.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookGjykata e Lartë e ShBA nuk ndaloi librat LGBT në shkolla

Gjykata e Lartë e ShBA nuk ndaloi librat LGBT në shkolla

Pretendimi: Gjykata e Lartë e ShBA ndalon librat LGBT në shkolla

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————

Një lajm i botuar më 27 qershor nga portali JOQ Albania pretendon se Gjykata e Lartë e ShBA ka vendosur në krah të prindërve dhe ka ndaluar librat LGBT në shkolla.

Lajmi duket se i referohet një vendimi të Gjykatës së Lartë amerikane në çështjen Mahmoud v. Taylor, që lidhej me të drejtën e prindërve që t’i largojnë fëmijët e tyre nga mësimdhënia që përfshin libra me personazhe LGBTQ+.

Çështja nisi në 2022 kur Shkollat ​​Publike të Qarkut Montgomery futën në kurrikulën e tyre fillore libra me figura si “Dasma e Xhaxha Bobit” dhe “Këlyshi i Krenarisë”, një libër për një qen që humbet në një paradë krenarie. Fillimisht, prindërit mund t’i zgjidhnin që fëmijët e tyre të mos merrnin pjesë në këto mësime, ngjashëm me politikat e edukimit seksual.

Por në mars të vitit 2023, bordi i shkollës eliminoi ato dispozita përjashtimi përveç edukimit seksual, duke përmendur mungesat në rritje dhe barrën administrative. Tre familje me besime të ndryshme, myslimane, katolike dhe ortodokse ukrainase, ngritën padi, duke argumentuar se kjo shkelte lirinë e tyre fetare.

Familjet nuk kërkonin të ndalonin librat, por t’i largonin fëmijët e tyre nga mësimet e librave.

Njësoj, Gjykata e Lartë amerikane nuk “ndaloi librat LGBT në shkolla”. Gjykata vendosi që politika e distriktit shkollor për të mos lejuar përjashtimet nga mësimet që përfshinin libra me tema LGBT shkelte të drejtën e prindërve për ushtrimin e lirë të fesë sipas Amendamentit të Parë. 

Vendimi i Gjykatës urdhëroi që “derisa të përfundojë i gjithë shqyrtimi i apelit në këtë rast, bordi [i shkollës] duhet të urdhërohet t’i njoftojë ata paraprakisht sa herë që një nga librat në fjalë ose ndonjë libër tjetër i ngjashëm do të përdoret në çfarëdo mënyre dhe t’u lejojë atyre që fëmijët e tyre të përjashtohen nga ai mësim.”
Duke dhënë një urdhër paraprak ndalimi, Gjykata nuk nxori një vendim përfundimtar mbi këtë çështje, duke arritur vetëm në përfundimin se prindërit ka të ngjarë të kenë sukses dhe duke e kthyer çështjen përsëri në gjykatën e shkallës së parë për shqyrtim, duke konsideruar mendimin e Gjykatës së Lartë.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img