.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGruaja nisi lindjen në makinë përpara bllokimit nga protesta e opozitës

Gruaja nisi lindjen në makinë përpara bllokimit nga protesta e opozitës

Pretendimi: Urgjenca nuk ndihmoi nënën që lindi një foshnje në makinë për shkak të trafikut gjatë protestës së opozitës

Verdikti: Mungon konteksti

Gjatë protestës së opozitës, mbajtur më 7 tetor në Tiranë, mediatvend raportuan masivisht se një grua kishte lindur foshnjën e saj në makinë, pasi rrugët ishin të bllokuara për shkak të protestës.

Në portale të tjera u raportua ndër të tjera që ambulanca kishte refuzuar që të shkonte drejt gruas shtatzënë. “Lindi foshnjën në makinë gjatë protestës, nëna: Ja si u refuzua kërkesa për të më sjell ambulancën”- shkruajnë portalet.

Artikujt e publikuar në media

Pas pretendimeve të ngritura në media, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.  Në përgjigjen zyrtare, Urgjenca njofton se ka marrë një thirrje për ndihmë nga një grua që kishte nisur procesin e lindjes në makinë.

“Në orën 20:45 është kërkuar ndihmë mjekësore nga një qytetare që referon se ka një grua në makinë që mund të ketë filluar procesin e lindjes. Ndodhej te sheshi Karl Topia (Zogu i zi)”, thuhet në njoftimin e Urgjencës Kombëtare.

Më tej, në përgjigjen zyrtare shtohet se:

“Gruas i është dhënë asistencë telefonike dhe i është komunikuar se autoambulanca po niset menjëherë, por ka trafik për shkak të bllokimit të rrugëve për protestën dhe mund të vonohet. Ekipi që ka marrë thirrjen ka hipur në autoambulancë dhe është nisur menjëherë, duke mbërritur në vendngjarje në orë 21:04, mbas 16 minutash nga kërkesa për ndihmë mjekësore. Gruas iu komunikua se u nis ekipi me autoambulancë nga qendra shëndetësore nr. 8, rruga ‘Moskat’ Tiranë (te ish-blloku)”.

Nëse do t’i përmbahemi këtij minutazhi të deklaruar në përgjigjen zyrtare, protesta nuk ka vonuar mbërritjen e ambulancës në destinacion mbi kohën mesatare të zakonshme të përgjigjes ndaj urgjencave mjekësore. Kjo mesatare është raportuar në 17.28 minuta në raportin e monitorimit vjetor për vitin 2023 të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Kombëtare.

Sipas Urgjencës Kombëtare, autoambulanca ka mbërritur në destinacion te Zogu i zi, por duke mos e gjetur pacienten në vendingjarje. Kur është telefonuar sërish nga infermieri i njësisë së koordinimit, është referuar se pacientja gjendej në spitalin e Traumës tashmë.

Vetë nëna dhe familjarët e saj nuk kanë pranuar të prononcohen publikisht nëse lindja e fëmijës në makinë ishte pasojë e trafikut të rënduar gjatë protestës.

Informacioni zyrtar i Urgjencës ofron si vendndodhje në momentin e nisjes së lindjes zonën e Zogut të Zi, larg protestës që u kufizua në unazën e vogël pranë qendrës së kryeqytetit, por edhe në një zonë pak minuta larg maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, në “Bulevardin Zogu I”.

Gjithashtu, në orën 20:45, kur raportohet telefonata, protestuesit po i drejtoheshin sallës së seancave plenare të Kuvendit dhe më pas u kthyen në drejtim të selisë së PD, për mbylljen e marshimit.

Kamera që ndodhej në hyrje të spitalit të Traumës për të ndjekur policët e plagosur gjatë protestës regjistroi momentin e mbërritjes së mjetit dhe zbritjes së nënës së bashku me foshnjen e lindur tashmë.

Kjo duket edhe në transmetimin live të Report TV, ku pamjet e mbylljes së protestës u ndërprenë në ora 21:13 për të transmetuar momentin e marrjes në dorëzim nga mjekët të nënës dhe foshnjës së saj në hyrje të spitalit.

Pas mediatizimit të ngjarjes, reaguan publikisht ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, dhe drejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj.

“Mirënjohje nga zemra për mjekët dhe infermierët e Spitalit Universitar të Traumës, të cilët i erdhën në ndihmë nënës dhe bebit që për shkak të protestës ditën e djeshme nuk arritën të mbërrinin në kohë në maternitet. Falë ndërhyrjes së tyre të shpejtë dhe më pas kujdesit të ofruar nga stafi i SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, nëna dhe vogëlushja sot gëzojnë shëndet të mirë”, shkruajti në Facebook ministrja Koçiu.

Përtej deklaratave nga zyrtarët për kujdesin që u tregua ndaj nënës dhe bebit të saj, pretendimi që gruaja lindi në makinë e bllokuar nga protesta mbetet i pabazë.  

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img