MARJO BRAKAJ
Që prej 16 marsit, dita ku hyri në fuqi Akti Normativ me masat shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit, janë ndëshkuar me gjobë 1,300 qytetarë. Shuma e gjobave që pritet të hyjë në Buxhetin e Shtetit arrin në rreth 14 milionë lëkë të reja. Edhe pse një masë e nevojshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit “Covid-19”, për shumë qytetarë gjoba është një “barrë më shumë mbi supe” në këtë situatë krize.
Më 9 mars, pas identifikimit të dy persoanve të parë të infektuar nga koronavirusi “Covid-19, qeveria nisi marrjen e masave kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së tij. Masat u përshkallëzuan ditë pas dite deri në ekstrem dhe u shoqëruan me masa administrative në raste shkeljesh. Nga të dhënat që mblodhi “Faktoje” vërehet se në ditë të caktuara ka numër të lartë të qytetarëve të gjobitur nga policia, çka është kritikuar nga organizatat e të drejtave të njeriut.
- Gjobat e vendosura ndaj qytetarëve sipas ditëve:
– 17-18 mars: 11 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 18-19 mars: 165 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 19-20 mars: 234 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 20-21 mars: 190 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 21-22 mars: 54 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 22-23 mars: 278 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 23-24 mars: 85 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 24-25 mars: 65 qytetarë, nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
1 qytetar që nuk respektoi karantinën u gjobitën me 700 000 lekë
– 25-26 mars: 40 qytetarë nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
3 qytetarë nuk respektuan kufizimet në parqe u gjobitën me 20 000 lekë
– 26-27 mars: 100 qytetarë nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
6 qytetarë nuk respektuan kufizimet në parqe u gjobitën me 20 000 lekë
– 27-28 mars: 71 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
– 28-29 mars: 89 qytetarë nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë;
5 qytetarë nuk respektuan kufizimet në parqe u gjobitën me 20 000 lekë
– 29-30 mars: 157 qytetarë nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me 10 000 lekë
1 qytetar që hyri pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore u gjobit me 500 000 lekë
Avokati i Popullit kërkoi që masat e marra nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit “Covid-19”, të ishin të përgjegjshme dhe të trajtuara konform ligjeve.
“Kufizimet e përgjegjshme dhe të trajtuara me nevojën e qytetarit në mendje janë veç të dobishme, mirëpo sikundër u bë e qartë edhe në një deklaratë të përpiluar nga ekspertët e Kombeve të Bashkuara, është krejtësisht e mundshme që masat emergjente në kushte emergjente të keqpërdoren për të shtypur tharmin demokratik të shoqërive tona, sidomos të shoqërive si ajo shqiptare që e kanë ende të freskët kujtesën e shtypjes së lirive”, thuhej në reagimin e Avokatit të Popullit.
Për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, pamundësia për të ankimuar masën administrative mbetet një problem.
“Gjobat administrative të dhëna sipas akteve normative në kushtet e pandemisë përbëjnë titull ekzekutiv, çka do të thotë se personit ndaj të cilit jepen i lind detyrimi ti ekzekutojë (paguajë) menjëherë. Këto gjoba derdhen në masën 100% në buxhetin e shtetit. Ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative menjëherë sapo ato jepen nga organi përkatës parashikohet edhe në ligjin në fuqi Nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”. Mgjth, ajo çka vërehet si mangësi në aktin normativ është se në përmbajtjen e tij nuk parashikohet shprehimisht e drejta për të ankuar këto masa, tek një organ epror i autoritetit që i ka dhënë apo drejtpërsëdrejti në gjykatë”, thuhet në komunikimin e KSHH.
Komiteti Shqiptar I Helsinik kërkon më shumë akte që respektojnë dhe mbrojnë qytetarët nga abuzimi.
“ Në raport me detyrimin për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve, sa herë që një autoritet, e në mënyrë të veçantë organet e policisë, sanksionojnë një kundravajtje, merr rëndësi parësore mbrojtja e qytetarëve nga abuziviteti”, shprehet KSHH.
Për 55 vjeçarin I.H., gjoba me vlerën 10.000 lekë të reja ishte e padrejtë.
“Unë jetoj me bashkëshorten, fëmijet janë jashtë. M’u desh të dal për ca nevojat tona, në farmaci e të merrja ushqime, ashtu erdhën gjërat. Më kërkuan kartën e idenditetit, më pyetën nëse kisha makinë dhe më dhanë gjobën. Nuk do e paguaj, të paktën jo për tani. Duhet riparë ky vendimi për gjobat, pasi shumë e kanë marrë nga halli dhe jo nga qejfi”, i tha “Faktojes” I.H.
Kufizimi i lëvizjeve është vendosur si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit:
– Deri më 20 mars lëvizjet ishin kufizuar në 6 orë – 06:00-10:00 dhe 16:00-18:00.
– Më 20 mars ato u shtuan në 8 orë – 05:00-13:00 dhe kufizim total gjatë së dielës.
– Nga 30 marsi, lejohet dalja e vetëm një pjestari të familjes, i cili më parë duhet të marrë
leje nga autoritetet.