.

.

BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriFund mësimit me turne, një premtim ‘serial’ i pambajtur gjatë mandateve

Fund mësimit me turne, një premtim ‘serial’ i pambajtur gjatë mandateve

Çështja e arsimit me turne në Tiranë nuk ka marrë ende zgjidhje, ndonëse kjo u premtua 5 vite më parë nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Këtë vit situata duket edhe më shqetësuese, pasi prindërit tregojnë për Faktoje se fëmijët e tyre duhet të qëndrojnë në mësim deri në orën 19:00. Pak ditë më parë, edhe kryeministri Edi Rama e pranoi publikisht se një pjesë e shkollave në Tiranë ende nuk plotësojnë standardet për shkak të mësimit me turne, ndërsa kryebashkiaku Veliaj në ditën e parë të shkollës, sërish premtoi për ndërtimin e shkollave të reja në kryeqytet.

5 vite më parë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se do t’i jepej fund njëherë e mirë mësimit me dy turne në Tiranë.

“Ne do të fillojmë edhe 16 shkolla të tjera për t’u siguruar që përfundimisht e mbyllim çështjen e arsimit me dy turne në qytetin e Tiranës”, theksoi Veliaj në shtator të 2017-s.

Por, si është situata këtë vit shkollor? Faktoje bisedoi me prindër të fëmijëve në disa shkolla në Tiranë, “Emin Duraku”, “Edith Durham” dhe shkollën “17 Shkurti” në Qesarakë.

Duket se situata sivjet është edhe më problematike, sidomos për nxënësit e shkollës “Emin Duraku” në zonën e Bllokut dhe “17 shkurti” në Qesarakë, pasi fëmijët duhet të qëndrojnë në mësim deri në orën 19:00.

“Fëmija im është në klasën e dytë dhe e ka mësimin në darkë. A është normale që fëmja 7 vjeçe të dalë nga shkolla natën?! Turni i pasdites më pengon shumë, sepse ku do e lë fëmijën gjatë paradites, unë dhe im shoq jemi në punë”, tregon e shqetësuar nëna e vajzës, ndërsa djali mëson në klasën e 4-t. Më tej shton se shkak për këtë problem është bërë fakti që nuk kanë përfunduar punimet për ndërtimin e shkollës së re në zonën e Freskut.

Të njëtin shqetësim ndan edhe nëna e dy fëmijëvë në shkollën “Emin Duraku”. “Kam dy fëmijë në shkollën ‘Emin Duraku’ dhe aktualisht janë zhvendosur në ambientet e shkollës ‘Vasil Shanto’. Djali mbaron mësim në orën 18:10, vajza në orën 19:00. Për mua si prind është shumë ë vështirë të arrij t’i çoj dhe t’i marr. Vetëm të lë punën, që të merrem me fëmijët, sepse në ato orare nuk është askush në dispozicion. Ora 7 e pasdites është shumë vonë, tani që nis dimri do jetë shumë problem për mua si prind, por edhe për fëmijët”, tregon E.M. nënë e dy fëmijëve.

Në dhjetor të vitit 2019, prindërit e nxënësve në shkollën “Emin Duraku” kërkuan rikonstruksionin e saj, pasi godina kishte pësuar dëme të mëdha për shkak të tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Prindërit bëjnë të ditur se edhe në shkollën “Edith Durham” mësimi do të vijojë të jetë më turne. Klasat 3-4-5 do të zhvillojnë mësim pasdite, duke nisur nga ora 12:30-16:35.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës më 12 shtator, ku ndër të tjera e pyetëm në sa prej shkollave në kryeqytet po zhvillohet mësimi me turne. Jemi në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion, duke zbatuar afatet për të drejtën e informimit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 12 shtator 2022

Në mars të vitit 2021, kryeministri Edi Rama u zotua se në mandatin e tretë do t’i jepet fund mësimit me dy turne.

“Mandati i tretë do të sjellë më në fund fundin e mësimit me dy turne për shkak të mungesës së klasave në Shqipëri”, theksoi Rama një vit më parë.

Por në muajin shtator të këtij viti, kreu i qeverisë e pranoi se një pjesë e shkollave në Tiranë ende nuk plotësojnë standardet për shkak të mësimit me turne.

Ndërkohë në ditën e parë të shkollës, kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, foli sërish për 12 shkolla të reja në Tiranë, por mësmi me turne rikthehet si fenomen edhe sivjet.

Një vit më parë, Faktoje ngriti shqetësimin e mësimit me turne, problem i cili duket se do të zgjasë edhe për disa vite.

Ekspertët shprehen se mësimi me turne nuk është produktiv, pasi në mbrëmje fëmijët shkojnë të lodhur në shtëpi dhe paradite prindërit janë në punë kështu që nuk mund t’i ndihmojnë me detyrat.

Rreth 450 mijë nxënës, prej të cilëve 70 mijë në kopshte, 280 mijë në arsimin 9-vjeçar dhe 100 mijë në gjimnaze u ulën në bankat e shkollave këtë të hënë dhe një pjesë e mirë e tyre, sërish po i nënshtrohen mësimit me turne.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img