Fushata për diasporën, premtime të përcipta dhe patriotizëm emocional  

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, po përdorin qasje të ndryshme për diasporën

70

Nga Sebi Alla Pas një procesi të gjatë, shpesh me shumë probleme teknike dhe vështirësi në plotësimin e dokumentacionit, rreth 246 000 emigrantë shqiptarë u regjistruan si votues për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit. Të gjithë subjektet politike, përfshi edhe partitë e reja, kanë zhvilluar disa takime në diasporë, veçanërisht në Greqi, Itali dhe Gjermani, tre nga shtetet që regjistrojnë numrin më të madh të emigrantëve.

PS

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime në diasporë, duke e shtrirë narrativën e tij kryesisht në funksion të fushatës me moton se me PS dhe Ramën shtetasit shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit kanë rritur prestigjin. Në takimet e javëve të fundit në diasporë, Rama është munduar që të sigurojë pjesëmarrje të madhe, krijim entuziazmi dhe nxitje për të votuar. Në fjalimet e kryeministrit përballë emigrantëve, hapësirën kryesore e zë “motoja kryesore” e fushatës së ngritur mbi premtimin e “pasaportës europiane”, një ligjërim i vazhdueshëm politik dhe thelbi i fushatës elektorale të PS-së. “Kijeni parasysh që pasaporta shqiptare e BE është njësoj si pasaporta greke e BE. Me pasaportën shqiptare të BE ju mund të qëndroni këtu, mund të punoni, mund ta transferoni këtu çdo të ardhur nga pensioni atje dhe ndërkohë shteti këtu duhet dhe ju njeh që në momentin që merrni pasaportën, pensionin për punën që keni bërë këtu”, tha Rama, në një takim të mbajtur me shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Kretë të Greqisë. Duke përdorur “pasaportë europiane” , Rama synon të lidhë një simbol të fortë për shqiptarët në emigracion, që lidhet jo vetëm me identitetin në këtë rast, por edhe përfitimet konkrete që ata mund të marrin. Duke i mëshuar optimizmit, Rama siguron gjithashtu edhe mbështetje emocionale, jo vetëm racionale. Premtimin mund ta konsiderojmë edhe një teknikë të zakonshme propagandistike sa kohë që (deri tani) askush nuk jep garanci që kjo do të realizohet në vitin 2030 (siç ka premtuar rëndom kryeministri) edhe pse gjatë atij takimi Rama nuk preku afate apo plan konkret.

PD

Nëse fushata e PS-së është përqendruar në simbolikën dhe premtimin për “pasaportën europiane” por pa data dhe shpjegim konkret sesi do të arrihet, PD dhe Berisha kanë një tjetër qasje me diasporën. Në qëndrimet e tij Berisha bën përgjegjës Ramën për largimin masiv të shqiptarëve. “11 maji është dita e tyre dhe fundi yt. Më 11 maj do vërshojnë nga deti dhe toka e ajri në Shqipëri. Shqiptarët i lindin nënat për të luftuar për liri, për t’i dalë zot Shqipërisë. Prite diasporën Edi Rama, nuk ke vend mbi tokë”, tha Berisha, në një takim të mbajtur me shqiptarët e diasporës në Napoli të Italisë. Në ligjërimin e Berishës, Rama paraqitet si shkaktari i drejtpërdrejtë i largimit masiv të shqiptarëve. Me fraza të tipit si “11 maji është dita e tyre dhe fundi yt” dhe “prit diasporën… nuk ke vend mbi tokë”, Berisha synon ta trajtojë pjesëmarrjen në votim si një betejë “për jetë a vdekje politike”

Lista

Partia Demokratike përzgjodhi shtatë kandidatë për deputetë si përfaqësues të diasporës, por që të gjithë në listat e hapura, çka ua vështirëson mundësinë që të sigurojnë një vend në Kuvend. Edhe Partia Socialiste nuk e pa të arsyeshme për të pasur në listat e saj disa përfaqësues të diasporës, duke u mjaftuar vetëm dy, një në listën e mbyllur dhe një tjetër në listën e hapur.  Pavarësisht numrit të prej 246 000 votuesish nga diaspora, vota e tyre do ndahet në 12 qarqe të vendit.

