Gjyqtari i aksidentuar nuk po gjykonte hetimin ndaj Netanyahut

5

Pretendimi: Gjyqtari Benny Sagi që po gjykonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun për korrupsion ka vdekur në një aksident

Verdikti: Gjysëm e vërtetë

————————————————————–

rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se gjyqtari izraelit Benny Sagi, i cili pretendohet se po gjykonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahun për korrupsion, ka vdekur në një aksident.

Ky lajm u përhap fillimisht nga tabloidi britanik Daily Mail, me një artikull të titulluar “Gjyqtari në rastin e korrupsionit të Netanyahut vritet ‘pasi e goditi një automjet’”.

Megjithatë, në artikullin e Daily Mail referenca për gjyqin e Netanyahut tashmë nuk shfaqet më. Titulli i përditësuar tani është” “Gjykatësi i lartë izraelit vritet ‘pasi një automjet që po dilte nga rruga doli në autostradë dhe u përplas me motoçikletën e tij'”.

Është e vërtetë që Benny Sagi, kreu 54-vjeçar i Gjykatës së Qarkut Be’er Sheva, u vra në një aksident me makinë më 4 janar 2026, kur një automjet u përplas me motoçikletën që ai po drejtonte. Një burim tjetër raporton se automjeti ishte një xhip dhe shoferi, i cili dyshohet se drejtonte nën ndikimin e drogës, u ndalua nga autoritetet lokale.

Megjithatë, Sagi nuk do të gjykonte akuzat për korrupsion kundër Netanyahut.

Çështjet e korrupsionit kundër Netanyahut, të njohura si “Çështjet 1000, 2000 dhe 4000”, bien nën juridiksionin e Gjykatës së Qarkut të Jeruzalemit. Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Rivka Friedman-Feldman (kryetare e trupit gjykues), Moshe Bar-Am dhe Oded Shoham (në foton më poshtë), të cilët të gjithë janë ende në detyrë.

Trupi gjykues i çështjeve të korrupsionit kundër Netanyahut

Benny Sagi nuk ka qenë kurrë anëtar i këtij trupi gjykues dhe as nuk ka pasur një rol të drejtpërdrejtë në ato gjyqe.

Aktiviteti gjyqësor i Sagit është ndërthurur me çështje të lidhura me Netanyahun përmes të ashtuquajturës “Çështje Nëndetësesh” (Çështja 3000), që lidhet me korrupsionin e dyshuar sistemik në lidhje me blerjen e nëndetëseve dhe anijeve detare nga ThyssenKrupp i Gjermanisë, me vlerë miliarda dollarë. Hetimi përfshin ish-oficerë të lartë të Marinës Izraelite, zyrtarë publikë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit.

Megjithatë, Netanyahu nuk është akuzuar kurrë zyrtarisht në këtë rast. Në vitin 2023, Komisioni Shtetëror i Hetimit publikoi dokumente që konfirmonin se Netanyahu, së bashku me individë të tjerë të intervistuar, kishin dhënë dëshmi. Në shtator 2024, Zyra e Prokurorit Izraelit vendosi të mos hapë një hetim penal për përfshirjen e kryeministrit në “Çështjen 3000”.