BallinaPremtimeEnde gërmadha në Durrës, Ahmetaj shkeli premtimin

Ende gërmadha në Durrës, Ahmetaj shkeli premtimin

INVA HASANALIAJ & JOEL ÇELA

Dy premtime të ministrit të Ridërtimin Arben Ahmetaj për pastrimin e mbetjeve inerte që la pas tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit u verifikuan në terren nga “Faktoje”. 25 dhjetori ishte afati i dhënë nga ministri për heqjen dhe dërgimin e inerteve në zonën e Porto Romanos. Ja si i gjetën Krishtlindjet disa prej zonave në Durrës ku pati ndërtesa të shkatërruara.


Ish ministri i financave dhe tashmë Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj premtoi se intertet që kanë mbetur nga shkatërrimi ose dëmtimi i banesave si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, do të pastroheshin përpara Krishtlindjeve.

Lidhur me këtë çështje ministri Ahmetaj ka bërë dy premtime të njëpasnjëshme.

Më datë 03/12/2019 ai premtoi se brenda Krishtlindjes do të bëhet pastrimi total i territorit nga inertet.

“Qeveria përpos përballimit të emergjencës ka nisur punën për rindërtimin dhe hapi i parë është pastrimi i zonave ku ka rrënoja që janë në të gjitha aspektet pengesë psikologjike dhe ambientale për qytetarët. Brenda Krishtlindjeve do të bëjmë pastrimin total të territorit nga inertet dhe memorja fizike e rrënojave të shkaktuara nga tragjedia e 26 nëntorit”, – deklaroi Ahmetaj.

Më tej ai shtoi se spostimi i të gjitha inerteve do të bëhet në Porto Romano.

Deklaratën e dytë Ahmetaj e bëri më datë 04/12/2019 gjatë një emisioni televiziv në të cilin ritheksoi se qytetet si Durrësi dhe Kavaja do të pastrohen brenda Krishtlindjes.

“Brenda Krishtlindjes do të pastrojmë qytete si Durrësi, Kavaja etj. Do të bëjmë vlerësimin me ekspertë dhe specialistë.”-tha Ahmetaj.

Nisur nga këto dy deklarata “Faktoje” vendosi të verifikojë situatën e inerteve në Durrës në 25 dhjetor, afati i vendosur nga ministri Ahmetaj..

Gjatë verifikimit në terren konstatuam se mbetjet jo vetëm nuk janë pastruar, por në shumë nga bizneset apo pallatet e dëmtuara nuk është vendosur as perimetri i sigurisë, duke shtuar rrezikun për kalimtarët.

Rrënojat e “Vila Palma” ishin të parat që hasëm në qytetin e Durrësi. Në vendin e mbushur me inerte dukej qarte se nuk ishte marrë ndonjë masë për heqjen e tyre. Perimetri i vetëm i sigurisë ishte një  material me përberje plastike të cilin ne e zhvendosëm lehtësisht. Në këtë zonë përveç një grumbulli të madh inertesh, kishte dhe një erë shumë të rëndë.

 

Përreth gërmadhës së “Vila Palma”, e cila nuk përfshihej në perimetrin e rrezikut, kishte dhe shumë xhama të thyer, një rrezik më shumë për kalimtarët. 

Ndalesa e dytë për verifikimin e deklaratës së Ahmetaj, ishte një zonë mes pallatesh në lagjen 13 ku konstatuam situatë të ngjashme. Ndërtesa të dëmtuara dhe interte të papastruara, si dhe pa një perimetër sigurie.

 Zona e “Ish Kënetës” në Durrës është një tjetër hapësirë e papastruar nga mbetjet inerte, të cilat të shpërndara nëpër trotuar pengonin qytetarët. Përveç tullave të thyera dhe copave të betonit, nga rruga nuk ishin hequr ende as valixhet apo rrobat e shpërndara nga qytetarët të cilët kanë braktisur banesat pas tërmetit të 26 nëntorit. Pamja vazhdon të jetë e njëjtë sikurse 30 ditë më parë.

Situata paraqitej e ngjashme edhe në shumë lagje të tjera dhe rrugë kryesore të qytetit. Qytetarë të pyetur nga “Faktoje” thanë se në  ato pjesë ku janë larguar inertet, pastrimi është bërë nga vetë ata.

Nga verifikimi ynë në terren rezulton se janë pastruar intertet në “Hotel Mira Mare”, “Hotel Lubjana” si dhe “Kompleksi Tropikal”. Për këtë të fundit personat përgjegjës me të cilët ne kemi folur na thanë se pastrimi është bërë nga vetë kompleksi.

Hapi ynë i radhës ishte verifikimi në Porto Romano, nëse ishin shkarkuar apo jo mbetje inertesh. Ne konstatuam inerte të hedhura përgjatë rrugës që të çon drejt landfillit, ndërsa nuk u lejuam të hyjmë brenda.

Nisur nga deklaratat e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin  Arben Ahmetaj dhe verifikimit që “Faktoje” bëri në terren, këto premtime do t’i kategorizojmë si të Pambajtura.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img