Dy premtimet kryesore të fushatës zgjedhore të kryetarit të bashkisë Elbasan Gledian Llatja në vitin 2019 ishin investimet në fshatin turistik Gjinar, pjesë e projektit “100 Fshatrat” dhe rivitalizimi i Parkut të Krastës. Nga verifikimi në terren Faktoje konstatoi, se dhe pas dy vitesh këto dy premtime presin ende vullnetin e bashkisë së Elbasanit për t’u përmbushur.
Gjinari u bë pjesë e programit të 100 fshatrave në korrik të vitit 2018 me krijimin e “Akademisë 100 fshatrat”, ku merrnin pjesë 22 grupe pedagogësh dhe studentësh nga 6 universitete të vendit, të cilët në bashkëpunim me ministritë e linjave hodhën në letër propozime konkrete për çdo fshat.
“Gjinari, një perlë turistike e Bashkisë Elbasan dhe pjesë e programit të “100 fshatrave” do të marrë padyshim vëmendjen tonë kryesore për t’u shndërruar shumë shpejt në një atraksion të bukur turistik” – shkruante kryebashkiaku i Elbasanit, Llatja në Facebook më 20 prill 2019.
Për të kuptuar se çfarë bërë me zotimin e marrë për Gjinarin dhe disa zona të tjera të përfshira te projekti i “100 fshatrave”, Faktoje iu drejtuar bashkisë së Elbasanit.
Kërkesa dërguar Bashkisë Elbasan, Gusht 2021
Bashkia Elbasan pranoi të na kthente përgjigje vetëm pas ankimimit nga ana e Faktojes. Në përgjigjen e saj ky institucion shprehet:
“Për fshatin Gjinar deri tani bashkia Elbasan ka hartuar një databazë analitike për prioritetet e zhvillimit të këtij fshati. Gjithashtu universiteti privat “Epoka” ka hartuar një projekt ide në konsultim me komunitetin e fshtatit”- thuhet në përgjigjen e bashkisë. Sipas të njëjtës shkresë bashkia konfirmon se deri tani nuk ka asnjë fond të alokuar për shndrrimin e Gjinarit në një pikë turistike dhe se institucioni po bën gati projektin “Sistemi i Qendrës Gjinar”dhe më pas do të bëhen edhe shpronësime me fondet e bashkisë. Bashkia konfirmon se deri tani janë ndërtuar privatish 6 bujtina dhe vazhdon puna për ndërtimin e 3 të tjerave.
Përgjigja e Bashkisë Elbasan
Duke e parë Gjinarin si një mundësi shumë të mirë për turizmin e së ardhmes, investitorët kanë filluar të interesohen për zonën e shpatit të sipërm, të njohur për klimë të pasur dhe bukuri natyrore të rralla. Kryesisht banorë vendas, të kthyer nga emigrimi, janë duke investuar në ndërtimin e restoranteve, bujtinave dhe pensioneve.
Foto nga qendra e Gjinarit.
Kur kanë kaluar tashmë tre vjet nga shpallja e program të 100 fshatrave” në Gjinar ende nuk ka asnjë investim. Banorët thonë se presin investime, por deri tani nuk kanë parë asgjë konkrete.
Ardian Bërdufi, një ekspert turizmi për Gjinarin, thotë se pritshmëritë e banorëve kanë qenë të mëdha në fillim, por tani kanë ardhur duke u zbehur.
“Për ne është shumë e rëndësishme të ndërhyhet fillimisht në qendër dhe më pas të krijohen mundësi që të shfrytëzohen pista në dimër, të ketë rrugë dytësore, etj. Në fakt nuk është bërë asnjë. Hodhën një ditë ca cakull mali nëpër qoshe dhe kaq. Nuk dimë se kur apo qysh do të investohet, dimë vetëm se jemi pjesë e projektit të ‘100 fshatrave turistikë’.
Një tjetër investor i zonës, thotë se rrugën që të çon në bujtinë e ka investuar me paratë e veta, ndërkohë që shteti nuk i garanton as furnizimin me energji elektrike.
“Ne gjithçka e kemi bërë vetë. Edhe rrugën që të sjell këtu e kemi hapur vetë. Madje edhe energjinë e kemi investuar vetë. Shtyllat e telat i kemi futur nga xhepi. E vetmja gjë që po i kërkojmë shtetit është të na garantojë furnizimin me energji mos kemi probleme të tilla si dhe të na favorizojë, e të mos na shikojë si vende për të vjelur sa më shumë taksa”,- shprehen pronari i një bujtine.
Në kuadër të nxitjes së turizimit në Elbasan, një tjetër premtim nga kryetari i kësaj bashkie ishte për rivitalizimin e Kodrës së Krastës.
“Një tjetër projekt është edhe rivitalizimi i Kodrës së Krastës, i cili përfshin Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Po ashtu edhe me mbështetjen e qeverisë Japoneze, një projekt shumë të madh i cili synon mbjelljen e shumë hapësirave bosh brenda parkut. Kjo për të garantuar gjelbërimin e plotë sipas të gjithë standardeve të parkut, mbushjen e parkut edhe me kënde sportive. Një tjetër projekt është edhe krijimi i një Lungo Fiume” – u shpreh Llatja.
Faktoje konstatoi në terren se pas 2 vitesh akoma nuk është bërë asnjë investim.
Foto nga Kodra e Krastës
Edhe më parë Faktoje ka bërë një artikull ku ka treguar që premtimi për investimet në pikën turistike të fshatit turistik Gjinar dhe rivitalizimi i Kodrës së Krastës vazhdon të mbetet në letër.
Në bazë të dhënave të mbedhura dhe nga verifikimi në terren, premtimet e kreut të bashkisë së Elbasanit për Gjinarin dhe Kodrën e Krastës, do t’I kategorizojmë Të pambajtura.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.