Pretendimi: Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur se përgjimet e SKY Encrochat mund të përdoren si prova
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————-
Një vendim i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg me subjekt marrjen e të dhënave nga aplikacioni EncroChat është keqinterpretuar nga disa media shqipfolëse si legjitimim i përdorimit të këtyre të dhënave si prova.
Ky lajm ka tërhequr vëmendjen e publikut shqiptar pasi është përshkruar me ndikim në hetimet e SPAK të mbështetura në bisedat e zbardhura në Francë nga këto aplikacione si dhe në padinë në Gjykatën Kushtetuese ku kërkohet rrëzimi i këtyre provave nga një prej të pandehurve.
Ndërkohë, çështja në gjykatën e Strasburgut është një padi kundër shtetit francez e depozituar nga dy shtetas anglezë, të akuzuar për përdorim të EncroChat në procedimet penale kundër tyre. Padia kishte të bënte me marrjen e të dhënave të përdoruesve të EncroChat nga autoritetet franceze dhe transferimin e të dhënave lidhur me individët që përdorën EncroChat në Mbretërinë e Bashkuar tek autoritetet britanike në përputhje me një Urdhër Hetimi Evropian (EIO).
EncroChat është një aplikacion i enkriptuar telekomunikimi, i cili funksiononte si një rrjet i mbyllur dhe ishte shpërndarë në mënyrë të fshehtë nga viti 2016 deri në vitin 2020.
Në vendimin e saj, të titulluar “Vendim për mospranimin e padisë kundër Francës”, të cilin Faktoje.al e konsultoi në faqen zyrtare të internetit të GjEDNj, shpjegohet qartazi se gjykata e rrëzoi padinë pa nisur shqyrtimin sepse paditësit nuk kishin shteruar rrugët e brendshme juridike në Francë. Ky është edhe rregulli kryesor i funksionimit të kësaj gjykate ndërkombëtare, ku çdo çështje duhet të ketë ezauruar më parë shkallët e gjyqësorit në vendet ku pretendohet se është kryer shkelja.
Sipas saj, ligji francez, specifikisht neni 694-41 i Kodit të Procedurës Penale, i lejonte paditësit të kundërshtonin përdorimin e të dhënave të marra nëpërmjet një EIO në një gjykatë vendase me argumentin se mënyrat e marrjes së të dhënave shkelnin nenin 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që i garanton secilit të drejtën e privacisë.
“Një zgjidhje e tillë, nëse do të ishtë e suksesshme, mund të çonte në konstatimin e shkeljes së nenit 8 të Konventës dhe në përjashtimin, në Francë, të provave të marra nëpërmjet zbatimit të EIO,” shkruhet në vendimin e GjEDNj.
Në asnjë pjesë të vendimit, Gjykata nuk flet për legjitimim të të dhënave të marra nga Encrochat. Përkundrazi, siç vërehet në citimin e mësipërm, ajo ka lënë të hapur mundësinë që këto të dhëna mund të konstatohen si të papranueshme si prova nga gjykatat vendase.