Vlora është qarku me numrin më të lartë të divorceve për shkak të dhunës në familje. Vetëm 3 muajt e parë të vitit Gjykata e Vlorës regjistroi 211 zgjidhje martese, 33 çështje pwr dhunë në familje dhe 21 urdhëra mbrojtjeje. Rastet më flagrante të dhunës në të gjitha format shënohen në zonat rurale. Meshtania, një 35 vjeçare nga një fshat i Vlorës tregon për sfidat e jetës, por edhe forcën e jashtëzakonshme për t’i shpëtuar bashkë me tre fëmijët dhunës sistematike nga i shoqi dhe mungesës së mbështetjes nga familja e saj.
Afrovita Hysaj
“Gruaja është si një qese çaji, nuk mund ta dish se sa e fortë është pa e futur në ujë të nxehtë”- thoshte Eleanor Roosevelt.
Por sot, përtej emancipimin dhe të drejtave që gruaja ka përfituar, ka plot histori të patreguara nga gra që ende nuk e kanë gjetur forcën ta bëjnë.
Meshtania, nga Vlora, nënë e tre fëmijëve sot është 35 vjeç, por jeta e vështirë i ka dhënë vrazhdësi duke ia bërë të mundimshme edhe buzëqeshjen.
Në ditën që festonte 1 vjetorin e djalit, një aksident i rëndë i mori jetën të shoqit dhe vajzën 3 vjeçe.
Meshtania gruaja e dhunuar që rrëfen historinë, Vlorë qershor 2024
Meshtania tregon se u martua me mblesëri kur ishte vetëm 17 vjeç ndërsa i shoqi 21 vjeç. Martesa e tyre shkonte mirë dhe e lumtur, deri ditën e tmerrit në vitin 2011 kur ndodhi aksidenti tragjik me makinë.
Pas kësaj fatëkeqësie gruaja e ve me 2 fëmijët u kthye të jetonte pranë familjës së origjinës, filloi të punonte 12 orë në ditë në një furrë buke, me një pagë vetëm7000 lekë në muaj. Edhe pse emocionalisht dhe psikologjikisht ndihej ende e rënduar vendosi të fillonte një punë të dytë në market. I mbajti të dyja punët derisa u sëmur me anemi të theksuar dhe u detyrua ta linte njërën prej tyre.
Disa vite me vonë Meshtanen e njohën përseri me një burrë të divorcuar dhe me këmbënguljen e tyre ajo pranoi të martohej sërish. Pas dy viteve disi të qeta, siç rrëfen Meshtania, nisi dhuna.
“Gjatë shtatzanisë së parë ai kërcënonte se nëse fëmija nuk do të ishte djalë do të më vriste. Pastaj për arsye xhelozie ai ka ushtruar dhunë ekstreme duke dëmtuar fëmijën që e abortova në muajin e 5 të shtatzënisë.”-rrëfen gruaja.
Mirëpo situata e padurueshme nuk e bindi familjen e Meshtanes për rrezikun që i kanosej asaj dhë fëmijëve, ndaj pak muaj pasi ishte rikthyer te prindërit, ajo përfundoi sërish në duart e dhunuesit. Jeta vijoi të ishte një ferr dhe pas lindjes së djalit, dhuna vijoi sërish, edhe ndaj 2 fëmijëve të saj nga martesa e parë.
Pasi u bind se familja nuk do ta mbështeste për t’u larguar nga dhunuesi, 35 vjeçarja gjeti forcën për të kërkuar ndihmë tek qendra Vatra që i ofroi mbështetjen ligjore dhe një ndihmë modeste ekonomike.
Vlora, qarku me shumë divorce
Histori të ngjashme me atë të Mehstanes ka shumë. Vetëm në periudhën Janr-mars 2024, gjykata e shkallës së parë në Vlorë regjistroi 33 çështje për dhunë në familje, 21 urdhëra mbrojtjeje dhe 211 zgjidhje martese. Vlora është qarku me më shumë divorce në Shqipëri, sipas të dhënave të Instat për vitin 2023.
Shkaku kryesor i kërkesave për divorc në gjykatë, bazuar në përmbajtjen e tyre është dhuna në familje, vepër për të cilën drejtoria e Policisë Vlorë raporton se vitin e kaluar mori 107 denoncime dhe 167 kërkesa për urdhër mbrojtjeje. Të dhënat zyrtare konfirmojnë se në 87% të rasteve janë gratë që denoncojnë dhunën e ndodhur në marrdhënit në çift, por edhe në marrëdhënie prind-fëmijë.
