj.

Ora 7:00Nis votimi

Procesi i votimit duhet të niste zyrtarisht në orën 07.00 të mëngjesit të së dielës. Por ky orar nuk u respektua nga qendra të ndryshme votimi ku procesi nisi me vonesa.