Autore: Alkida Vlesha

Prej tre dekadash, banorët e fshatit Brest i Poshtëm ndihen të zhgënjyer dhe të lënë pas dore nga strukturat shtetërore. Pavarësisht premtimeve të përsëritura nga politikanë të të gjitha krahëve, rruga kryesore e fshatit nuk është asfaltuar dhe mungojnë kanalizimet.  

Fshati Brest i Poshtëm në Dibër është lënë në harresë. Banorët thonë se në 3 dekada, aty nuk është kryer asnjë investim, duke kërkuar që të bëhen kanalizimet dhe të asfaltohet rruga. Ata ndihen të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura dhe thonë se janë lënë pas dore nga të gjitha qeveritë që kanë qenë në pushtet.

Ramadan Persekuthotë se prej 30 vitesh, politikanët, si të majtë dhe ata të djathtë kanë premtuar asfaltimin e rrugës, por deri më tani nuk është bërë asnjë investim.

“Në 30 vjet demokraci, ka fituar PS, ka fituar PD, por për fshatin e Brestit të Poshtëm nuk është bërë asgjë, asnjë lopatë dhe nuk është hedhur. Kemi kërkuar herë pas here, kur ishte në pushtet Partia Socialiste, na premtonin dhe në fund merrnin votat dhe ajo punë nuk kryhej.

Vinte PD, e kemi ngritur problem rrugën dhe ujërat e zeza, u qelbëm prej ujërave të zeza. Prapë nga premtuan edhe tani që e mori PS në fund, që 12 vjet dhe kanë mbetur vetëm premtime. Më i varfër, më i prapambetur në të gjithë Shqipërinë është fshati i Brestit të Poshtëm”, ngre shqetësimin i moshuari.

Një tjetër problem shqetësues është sistemi i ujërave të zeza, i cili jo vetëm që ndikon negativisht në jetesën e përditshme, por përhap edhe sëmundje. Banorët theksojnë se ky problem është raportuar vazhdimisht në bashki, por ende nuk ka zgjidhje konkrete.

“Problem në Brest të Poshtëm që e kemi ngritur prej vitesh janë sistemi i ujërave të zeza. Janë bërë problem në bashki dhe në të gjitha drejtimet, por kërkush nuk ka çarë kokë për këtë punë. Mbetemi me shpresë ishalla po na i rregullojnë, sepse na i kanë premtuar për 2025. Ky është problem kryesor, sepse ujërat e zeza përhapin sëmundje te fëmijët dhe te të gjithë ne”, thekson Rustem Haka, banor i fshatit.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Përparim Laçi, i cili kërkon kushte për të jetuar në fshatin Brest i Poshtëm.

“Në fshatin tonë nuk ka pasur investime prej një kohe të gjatë. Duhen bërë kanalizimet dhe asfaltimi i rrugës. I kemi kërkuar që të bëhen, sa do realizohen nuk e dimë”, thotë ai.

Thirrja e banorëve: Na duhen kushte, jo premtime

Banorët e Brestit të Poshtëm shprehen të lodhur nga premtimet boshe, ndaj kërkojnë veprime të menjëhershme. Ata kërkojnë asfaltimin e rrugëve dhe krijimin e një sistemi kanalizimesh për ujërat e zeza, duke theksuar se këto janë kërkesa bazike për një jetë normale.

“Kërkojmë që të bëhet rruga dhe te ne, që të bashkohemi me fshatrat e tjerë, të kemi kanalizime, asfalt. Nuk hyjnë shoferët në fshat me të ardhur e me të marrë nëse ke ndonjë problem, ndonjë hall dhe duhet të shkosh në spital. Thonë nuk hyn makina atje. Dhe një torbë miell me e marrë duhet ta mbash në shpinë, prej te komuna në fshatin e Brestit të Poshtëm”, thekson Ramadani.

Madje, ai propozon që të bojkotojnë zgjedhjet e 11 majit, nëse situata nuk ndryshon.

“Unë kam qenë i mendimit, që t’u them shokëve, kur të bëhen zgjedhjet në maj, asnjë të mos marrë pjesë në mbledhje, asnjë të mos votojë, se na kanë mbushur me rrena”, apelon i moshuari.

*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri. 

Mentore: Ilda Hoxha