DHORJELA CULE
Mbi 8500 fermerë në qarkun e Korçës janë të regjistruar me Nipt, ndërsa ata informalë janë thuajse dyfishi i tyre. Që nga shfaqja e pandemisë në muajin mars e në vazhdim ky komunitet u përball në forma të ndryshme me krizën që solli izolimi. Sektori më i madh i punësimit në vend, u la jashtë paketave të ndihmës nga qeveria me justifikimin se ai nuk u prek nga kriza globale. Por fermerët dëshmojnë se u përballën me kosto shtesë, të cilat arrijnë sot deri te konsumatori që po i paguan më shtrenjtë produktet.
Prej muajit mars të këtij viti, Shqipëria, si shumë vende të tjera përballet me pasojat e pandemisë së COVID – 19. Periudha e gjatë e izolimit shkaktoi dëme ekonomike në disa prej sektorëve kyç në vend dhe këtu nuk bën përjashtim sektori i bujqësisë dhe fermerët e Korçës.
Pezullimi i aktivitetit të bizneseve, mbyllja e kufijve dhe kufizimet e tjera shtuan vështirësitë dhe kostot për fermerët. Sfidat nisën me punët e sezonit që nuk u kryen në kohë, sepse punëtorët, në kushtet e karantinës dhe pezullimit të transportit, e kishin të pamundur për të arritur vendet e punës.
Rajoni i Korçës, një prej prodhuesve bujqësorë më të mëdhenj në vend në disa kultura, kryesisht të mollës, qershisë, arrorëve, patates, qepës, etj. vuan ende pasojat që la izolimi në muajin mars e vazhdoi deri në muajin maj.
Sipas të dhënave nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë në Korçë, sipërfaqja e mbjellë me kulturat kryesore: pemtore (mollë, qershi, kumbull, arra, lajthi etj.) është 4.100 hektarë; sipërfaqja e mbjellë me qepë (e njomë, e thatë, hudhra etj.) është 1560 hektarë, ndërsa sipërfaqja e kultivimit të patates është 2.120 hektarë.
Ashtu si në rastet e dukurive natyrore, edhe në këtë gjendje të jashtëzakonshme, fermerët për të disatën herë u detyruan të përballen vetë me sfidat e shumëfishta. Krizës së pandemisë iu shtuan edhe dëmet e përvitshme nga breshëri, ngricat në pranverë, përmbytjeve dhe tregut të munguar.
Prodhimi lokal i ushqimit, sidomos në kushtet e pandemisë mori një rëndësi jetike, por qeveria e konsideroi të pacënuar këtë sektor, madje ministri i bujqësisë Bledi Çuçi bëri publike shifra që tregonin sipas tij rritje të prodhimit dhe shitjeve.
“Bujqësia nuk ka pësuar asnjë destabilitet për shkak të Covid-19. Paketat e veçanta jepen për ato sektorë që janë dëmtuar nga koronavirusi. Prodhime bujqësore ka dhe shiten. Kështu që nuk ka arsye për paketë të veçantë për bujqësinë”- deklaroi ministri i Bujqësisë.
Dvorani është një prej fshatrave që prodhon më shumë mollë dhe qershi, por fermerët këtu u përballën me shumë vështirësi që nisën me kufizimin e orareve të qarkullimit.
“Patëm vështirësi, kush më shumë e kush më pak. E para nuk lëviznim dot, se vërtet u bënë lehtësi për lëvizjen tonë, por kaluan disa javë dhe bujqësia nuk pret. Ilaçi ka kohën e tij, spërkatja, krasitja e kështu me radhë. U prekëm edhe ne, të mos thonë kot të kundërtën!” – tha për “Faktoje” Ardian Çezmulka, i cili vetëm një vit më parë preu 500 rrënjë mollë për shkak të mungesës së tregut.
