Në fund të prillit, mediat online publikuan thuajse njëkohësisht një ngjarje të ndodhur në 2023 me protagonistë bashkëshortin e Ministres Delina Ibahimaj. Ai ishte paditur për goditje për shkak të detyrës nga një drejtues në zyrën e trajtimit të kredive. Në ditën e publikimit të këtij lajmi, Delina Ibrahimi, sot Ministre e Siprmarrjes deklaroi se kallëzuesi nuk ishte goditur për shkak të detyrës dhe se çështja tashmë ishte pushuar nga drejtësia. Verifikimi i Faktoje zbulon përse deklarata e ministres është pjesërisht e vërtetë.
Xhevahir Zhabina
Ditën e publikimit të lajmit se bashkëshorti i ish ministres së financave Delina Ibrahimaj kishte plagosur një vartës të saj, ajo reagoi në rrjetin social facebook duke sqaruar ndër të tjera se çështja hetimore është pushuar.“Konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash.”- shkruante ish ministrja në facebook.
Verifikimi
Ne bëmë një verifikim të deklaratës së Delina Ibrahimit, sot ministre e Sipërmarrjes dhe Klimës së biznesit, në lidhje me çështjen. Ibrahimaj thotë të vërtetën kur pohon se ka një vendim pushimi nga organet e drejtësisë dhe ajo i referohet vendimit të prokurorisë së Tiranës të cilin Faktoje e disponon. Ky vendim rrëzon pretendimin e kallëzuesit, Eri Koshaj se është goditur për shkak të detyrës nga Andri Ibrahimaj (bashkëshorti i ministres).
“Konflikti fizik midis këtyre shtetasve dhe goditjet nuk rezultojnë të jenë kryer për shkak të detyrës pasi :
Së pari shtetasi Eri Koshaj në momentin që ka ndodhur konflikti nuk ka qënë në kryerje e sipër të detyrës së tij.
Së dyti ka qënë shtetasi Eri Koshaj që ka shkuar përballë lokalit “Te Baçja” që admnistrohet nga shtetasi Andri Ibrahimaj dhe konflikti fizik ka ndodhur përballë lokalit dhe jo pranë vendit të punës së shtetasit Eri Koshaj.”– konfirmohet në vendimin e pushimit të Prokurorisë së Tiranës.
Hetimi për pushimin e çështjes, vuloset nga gjykata
Që një hetim që të konsiderohet i pushuar duhet të kalojë edhe hallkën e gjykatës, bazuar në ndryshimin që iu bë Kodit të Procedurës Penale në vitin 2017.
“Mund të ndodhë që çështja të mos pushohet edhe pse prokuroria mund ta ketë kërkuar pushimin e saj, por mund ta kthejë atë për hetime shtesë, nëse gjykata çmon se hetimet janë të paplota ose jo të thelluara në çështjen objekt gjykimi. Gjykata është zot i çështjes.”- Ibrahim Sako, Avokat
Pushimi i një çështjeje argumetohet në disa nene të Kodit të Procedurës Penale. Në nenin 329/b sqarohet shqyrtimi i kërkesës për pushimin e çështjes dhe në pikën 3 thuhet:“Kur janë kushtet e parashikuara nga paragrafi 1, i nenit 328, gjykata vendos pushimin e akuzës ose çështjes. Në rast të kundërt, gjykata vendos sipas parashikimeve të shkronjës “b” ose “c”, të paragrafit 3, të nenit 329, të këtij Kodi.”– neni 329/b
Në nenin 328 parashikohen kriteret kur një çështje mund të pushohet. Ndërsa në nenin 329 paragrafi 3, shkronja b dhe c është e qartë që gjyqtari mund t’ia kthejë pas dosjen prokurorit kur shikon se hetimet janë të mangëta.
“ b) Kthimin e akteve prokurorit dhe vazhdimin e hetimeve, kur çmon se ato janë të paplota, duke përcaktuar drejtimet e thellimit të tyre dhe, kur është rasti, edhe veprimet që duhet të kryhen, si dhe cakton afatin brenda të cilit hetimet duhet të përfundojnë;
c) Kthimin e akteve prokurorit, duke e urdhëruar që të formulojë akuzë dhe të paraqesë kërkesë për gjykimin e çështjes, kur çmon se hetimet janë të plota dhe rezulton se ka prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzën në gjyq.” – neni 329, paragrafi 3, pika b dhe c
Sipas kësaj dispozite ligjore prokurori detyrohet që përgjigjen përfundimtare nëse një hetim pushohet ose jo, duhet ta marrë nga gjykata. Gjithashtu gjykata mund ta kthejw dosjen për hetime shtesw nëse ato që janë në dosje nuk janw bindwse. Madje gjyakata mund të urdhërojë riformulimin e akuzës për gjykimin e çështjes, kur çmon se hetimet janë të paplota.
Prokuroria e Tiranës konfirmoi se ka kërkuar pushimin e çështjes që në datën 17 prill 2024 dhe ende nuk ka një vendim nga gjykata apo një datë se kur do të shqyrtohet kërkesa e prokurorisë.
“Nga verifikimi i kryer rezulton se mbi bazën e materalit të referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1, në lidhje me kallëzimin e shtetasit E.K është regjistruar procedimi penal nr.8690 i vitit 2023, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, pa autor. Më datë 17.04.2024 është dwrguar kërkesë për pushim. Duke qenë se çështja është ende në shqyrtim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nuk ka një vendim të formës së prerë po ju dërgojmë një kopje të kërkesës për pushim të anonimizuar.”– Prokuroria e Tiranës
Në gjykatën e Tiranës ende nuk është caktuar një datë kur do shqyrtohet kërkesa e prokurorisë për pushimin e këtij hetimi. Gjykata ka në dorë të miratojë kërkesën e akuzës në seancën paraprake. Por në të njëjtën kohë ajo mund të vendosë që ta kthejë dosjen për hetime të tjera duke i caktuar detyra prokurorit nëse nuk është bindur me ato që ka në dosje.
“Gjatë punës tonë si avokat jemi ndodhur para rasteve që gjykata ka vendosur kthimin e çështjes për hetime shtesë edhe pse prokurori ka kërkuar pushimin e çështjes.Në çdo rast është gjykata ajo që vendos për pushimin ose jo të çeshtjes.”-Ibrahim Sako, Avokat.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer, deklaratën e ministres Delina Ibrahimaj do ta kategorizojmë Gjysmë të Vërtetë, pasi ajo ka të drejtë kur thotë se goditja nuk ka qenë për shkak të detyrës siç pretendon kallëzuesi, ndërkohë që çëshjta nuk është pushuar, pasi vendimin përfundimtar për pushimin e një çështjeje e jep gjykata dhe jo prokuroria, bazuar në Kodin e Procedurës Penale me ndryshimet e vitit 2017.