Pretendimi: Gjykata holandeze hedh poshtë përpjekjet e Bill Gates për t’i ikur Drejtësisë për dëmet nga vaksinimi anti-Covid.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se një gjykatë hollandeze ka hedhur poshtë përpjekjet e miliarderit amerikan Bill Gates për t’i shpëtuar Drejtësisë së këtij vendi lidhur me dëmet nga vaksinimi anti-Covid.

Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një padi civile të depozituar në një gjykatë të Leeuwarden, Hollandë, e cila përshkruhet në një artikull të gazetës hollandeze Volkskrant.

Në padinë e depozituar nga fondacioni Recht Oprecht, 7 paditës akuzojnë 17 të paditur, përfshi këtu Bill Gates, shtetin hollandez, ish-kryeministrin Mark Rutte, dhe drejtorin e Pfizer, Albert Bourla për dëme nga vaksina anti-Covid. Faqja e Recht Oprecht thekson se padia është civile.

Një vendim i Gjykatës së Hollandës Veriore të 16 tetorit vendosi mbi argumentin e Gates se gjykata nuk kishte juridiksion për të dëgjuar çështjen sepse Gates nuk jeton në Hollandë.

Një dispozitë në Kodin Hollandez të Procedurës Civile lejon një gjykatë hollandeze të fitojë juridiksion për sa kohë që ka juridiksion mbi të paktën një të pandehur dhe me kusht që pretendimet kundër të pandehurve të kenë të njëjtin grup faktesh themelore dhe të jenë të lidhura ngushtë ligjërisht.

Gjykata vendosi se ka “juridiksion ndërkombëtar mbi bashkë-të pandehurin amerikan” dhe i ngarkoi Gates shpenzime ligjore në vlerë prej 1,406 eurosh (që nga 3 dhjetori). Në një gjykatë holandeze, pala humbëse mban mbi vete shpenzimet ligjore.

Gates nuk është i detyruar të paraqitet personalisht kur çështja më e madhe shkon në gjyq civil, tha një zëdhënëse e gjykatës për PolitiFact, por avokatët e tij mund ta përfaqësojnë atë.

Siç shpjegohet nga një nga kanalet e para që raportuan mbi çështjen, ligji civil kompenson dëmin e bërë ndaj një personi, zakonisht duke dhënë dëmshpërblim monetar. Nëse gjykata konstaton se Gates dhe të pandehurit e tjerë kanë shkelur detyrat e tyre qytetare, atyre do t’u kërkohet t’i paguajnë dëmet paditësve.