Një citim i vjetër i ish-liderit libian Muammar Gadafi mbi tregtinë e vaksinave po përdoret në rrjete sociale për të pretenduar se pandemia e Covid-19 ishte e përgatitur më parë nga kompanitë apo elitat botërore. Verifikimi i “Faktoje” rivendos fjalët e Gaddafi në kontekstin e munguar.
——————————————–
Në hapësirat online shqipfolëse po shpërndahet një citat i ish-diktatorit libian, Muammar Gaddafi, duke pretenduar se është shkëputur nga fjala e tij para OKB në shtator të 2011: “Ata do t’i prodhojnë vetë viruset dhe do ju shesin juve “ilaçin” kundërveprues. Pastaj do të bëjnë sikur po i japin kohë vetes për të gjetur zgjidhjen, të cilën ata e kanë gati që më parë.”
Kjo deklaratë po përdoret për të pretenduar se virusi i Covid-19 dhe vaksinimi i popullsisë ishte përgatitur më parë nga kompanitë apo udhëheqësit shtetërore, një teori që mbështetet që prej pandemisë nga grupet kundër vaksinimit.
Si fillim, duhet thënë se Gaddafi nuk ka folur në OKB në Shtator 2011. Pasi rebelët libianë morën kryeqytetin e Tripolit në Gusht 2011, diktatori u tërhoq në vendlindjen e tij Sirte, përpara se të kapej dhe vritej nga forcat rebele në 20 tetor 2011.
Fjalimi i parë dhe i fundit i Gadafit në OKB është ai në 23 shtator 2009, në mbledhjen e përgjithshme të 64-t të OKB. Fjalimi i tij zgjati 90 minuta nga 15 të tilla të lejuara në kohën e folësve të ansamblesë.
Në zbardhjen e fjalimit të tij të plotë, citati që po qarkullon në internet nuk figuron.
Megjithatë, Gaddafi foli për virusin H1N1, duke thënë se “ndoshta gripi H1N1 ishte një virus i krijuar në një laborator që doli jashtë kontrollit, pasi përdorimi i tij i vërtetë ishte si një armë.”
Sa i përket viruseve dhe vaksinave, Gaddafi tha përpara OKB se ilaçet dhe vaksinat duhet të jenë falas në gjithë botën, dhe kritikoi “kompanitë kapitaliste” që përfitojnë nga shitja e këtyre domosdoshmërive jetike.
Deklarata e plotë e Gaddafit ishte:
“Sot është gripi i derrave. Ndoshta nesër do të jetë gripi i peshqve, sepse nganjëherë ne prodhojmë viruse duke i kontrolluar. Eshtë një biznes komercial. Kompanitë kapitaliste prodhojnë viruse që të prodhojnë dhe shesin vaksinime. Kjo është shumë e turpshme dhe jo etike. Vaksinat dhe ilaçet nuk duhet të shiten. Në Librin e Gjelbër [libri në të cilën Gaddafi shtroi teoritë e tij politike], unë i qëndroj mendimit se ilaçet nuk duhet të shiten apo ti nënshtrohen komercializimit. Ilaçet duhet të jenë falas dhe vaksinat duhet tu jepen falas fëmijëve, por kompanitë kapitaliste prodhojnë viruse dhe vaksina dhe duan të përfitojnë. Pse nuk janë këto falas? Ne duhet t’i japim falas, jo t’i shesim. E gjithë bota duhet të synojë të mbrojë njerëzit, të krijojë dhe prodhojë vaksina dhe t’ia japi falas fëmijëve dhe grave, dhe jo të përfitojë prej tyre.”