Nga Dr.Sabina Belshaku* – Historia e të drejtës së grave për të kandiduar në zgjedhje është një aspekt i rëndësishëm i luftës për barazi gjinore dhe zhvillimit demokratik në mbarë botën. Për një kohë të gjatë gratë ishin të përjashtuara nga proceset politike dhe nuk kishin të drejtën as të votonin dhe as të zgjidheshin në poste publike.
Lufta për të drejtën e tyre për të kandiduar ka qenë një proces i gjatë dhe i ndryshëm, në varësi të vendit dhe kontekstit shoqëror.
Për herë të parë lëvizjet feministe të shekullit XIX, veçanërisht në Europë dhe Amerikën e Veriut, nisën të kërkojnë të drejtën e votës dhe pjesëmarrjes politike për gratë. Zelanda e Re u bë vendi i parë në botë që i dha grave të drejtën për të votuar në vitin 1893, por ato nuk u lejuan të kandidojnë deri në vitin 1919. Historia tregon se në fillim të shekullit të XX gratë fitojnë të drejtën për të kandiduar. Finlanda (atëherë pjesë e Perandorisë Ruse) ishte vendi i parë në Europë që i dha grave të drejtën për të kandiduar dhe për të votuar në vitin 1906. Një përhapje globale e së drejtës së grave shënohet pas vitit 1945 ku shumë vende miratuan ligje që i lejonin gratë të votonin dhe të kandidonin për poste publike. Kombet e Bashkuara (OKB) promovuan të drejtat e barabarta për gratë në politikat e tyre.
Historia
Historia e të drejtës së zgjedhjes për gratë në Shqipëri është një pjesë e rëndësishme e historisë së zhvillimit demokratik të vendit dhe të barazisë gjinore. Kjo e drejtë u arrit pas një periudhe të gjatë përpjekjesh dhe ndryshimesh shoqërore e politike. Në periudhën para Pavarësisë (para 1912), gjatë Perandorisë Osmane, Shqipëria nuk kishte një sistem demokratik të organizuar dhe nuk ekzistonte një koncept i zgjedhjeve në kuptimin modern. Gratë nuk kishin të drejta politike dhe roli i tyre ishte kryesisht i kufizuar brenda familjes dhe jetës private. Në periudhën midis dy Luftërave Botërore (1912-1939), pas shpalljes së pavarësisë në 1912, Shqipëria kaloi nëpër ndryshime të mëdha politike. Megjithatë, historia na dëshmon që gratë ende nuk kishin të drejtën e votës. Gjatë kohës së Mbretërisë (1928-1939), edhe pse pati disa përpjekje për reforma sociale, gratë nuk u përfshinë në proceset politike. Të dhënat tregojnë që e drejta e votës për gratë në Shqipëri u dha zyrtarisht në vitin 1945, pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare (më vonë Partia e Punës). Kjo ndodhi si pjesë e ndryshimeve të mëdha politike që solli regjimi komunist, i cili promovoi barazinë gjinore në teori, duke përfshirë gratë në jetën politike dhe shoqërore. Gjatë regjimit komunist, gratë jo vetëm që kishin të drejtën e votës, por edhe u inkurajuan të merrnin pjesë në politikë dhe institucione shtetërore. Megjithatë, ky sistem nuk lejonte zgjedhje të lira dhe pluralizëm politik, kështu që pjesëmarrja e grave në politikë ishte më shumë formale sesa reale.
Ndryshimet
Pas ndryshimeve demokratike në vitet 1990, Shqipëria kaloi në një sistem pluralist, duke i dhënë grave mundësinë për të marrë pjesë realisht në procesin zgjedhor. Edhe pse gratë kishin të drejtën e votës, pjesëmarrja e tyre në politikë mbeti e kufizuar për shkak të faktorëve shoqërorë dhe ekonomikë. Në vitet e fundit, ka pasur përparime në përfshirjen e grave në politikë, falë kuotave gjinore dhe nismave për barazi. Megjithatë, gratë ende përballen me sfida për përfaqësim të barabartë në institucione dhe vendimmarrje
Mjedisi i ashpër politik
Në rastin e mjedisit shqiptar, ka plot arsye për nivelin e ulët të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike. Pra, është ende i vështirë ky aktivizëm, pavarësisht disa shembujve të suksesshëm. Sidoqoftë, një parametër problematik për pjesëmarrjen e gruas në këtë fushë është dhe ashpërsia e mjedisit tonë politik. Stereotipi i dominimit gjinor mashkullor në jetën shoqërore e atë politike, përfshirë atë parlamentare, me fjalimet e egra, fjalorin apo replikat jo-qytetare, e bën “ngurtësuese” e hezituese, deri penguese këtë pjesëmarrje.
Organizimet
Organizimet e grave të veçuara apo brenda partive politike janë tepër të dobëta. Përgjithësisht, forumet politike të grave brenda partive më shumë shfaqen si “sfonde politike” sesa struktura apo organizime që nxisin një rritje pjesëmarrjeje dhe aktivizimi. Asnjë nga forumet partiake të grave nuk kanë buxhetet e tyre. Më shpesh, udhëheqja e partisë ndikon shumë në atë që ndodh brenda një forumi të tillë, apo i injoron vendimet e marra nga organizata e grave në parti.
Vendimmarrja
Në thelb, vendimmarrja politike nga këto forume është mjaft e kufizuar. Realiteti politik i periudhës demokratike në Shqipëri, i analizuar në dy aspekte thelbësore, numri i partive politike të drejtuara nga gra dhe përfaqësimi i tyre si kandidate për deputete, tregojnë qartazi pabarazinë gjinore.
