Autore: Shkurte Qoka
Nxënësit e gjimnazit “Dine Hoxha” në fshatin Muhurr të Dibrës përballen me mungesën e një palestre në shkollën e tyre. Një problem ky që vazhdon prej vitesh dhe ndikon ndjeshëm në zhvillimin e lëndës së edukimit fizik nga nxënësit. Me vetëm 35 nxënës, ky gjimnaz pasqyron braktisjen e zonës nga të rinjtë, të cilët shpesh largohen në kërkim të një arsimi dhe një jete më të mirë.
Në mungesë të një palestre, nxënësit e gjimnazit “Dine Hoxha” në fshatin Muhurr nuk arrijnë të zhvillojnë orët e edukimit fizik gjatë dimrit, për shkak të kushteve të papërshtatshme të motit.
“Gjatë dimrit, ne nuk i zhvillojmë orët e edukimit fizik, sepse moti mund të jetë i keq dhe nuk bëjmë dot aktivitete fizike në ambientet e jashtme”, tregon Marisa, një nga nxënëset e shkollës.
Sipas nxënësve, mungesa e palestrës bën të pamundur zhvillimin e sporteve dhe aktiviteteve të tjera fizike. Ndërkohë që shkollat e tjera kanë palestra, këta të rinj ndihen të lënë pas dore.
“Patjetër që ne e kemi shumë të nevojshme të kemi një palestër si të gjitha shkollat e tjera dhe të jemi edhe ne si të gjitha shkollat e tjera”, shprehet Elona, nxënëse e këtij gjimnazi.
Palestra e shkollës, domosdoshmëri për nxënësit e Muhurrit
Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme sportive është një problem jo vetëm për shkollën, por për gjithë komunitetin. Duke qenë një zonë e vogël, alternativa për aktivitet fizik dhe social janë shumë të kufizuara. Një palestër do të ndihmonte jo vetëm nxënësit, por edhe të rinjtë e tjerë të zonës, duke krijuar hapësira për aktivitete sportive.
Nxënësit thonë se ndër vite, kërkesat për një palestër kanë mbetur të parealizuara.
“Shkolla jonë nuk ka pasur asnjëherë palestër dhe nuk na është mundësuar që të kemi palestër deri në ditët e sotme. Nuk bëjmë dot aktivitet fizik jashtë, sepse vendi nuk është i përshtatshëm”, thotë Marisa, gjimnaziste.
Në gjimnazin “Dine Hoxha” të Muhurrit mësojnë vetëm 35 nxënës, një shifër që tregon qartë numrin e ulët të të rinjve që kanë mbetur në zonë. Mungesa e kushteve për të zhvilluar aktivitete sportive, kulturore apo sociale është një prej shqetësimeve kryesore të të rinjve.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Dine Hoxha” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.
Mentore: Ilda Hoxha