Programet e përcipta PS-PD

Në platformën programore, mbi realizimet dhe atë që premton në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste nuk ka program specifik për diasporën, duke përfshirë në tërësi të platformës disa fraza, me thirrjen që emigrantët të investojnë në Shqipëri, kryesisht në agroturizëm. Ndërsa si arritje në qeverisjen e saj të mëparshme, PS përmend njohjen e patentave në disa shtete dhe marrëveshjet për pensionet, e realizuar vetëm me Italinë. “Kemi sjellë 52 shërbime online për diasporën, kemi hapur dyert e 126 vendeve pa viza për shqiptarët dhe kemi nënshkruar marrëveshje që patentat shqiptare të njihen në 11 shtete, për t’ua bërë jetën më të lehtë bashkëkombësve tanë kudo që janë”, thuhet në programin e PS-së. Ndërsa si premtime për katër vitet e ardhshme, PS përmend diasporën në disa sektorë, por jo specifikisht si nëndarje programore. “Transformojmë përmes digjitalizimit shërbimet e punësimit, me një sistem të zgjuar për orientimin e karrierës dhe një platformë të veçantë për emigrantët që duan të rikthehen e të punojnë në Shqipëri”- citohet në program. Një tjetër pikë, por pa të dhëna konkrete mbi mënyrën e realizimit përfshihet edhe fjalia: “Intensifikojmë marrëdhëniet me diasporën, duke e shndërruar atë në një forcë zhvillimi për Shqipërinë”.

Pikat

Partia Demokratike dhe koalicioni “Shqipëria Madhështore”, prej dhjetë ditësh ka paraqitur një program më konkret e ndarë në pesë pika kyçe. Edhe në këtë program tre pika cilësohen si të prekshme, ndërsa dy të tjera janë derivate të përgjithshme. “Zero taksa për 5 vite për çdo emigrant që kthehet dhe investon në Shqipëri”-është premtimi i parë në program, ndërsa si pikë të dytë citohet: “Strehim i lehtësuar për familjet që kthehen dhe vendosen në Shqipëri” dhe “Njohje dhe lehtësime të diplomave dhe përvojës profesionale të fituar jashtë vendit”.

Të tria pikat programore cilësohen premtime konkrete, ndërsa dy frazat e tjera si: “Paga dinjitoze dhe mundësi punësimi për të garantuar jetë të qëndrueshme dhe shpresë për të ardhmen; dhe “Rikthimi i emigrantëve si prioritet qeveritar dhe pjesë e planit për ripopullimin e vendit”- nuk shoqërohen me projekte specifike sesi do të realizohet qëllimi për paga dinjitoze dhe ripopullimi i vendit.

Realiteti

Por si qëndron realiteti i deritashëm përballë premtimeve? Ndërsa palët shpresojnë që diaspora të bëjë ndryshimin, premtimet dhe programet politike për ta mungojnë, ose janë sipërfaqësore dhe nuk prekin thelbin e shqetësimeve që kanë shtetasit tanë që jetojnë jashtë vendit. Gjithashtu përfaqësimi i tyre në Parlamentin e ardhshëm do të jetë minimal. Në takime të ndryshme dhe qëndrime publike nga shoqata dhe organizata që përfaqësojnë diasporën shqiptare, si çështje shqetësuese ngrenë mungesën e shkollave shqipe. Fëmijët e emigrantëve po harrojnë gjuhën dhe ky mbetet fenomen shqetësues. Pika tjetër është largësia e Ambasadave dhe Konsullatave. Ata kërkojnë hapjen e disa konsullatave sidomos në qytete ku komuniteti shqiptar është në numër të lartë. Ankesa të shumta vijnë edhe për Ambasadorë, konsuj dhe përfaqësues të tjerë të ambasadave shqiptare në botë të cilët i konsiderojnë si të shkëputur nga problemet e emigrantëve shqiptarë. Pajisja me dokumentacione të ndryshme për rinovimin e lejeve të qëndrimit cilësohet gjithashtu shqetësim serioz, pasi nuk mundin të marrin në kohë shërbimin e duhur sidomos në konsullata, duke u rrezikuar ripërtëritjen e dokumentave të leje-qëndrimit të emigrantëve shqiptarë në vende të ndryshme të Europës.

Projeksionet

Ndërkohë, referuar shifrave të përpunuara më herët nga Faktoje, PS-ja mund të sigurojë mandate shtesë në Elbasan, Dibër dhe Tiranë, ndërsa PD-ja mund të përfitojë në Shkodër, Berat, Gjirokastër dhe  Vlorë. Deri më tani, sipas përllogaritjeve paraprake mund të flasim vetëm për tre mandate të sigurta që mund të ofrojë vota e diasporës edhe pse rregjistrimi për të votuar është i konsiderueshëm