Këto pretendime u konfirmuan edhe nga Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) Agim Rrapaj më 17 mars 2020, kur i kërkonte qeverisë marrjen e masave të menjëhershme për lehtësimin e kufizimeve për fermerët:
“Drejtuesit e mjeteve të mekanikës bujqësore, disa punonjës të qendrave të shitjes dhe riparimit të mekanikës bujqësore, blegtorët, prodhuesit, përpunuesit dhe transportuesit e ushqimeve të blegtorisë, të bletarisë, të konsiderohen e të trajtohen nga organet e ruajtjes së rendit me statusin e miratuar deri tani për punonjësit që shërbejnë në hallkat e zinxhirit ushqimor për furnizimin e popullit me ushqime.”
Një pjesë e konsiderueshme e atyre që punojnë në të zezë i përkasin sektorit të bujqësisë. Ata punësohen gjatë sezonit të krasitjes, vjeljes apo në periudha kur ngarkesa e punës është më e lartë.
“Pati shumë këtu në Dvoran që nuk merrnin dot punëtorët se nuk të dilte koha, por edhe kostot e rrugës. Ne i marrim nga Maliqi punëtorët, duhet të bënim disa herë rrugën që t’i sillnim e t’i shpinim një nga një se nuk e mbushje dot makinën plot. Nuk dilte as koha e as leku. Por edhe çmimin e rritën ata. Nga 1000 ose 1200 lekë në ditë, shkoi 1500 lekë në ditë që kërkonte punëtori”- pohoi Adrian Çezmulka.
Izolimi dhe bllokimi i transportit publik u reflektuan në kosto të shtuara për fermerët nga njëra anë dhe nga ana tjetër më pak punëtorë mundën të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre nga puna në të zezë, kryesisht në pemëtoret e fermerëve.
“Nuk punova dot asnjë ditë dhe unë familjen me atë e mbaj. Nuk kishte transport dhe pronarit tim nuk i dilte as koha dhe as hesapi që të vinte të më merrte e të më sillte përsëri në shtëpi. Punojmë në të zezë, se me ditë është ajo punë, por aq sa mundemi i fitojmë dy lek për t’u ushqyer.” – tha B. M nga fshati Libonik, një prej punëtorëve të pemtoreve në Dvoran.
Fermerët e vegjël u përballën gjithashtu edhe me vështirësinë e shitjes së prodhimeve, pasi shumë prej tyre tregtojnë në rrugë apo tek të njohurit, sasi të vogla prodhimi, aq sa për të mbajtur familjen.
Sami Olldashi nga fshati Selcë, një prej banorëve të zonës së thellë të Mokrës në Pogradec, tregon për “Faktoje”:
“Zona jonë i shet prodhimet poshtë në Proptisht, por nuk dilnim dot. Unë jetoj me bashkëshorten dhe ende nuk e kemi mbushur moshën e pensionit. Jetojmë me ato pak prodhime që marrim, disa i mbajmë për vete e disa i shesim. Shes nga pak raki, por edhe ndonjë prodhim tjetër. Nuk shitëm dot atë kohë dhe me vështirësi i kaluam muajt, as për të paguar dritat nuk nxorrëm dot ndonjë lek.”
Pezullimi i një sërë aktivitetesh solli një efekt zinxhir në reduktimin e shportës së konsumit duke reflektuar ndikimin e tij edhe te këta fermerë që janë të lidhur drejtpërdrejt me konsumatorin. Mbyllja e lokaleve e restoranteve, apo edhe bizneseve të tjera të konsumit ushqimor uli kërkesën për disa prej prodhimeve bujqësore si patatja, çka bëri që edhe këtë herë fermerët të hedhin në sasi të mëdha prodhimin e tyre, i cili mbeti stok dhe u kalb.
“U ndërprenë fast food-et, shkollat, dasmat dhe konsumi aty është për ne prodhuesit e patates. Të gjithë u subvencionuan nga shteti, po ne si bujqësi nuk jemi të penalizuar nga kjo pandemi?! Nuk ka ardhur njeri të thotë si është situata! Na ka shkaktuar dëm të madh!”- ankohet Luljeta Shahollari, një prej prodhuese më të mëdha të patates në qarkun e Korçës.