Në Shqipëri, numri i partive politike të drejtuara nga gra është i kufizuar, pasi politika mbetet ende e dominuar nga burrat. Megjithatë, ka disa gra që drejtojnë ose kanë drejtuar parti politike. Por në minorancë. Shumica e partive të tjera kryesore në Shqipëri drejtohen nga burra, megjithëse gratë kanë luajtur dhe po luajnë një rol më aktiv në politikë, sidomos pas vendosjes së kuotave gjinore për përfaqësim në parlament dhe institucione shtetërore.
Përfaqësimi
Megjithatë, numri i grave që arrijnë në pozita të larta drejtuese brenda partive, mbetet ende i ulët. Përfaqësimi i grave si kandidate për deputete në Shqipëri ka ardhur në rritje, veçanërisht pas vendosjes së kuotave gjinore, por ende nuk ka arritur barazinë e plotë me burrat. Nëse i referohemi zhvillimit historik të përfaqësimit të grave në zgjedhje në vendin tonë, para viteve 2000, numri i grave kandidate dhe të zgjedhura për deputete ishte shumë i ulët, duke qenë se politika ishte kryesisht e dominuar nga burrat. Pas vitit 2008, me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, u vendos një kuotë gjinore prej 30% për gratë në listat e kandidatëve për deputetë. Në vitin 2020, kuota u rrit në 35%, duke detyruar partitë të përfshijnë më shumë gra në listat e tyre.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, nga 1.841 kandidatë, 725 ishin gra (rreth 39%).
Pas zgjedhjeve, 45 gra u zgjodhën deputete, duke përbërë 32% të parlamentit.
Megjithëse pjesëmarrja e grave si kandidate ka qenë në rritje, sfida kryesore mbetet vendosja e tyre në pozicione të favorshme në lista, pasi shpesh renditen në vende që nuk u japin mundësi reale për t’u zgjedhur. Përfaqësimi i tyre në poste kyçe si kryetare partie apo kryeministre, mbetet ende i kufizuar.
Kuotat
Studimet tregojnë se kuotat gjinore dhe ligjet për barazinë janë faktorë kyç për rritjen e përfaqësimit të grave në politikë. Pavarësisht përparimeve, gratë ende hasin barriera kulturore, ekonomike dhe strukturore që kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në udhëheqje. Një nga barrierat më të dukshme në vendin tonë është dhe ajo ligjore, si ligji për financimin e fushatave, ku gratë shpesh kanë më pak burime financiare sesa burrat për të konkurruar në zgjedhje. Ligje që mbështesin gratë në financimin e fushatave mund të ndihmojnë në rritjen e përfaqësimit të tyre.
Konteksti
Një nga barrierat më të mëdha që pengojnë gratë të fuqizohen politikisht në Shqipëri është konteksti kulturor dhe social. Në shoqërinë tonë tradicionale, të orientuar nga norma kulturore patriarkale, roli i grave shpesh shihet si i kufizuar në sferën private dhe familjare, çka i pengon ato të angazhohen aktivisht në politikë. Perceptimi i lidershipit është një qasje që i detyron gratë shpesh të përballen me stereotipe që i shohin burrat si liderë më të fortë dhe vendimmarrës më të mirë. Kjo mund të ndikojë në mënyrën se si votuesit dhe partitë politike i vlerësojnë kandidatet femra. Një tjetër faktor pengues për gratë në përfaqësimin politik është edukimi dhe ndërgjegjësimi politik.
Në vendet ku gratë kanë më pak qasje në arsim dhe trajnim politik si Shqipëria, pjesëmarrja e tyre është më e ulët. Nëse në vendin tonë do të kishte programe që mbështesin trajnimin politik të grave, do të ndihmonte në rritjen e përfaqësimit të tyre.
Media
Në shumë raste, gratë politikane përballen me mbulim mediatik të njëanshëm, duke u kritikuar për aspekte personale në vend të performancës së tyre politike.
Rritja e vëmendjes
Si mund të rritet barazia gjinore në politikë në vendin tonë? Nëse do të kemi një zbatim më të fortë të kuotave gjinore për të siguruar jo vetëm kandidimin, por edhe zgjedhjen e grave në poste të rëndësishme, do të kemi një përfshirje më të madhe të gruas shqiptare në vendimmarrjen e partive politike, duke u dhënë role drejtuese dhe mbështetje të barabartë. Shteti duhet të investojë më shumë në ofrimin e trajnimeve dhe mbështetjes financiare për gratë që duan të hyjnë në politikë. Duhet zhvendosur fokusi i të gjithë aktorëve në ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e shoqërisë për të ndryshuar perceptimet shoqërore, duke promovuar imazhin e grave si lidere të afta dhe duke luftuar stereotipet gjinore në media dhe opinionin publik. Rritja e pjesëmarrjes së grave në shoqërinë civile dhe organizatat aktiviste, do të ndikonte në politikën publike për barazinë gjinore.
Barazia gjinore në politikën shqiptare është një çështje komplekse që kërkon ndryshime në shumë nivele. Përmirësimi i legjislacionit, ndryshimi i mentalitetit shoqëror dhe mbështetja e grave me burime financiare dhe edukative, janë kyçe për të siguruar një pjesëmarrje më të madhe dhe më të barabartë të grave në politikë.
*Pedagoge e Punës Sociale