Sebi Alla Në ditën kur zëvëndëskryeministrja Belinda Balluku mbante jo pa tension fjalimin në Parlament, duke dhënë vlerësime dhe “besuar tek drejtësia”, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi për të masën “pezullim nga detyra dhe bllokim pasaporte për të mos dalë jashtë vendit”.
Vendimi u mor ditën e djeshme nga GJKKO dhe iu komunikua paraditën e sotme.
Ajo akuzohet për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera mbi procedurat e prokurimit për paracaktimin e kompanisë fituese të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, ndërsa ka edhe një tjetër akuzë për tenderin e Unazës së Madhe (Loti 4).
Po ashtu si pjesë të së njëjtës dosje, GJKOO ka vendosur masë sigurie “arrest shtëpie” për kreun aktual të Autoritetit Rrugor Shqiptar Gentian Gjyli dhe drejtorin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare Erald Elezin, të dy pjesë e komisionit të vlerësimit të ofertave për ndërtimin e tunelit.
Akuzat e SPAK-ut
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u mor zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria Speciale me 31 tetor, duke i komunikuar akuzën për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve të tendera publike.
“Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH”, tha SPAK në njoftimin zyrtar.
Prova shtesë
Në vijim të hetimeve, SPAK ka siguruar të tjera prova duke krijuar bindje se në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës Balluku është përfshirë në shkelje ligjore lidhur edhe me tenderimin e Unazës së Madhe (Loti 4), po për akuzën e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Nga telefoni i Berberit
Hetimet ndaj Ballukut nisën pas arrestimit të ish-kreut të ARRSH-së Ervis Berberi. Në një nga telefonët e sekuestruar pas arrestimit janë gjetur biseda të shumta të cilat ishin fshirë nga Berberi, por pasi u dërgua për ekspertizë të hollësishme i rikuperuan.
SPAK duke parë bisedat mes tyre hapi një fraksion të “dosjes Berberi”, dhe nisi procedim për Ballukun në prill të këtij viti.
Faktet e grumbulluara nga SPAK deri më tani kanë krijuar bindjen se janë para veprës penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe fakti që Balluku mbante postin e zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës është cilësuar si rrethanë që mund të ndikojë në prishjen e provave për çështjet në hetim.
GJKKO
GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK dhe me vendimin e marrë tashmë Ballukut i duhet të lerë detyrën si zëvendëskryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës dhe gjithashtu do jetë e privuar për të dalë jashtë vendit.