Vullnet Gjolla, Drejtori Rajonal i Bujqësisë në Korçë thotë:
“Ishte një situatë e pazakontë për të gjithë dhe izolimi çdokujt i solli vështirësi. Puna në bujqësi nuk u ndalua. Nga Agjensia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor Korçë u dhanë vërtetime për të gjithë fermerët që kërkuan, përveç atyre që kishin Nipt fermeri dhe nuk e kishin të nevojshëm vërtetimin. Përsa i përket shqetësimeve të ngritura ishte vetëm pjesa e transportit të punëtoreve tek fermerët potencialë, sepse nuk mund të transportonin më shumë se dy persona, kurse pjesa tjetër e fermerëve me vërtetim apo me Nipt mund të kryenin të gjitha punët apo nevojat e bujqësisë.”
Për ekspertin e bujqësisë Fehmi Xhemo, rezulton se prodhimi i kulturave bujqësore zë peshën specifike më të lartë, furnizimi me produkte bujqësore renditet në vendin e dytë, prodhimi blegtoral renditet në vendin e tretë.
“Punët e kryera në pranverë, që janë baza e sigurimit të furnizimit të mjaftueshëm me ushqim, nuk u kryen të plota dhe cilësia nuk ishte ajo e duhura. Inputet bujqësore ku përfshihen farërat, plehrat, pesticidet dhe të tjera nuk u siguruan të gjitha brenda kohës së caktuar. Prodhimi i drithërave, si gruri dhe misri u ndikuan negativisht nga COVID-19 për shkak të moskryerjes në kohë të shërbimeve të pranverës dhe furnizimit të pamjaftueshëm me bazën materiale për prodhimin e kulturave bujqësore.”-thotë Xhemo.
“Masat e izolimit për të frenuar përhapjen e COVID-19 penguan pjesën më të madhe të zinxhirit të furnizimit me ushqime. Për shkak të kontrollit të rreptë të trafikut në zona të ndryshme, produktet nuk mund të dilnin, lëndët e para nuk mund të hynin, furnizimi u zvogëlua, familjet me të ardhura të pasigurta dhe qasje të kufizuar në supermarkete riformuan kërkesën e tyre” – shton ai, duke vërejtur se konsumatorët ndryshuan mënyrën e të ushqyerit, duke blerë ato produkte bujqësore që janë të nevojshme për të plotësuar nevojat e tyre themelore.
Edhe blegtoria nuk bën përjashtim nga sektorët e dëmtuar si pasojë e pandemisë.
“Lëvizja e kufizuar e njerëzve shkaktoi mungesë relative të fuqisë punëtore në disa thertore lokale dhe kjo krijoi vështirësi në aktivitetin e therjes së kafshëve. Prodhimi blegtoral i të gjitha llojeve u prek pa përjashtim. Për shkak të pezullimit të punës së restoranteve dhe të turizmit në tërësi, konstatohet ulje me 30-40% e numrit të qengjave e kecave të therur. Kjo sipas shoqatave shihet me shqetësim, pasi rrezikon të krijojë vështirësi në menaxhimin e tufave dhe ulje të prodhimit të qumështit.”- sqaron më tej Xhemo.
I pyetur për “Faktoje” se çfarë mekanizmash ndihmës mund të përdorë qeveria për të mbështetur këto sektorë, Xhemo sugjeron:
“Sigurimi i mbështetjes për kredi, garancia e financimit të furnizimit, fonde te posaçme të ndihmës, sigurimi i subvencioneve për degë të ndryshme të prodhimit bujqësor e blegtoral. Edhe nxitja e shitjes së produkteve bujqësore përmes promovimit apo sigurimi i transportit të tyre dhe materialeve të prodhimit bujqësor, mbajtja hapur në mënyrë të sigurt të kanalit për produktet e freskëta bujqësore, të tilla si perime, mish, vezë, qumësht, produkte ujore, kultura drithërash, vajra, për të siguruar transport të qetë. ”
Eksperti i bujqësisë i mëshon idesë se ndërsa COVID-19 vazhdon të përhapet në të gjithë globin, është thelbësore të kuptohet se si ndikohet ekonomia bujqësore pre tij dhe cilat janë masat emergjente për të zbutur këto ndikime.