Një komunikim zyrtar që nisi në shkurt të këtij viti, me kërkesën për informacion drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit për shpenzimt e rindërtimit, përfundoi këtë të hënë me një vendim gjykate, që në thelb i jep të drejtë Faktojes, edhe pse pala e paditur ishte Komisioneri i të Drejtës për Informim. Edhe pse dërgimi në gjyq i këtyre çështjeve njihet si një truk që institucionet përdorin për të zvarritur informacionin, vendimi i fundit i gjykatës shënon një hap të ri në qasjen pozitive ndaj medias dhe transparencës.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit e humbi gjyqin ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili e kishte detyruar të vinte në dispozicion të Faktojes informacionin e kërkuar mbi procesin e rindërtimit (lexo këtu përmbajtjen e kërkesave).
Pikërisht kjo vendimmarrje e komisionerit, u bë shkak që FSHZH, agjencia që menaxhon dhe zbaton projektet për mbi 1400 kantiere ndërtimi në zonat e goditura nga tërmeti, ta padiste Komisionerin në Gjykatën Administrative për vendim të njëanshëm.
Seanca e parë për kërkesë padinë, u zhvillua në 23 shtator në Gjykatën Administrative, nga gjyqtarja Arbena Ahmeti. Faktoje, ishte palë e tretë në këtë çështje, por në mungesë të pranisë së gazetarit Joel Çela, i cili ka pasur edhe komunikimin zyrtar me dy institucionet (FSHZH-në dhe Komisionerin e të Drejtës për Informim), gjykatësja nuk lejoi në sallë asnjë përfaqësues të Faktojes, për të ndjekur procesin as në rolin e përfaqësuesit të medias dhe as si publik.
Faktoje madje iu drejtua gjykatës edhe me një kërkesë, që gazetaret e saj të ndiqnin si media këtë proces, por edhe kjo kërkesë u refuzua.
Kërkesa e Faktoje drejtuar gjykatës në 23 shtator, për të ndjekur seancën si media
Përgjigja e ardhur nga gjykata, e cila refuzon pjesmarrjen në gjykatë të gazetarëve të Faktoje
Pavarësisht këtij refuzimi, Faktoje priti në dyert e gjykatës përfundimin e seancës së dytë mbajtur në 27 shtator, ku u vendos rrëzimi i kërkesë padisë së FSHZH kundër Komisionerit për të drejtën e Informimit, që përfaqësohej në këtë proces nga zonja Silvana Sata.
Salla ku u zhvillua seanca gjyqësore
Ky vendim, është një fitore në rrugëtimin e nisur nga Faktoje në nxitjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike apo subjekteve që menaxhojnë paratë e taksapaguesve shqiptare, siç është në këtë rast Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky i fundit, sipas praktikës, ka në dispozicion 15 ditë kohë për të apeluar ‘humbjen’ e pësuar në shkallën e parë. Nga ana tjetër vijimi i procesit në Gjykatën Administrative të Apelit, zvarrit dhënien e informacionit të kërkuar, ashtu siç ka argumentuar më herët avokatja e qendrës Respublica, Irena Dule për Faktojen:
“Në përgjithësi e drejta e informimit nuk respektohet nga organet publike, sidomos kur informacioni që kërkohet është sensitiv. Në parim nuk ka asnjë problem që zyra e Komisionerit të dërgohet në gjyq për një vendim që konsiderohet i padrejtë apo që cënon një interes tjetër, por dërgimi i këtyre çështjeve para gjykatës ka për qëllim vijimin e veprimtarisë në mungesë transparence, pasi për sa kohë gjyqi zgjat, Vendimi i Komisionerit nuk mund të zbatohet dhe informacioni pengohet. Pra, dërgimi në gjyq mbetet një truk për të fituar kohë deri sa informacioni të mos ketë më interes as për gazetarin e as për publikun.”
Megjithatë, vendimi i fundit shënon një tjetër hap të në qasjen pozitive të gjykatës ndaj medias. Kujtojmë se Faktoje, në shtator të vitit të kaluar ngriti padi ndaj institucioneve kryesore shtetërore, ministrive, kryeministrisë, presidencës dhe Kuvendit, të cilat refuzuan të dërgonin faturat e shpenzimeve të titullarëve në udhëtimet zyrtare jashtë vendit.
Pak muaj më pas, Faktoje fitoi gjyqin me shumicën e institucioneve të paditura, një pjesë e të cilëve vunë në dispozicion dokumetat e kërkuara, ndërsa janë në proces në Gjykatën Administrative të Apelit institucionet e mbetura. Ndërkohë që Presidenca vazhdon rezizstencën kundër transparencës edhe pse Zyra e Përmbarimit po kërkon, në respekt të vendimit të gjykatës, vënien në dispozicion të faturave me shpenzimet e titullarit në vizitat jashtë vendit për periudhën janar 2018-qershor 2019.