Gjermania nuk ka shpallur Antifa si grupim terrorist

Propozimi i një dege të AfD dhe jo një politikë e miratuar e Republikës së Gjermanisë

56

Një artikull i botuar më 27 tetor 2025 në portalin mast.al pretendon se Gjermania ka përkufizuar zyrtarisht “Antifa” si grup terrorist të brendshëm.

Artikulli i mësipërm duket se është një përkthim në shqip i një artikulli të botuar më 26 tetor në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch. 

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Artikulli nën titullin e ekzagjeruar raporton se përcaktimi terrorist ishte tema e diskutimit të një partie politike vetëm në një nga 16 shtetet e Gjermanisë:

“Në shtetin më të madh të Gjermanisë, Bavari, Alternativa për Gjermaninë (AfD) e krahut të djathtë do të votojë këtë fundjavë mbi një propozim për ta bërë Antifa-n grup terrorist”

Fundjavën e 25 tetorit 2025, anëtarët e Partisë AfD të ekstremit të djathtë në Bavari deklaruan se Antifa duhet të ndalohet, sipas mediave vendase

“AfD bavareze po bën thirrje për klasifikimin e të ashtuquajturës Antifa si një organizatë terroriste vendase dhe ndalimin e saj të mëvonshëm. Një mocion përkatës u miratua pothuajse unanimisht nga anëtarët e pranishëm,” raportoi Die Zeit.

Megjithatë, ky votim shpreh vetëm mbështetjen e degës bavareze të AfD për një përcaktim të tillë. Kjo nuk përbën një ndalim as në Bavari dhe as në të gjithë Gjermaninë, siç pretendon titulli i artikullit.

Nga një kërkim në listat e grupimeve të ndaluara të Republikës Gjermane dhe materialet e agjencisë së inteligjencës vendase dhe Ministrisë së Brendshme, rezulton se Antifa nuk është etiketuar si organizatë terroriste, sipas raportit të vitit 2024 nga Ministria e Brendshme mbi mbrojtjen e kushtetutës.

Në tetor 2025, anëtarët e AfD në parlament propozuan ndalimin e Antifa, por raportimet nga e përjavshmja “Das Parlament” treguan se propozimi u përball me kundërshtim të fortë nga partitë e tjera. Propozimi i është referuar një komisioni parlamentar, që do të thotë se është një propozim në proces dhe jo një politikë e miratuar e Republikës së Gjermanisë.