MERXHAN DACI & ANXHELA RUCI
Pas heqjes së ekskluzivitetit të Aeroportit të Rinasit, gjithmonë e më shumë është folur për mundësinë e ndërtimit të një aeroporti në jug të vendit që do të ndikonte me shtimin e volumit të turizmit dhe uljen e tarifave të fluturimeve. Tashmë është zyrtare se një kompani turke do të fillojë këtë vit ashtu siç pritet ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, i cili do të jetë i profilit ndërkombëtar. Po ashtu është folur për mundësinë e një aeroporti tjetër turistik në Sarandë, i cili do të jetë më i vogël se ai i Vlorës.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ka bërë disa deklarata në lidhje me këtë aeroport.
“Brenda pranverës do të përfundojmë studimin e fizibilitetit të Aeroportit të Sarandës, një aeroport turistik që jam i bindur që do të jetë një nyje e rëndësishme”, tha Gjiknuri në 11 mars të këtij viti në Sarandë.
“Faktoje” u interesua për të mësuar më shumë pranë Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës e cila në 28 qershor, pas një kërkese zyrtare na tha se nuk kishte ndonjë projekt në ndjekje për studim fizibiliteti për aeroportin e Sarandës.
*Përgjigja e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës
Disa ditë më vonë, për të njëjtën çështje, Autoriteti i Aviacionit Civil na ktheu një përgjigje të ndryshme nga ajo e ministrisë. AAC konfirmoi se studimi i fizibilitetit për Aeroportin e Sarandës ka nisur në nëntor të vitit të shkuar dhe ka mbaruar në mars të këtij viti.
“Studimi i Fizibilitetit për një Aeroport në Jug të Vendit, me fond limit 25 000 000 lekë pa T.V.SH.; procedura filloi në zbatim të VKM-së për këtë procedurë në vitin 2017 dhe është zhvilluar me prokurim të Shërbim Konsulence, me mjete elektronike nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe më pas është kaluar për të lidhur kontratën dhe zbatimin e saj në Autoritetin e Aviacionit Civil”.
I njëjti institucion, na sqaroi se synimi i kontratës ishte vlerësimi i vendndodhjeve të mundshme të një aeroporti në jug të vendit, duke analizuar faktorë si: trafiku potenciali i pasagjerëve, kushtet gjeo-teknike, meterologjia etj.
Duke qenë se nga njëra anë kemi Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës që na u përgjigj se nuk kishte studim të kryer, ndërsa nga ana tjetër kemi Autoritetin e Aviacionit Civil që pohoi se kishte një të tillë të përfunduar, “Faktoje” e konsideron këtë deklaratë si PA KATEGORI. Kjo pasi ne nuk jemi të qartë ende nëse vërtet ka pasur një studim meqënëse nuk na u dha qasje në dokumentin publik që e vërteton këtë.