ANDI BORA
Gjiknuri: “Strategjia e Bashkimit Evropian ka ndaluar përdorimin dhe ndërtimin e landfillit. Format që mbeten, janë ose format totale të parandalimit, pra përdorimi i çdo materiali të riciklueshëm, që për Shqipërinë është akoma luks dhe format e incenerimit për prodhimin e energjisë elektrike.”
Kjo është deklarata e bërë nga ministri i energjisë dhe transportit, Damian Gjiknuri, gjatë interpelancës së kërkuar nga Partia Demokratike që mban datën 15 shkurt.
Duke dashur të verifikojmë vërtetësinë e deklaratës së Gjiknurit për incenerimin në vendin tonë sipas strategjisë së Bashkimit Evropian për menaxhimin e mbetjeve, ju bëjmë me dije se objektivat kryesore për politikën e mbetjeve janë të renditura si më poshtë:
- Të zvogëlohet sasia e mbetjeve të gjeneruara
- Të maksimizohet riciklimi dhe ripërdorimi
- Të limitohet incenerimi për materialet e pariciklueshme
- Mbetjet në landfill, të ndahen në të riciklueshme dhe të pariciklueshme
- Të sigurohet implementimi i plotë i politikës për menaxhimin e mbetjeve në të gjitha shtetet anëtare të BE-së
Këto të dhëna janë përditësuar së fundmi, më datë 19.02.2018, dhe mund t’i lexoni edhe në anglisht në faqen zyrtare të Komisionit Europian.
Pjesa e parë e deklaratës së Gjiknurit, rezulton të jetë jo e vërtetë, pasi kjo strategji që Bashkimi Europian përdor, nuk ka ndaluar ndërtimin dhe përdorimin e landfillit, por vetëm sugjeron limitimin e tij.
Ndërsa pjesa e dytë e deklaratës rezulton të jetë pjesërisht e vërtetë, pasi në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve në BE (shpjeguar përgjatë të gjithë materialit), përfshihet edhe incenerimi, edhe pse është më pak i përdorshëm. Po sipas së njëjtës strategji, edhe ky proces është kërkuar që ky proces të limitohet.
Ashtu siç shihet edhe nga tabela e mësipërme, incenerimi bën pjesë tek niveli i “Other recovery”, që do të thotë përpunime të cilat lidhen me prodhimin e energjisë ose rikthimi në gjendjen fillestare të mbetjeve.
Landfill-i është një formë e vjetër e përpunimit të mbetjeve, por në Evropë akoma një pjesë e konsiderueshme e shteteve anëtare i menaxhojnë mbetjet nëpërmjet landfill-it, proces ky që ka rënë me 25% që nga viti 1995.
Në vendin tonë ka dy landfill-e, ai i Bushatit dhe i Elbasanit që u inaugurua në prill të vitit të kaluar, së bashku më impiantin e përpunimit të mbetjeve (inceneratorin), ndërsa të gjithë qytetet e tjera kanë vetëm vendgrumbullime të cilësuar jashtë çdo standarti mjedisor (të paktën sipas vëzhgimeve tona). Në këtë aspekt gjykojmë dhe besojmë se do të ishte më e udhës që qeveria e cila ka parashikuar ndërtimin edhe të dy inceneratorëve të tjerë në Fier dhe Tiranë, të trajtonte fillimisht situatën në këto vendgrumbullime.
Në grafikun e mëposhtëm vihet re që Shqipëria ka dyfishuar prodhimin e mbetjeve, e cila në vitin 2015 arriti nivelin më të lartë.
Një ndër arsyet që qeveria kërkon ndërtimin e inceneratorëve është prodhimi i energjisë nëpërmjet djegies së mbetjeve, por duke qenë se Shqipëria ka një nivel të ulët të riciklimit, pothuajse në nivelin 15%, mund t’i jepet më shumë rëndësi riciklimit sesa incenerimit, duke iu përshtatur politikave të BE-së, e cila ka kërkuar që deri në vitin 2020, niveli i riciklimit të jetë 50%.
Duke iu referuar një raporti të publikuar online në faqen e Komisionit Evropian, prodhimi i energjisë nëpërmjet incenerimit shpesh është një mënyrë jo efiçente për menaxhimin e materialeve të përdorura, pasi ato janë pjesërisht të vështira për t’u djegur ose lëshojnë kimikate në një temperaturë të lartë.
Ky raport, inkurajon shtetet e BE-së, të përdorin mënyra për riciklim në vend të incenerimit. me qëllim shmangien e ndotjeve mjedisore.