Gjithashtu në shumicën e rasteve janë gratë nismëtare të kërkesës për ndarje.
Edhe avokatja e çështjeve civile Elona Mone, konfirmon si shkaqe kryesore të divorcit: Dhunën në familje, martesat e hershme, problemet ekonomike, emigrimin e burrit të familjes, tradhëtinë bashkëshortore dhe vitet e fundit edhe mospërputhjen e karaktereve (gjë të cilën gjatë viteve paraardhëse, çiftet thuajse nuk e artikulonin).
Lufta për mbijetesë e grave të divocuara
Pavarësisht shkaqeve të divorcit, hasen problematika në zbatimin e vendimit të gjykatës për asistencën ekonomike ndaj fëmijëve, apo nxjerrjen punësimin e grave kryefamiljare, përshtatjen, ndarjen e kohës mes punës dhe përkujdesjes për fëmijën. Gruaja e divorcuar, veçanërisht përballet me një jetë plot sfida për t’ia dale e vetme.
Ne kërkuam të dhëna nga Bashkisa Vlorë, për gratë që trajtohen me mbështetje ekonomike, nga të cilat rezultojnë shifra të ulëta në krahasim me kërkesat në rritje të kësaj kategorie.
Sipas drejtoreshës së Shërbimit Social Vlorë, Irena Stasa ndihma po asistohen me ndihmë ekonomike:
– 40 gra të veja
– 83 gra të divorcuara
– 15 gra me fëmijë (të pamartuara
Stasa konfirmon se për një familje me 4 anëtarë (përshembull nëna me 3 fëmijë) ndihma monetare është 5880 lekë të reja. Kjo vlerë ulet sa më pak anëtarë të ketë familja, përshembull kur është vetëm gruaja, ndihma konsiston në 2800 lekë të reja, vlerë e papërfillshme po të mendosh shpenzimet që duhen për të mbijetuar, sidomos kur gratë pas divorcit nuk disponojnë apo nuk përfitojnë prone ose pasuri tjetër.
Me ndërhyrjen dhe këmbënguljen e shoqatave në mbrojtje të grave, prej 3 vitesh Bashkia ka pranuar të mbulojë edhe bonusin e qirasë (deri në 15.000 lekë) për nënat me fëmijë, duke u dhënë përparësi në marrjen e kredisë së butë (marrëveshje bankë-bashki).
Banesa ku jeton një grua kryefamiljare, Vlorë
Përpjekjet e Bashkisë për të përmirësuar dhe shtuar ndihmën për gratë e divorcuara, sipas Qendrës Psikosociale “Vatra”, që operon prej vitesh në Vlorë në mbështetje të grave të dhunuara, trafikuara, dhe në kushte të vështira ekonomike, nuk mjaftojnë. Ndaj qendra ka inicuar diskutime me Bashkinë për të hartuar një plan mbështetjeje për këtë kategori në përputhje me çmimet e tregut, qoftë për strehim, asistencë ligjore, asistencë të përmuajshme ekonomike më të lartë, etj.
Aktualisht “Vatra”, me përvojë shumëvjeçare në mbështetje të viktimave të dhunës dhe trafikut ofron strehë dhe përkujdesje për këtë kategori, derisa ato të jenë gati për ta përballuar vetë jetesën.
Nga biseda me përfaqësuese të kësaj qendre kuptojmë se edhe për Vlorën mbetet plagë bashkëjetesa e grave me dhunën e vazhdueshme psikologjike dhe fizike, shtypjen, intimidimin dhe kqtrajtimin edhe nga njerëz të afërt, sidomos në fshatra. Nëse do përmendej një anë pozitive në këtë situatë, është ndërgjegjësimi i rritur për ta denoncuar dhunën. Shifrat tregojnë se viti 2023 u mbyll me numër më të lartë denoncimesh sesa 2022, megjithat mbetet shqetësuese rritja e rasteve të dhunës psikologjike, çka ka treguar se mund të çojë deri në vendimmarrje të rrezikshme për jetën. Punonjëset e qendrës Vatra e konsiderojnë thelbësore që vetë gratë e dhunuara të kërkojnë ndihmë dhe të refuzojnë bashkëjetesën me çdo lloj forme dhune, me pasoja edhe për mirëqenien e fëmijëve. Një shembull inkurajues është Meshtania. Ajo punon sot në Fast Food, nuk ka mbështetje nga institucionet, por ia ka dalë të jetojë e qetë, të rrisë e shkollojë fëmijët, mes sfidash, por të paktën larg dhunës.