.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFranca nuk vendosi vaksinimin e detyrueshëm ndaj virusit HPV

Franca nuk vendosi vaksinimin e detyrueshëm ndaj virusit HPV

Franca nuk ka vendosur vaksinimin me detyrim të fëmijëve dhe të rinjve kundër HPV, siç pretendohet nga portalet. “Faktoje” verifikoi se Macron ka shpallur një fushatë të gjerë vaksinimi në shkolla, por gjithçka do të bëhet me pëlqim nga prindërit.

————————————————-

Më 2 mars, portalet kanë publikuar një artikull ku flitet për një vendim të presidentit francez, Emmanuel  Macron për vaksinimin e detyrueshëm kundër HPV. Portali përdor një titull “bombastik”, si karrem për të tërhequr klikime.

Franca gati për vaksinim me detyrim’-Vendimi i Macron frikëson Evropën…”- shkruan portali Patriotik Media.

Screenshot, artikulli i portalit Patriotik Media

Më tej në tekst thuhet: “Franca ka vendosur t’i shpallë luftë Papillomavirusit. Macron merr vendimin duke frikësuar Evropën, ai zgjodhi ta bënte me mjete që ndezën menjëherë alarmin te qytetarët, të cilët së fundmi kishin dalë nga makthi i koronavirusit dhe tani janë tmerruar nga ideja e imponimeve të reja në shëndetësi”.

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të artikullit, nisur nga interesi dhe impakti që kanë lajme të tilla në jetën e qytetarëve. Ne bëmë një kërkim në Google, duke iu referuar burimeve serioze dhe të besueshme të informaconit. Referuar mediave franceze, Macron ka shpallur një fushatë të gjerë vaksinimi në kolegje ditët e fundit duke e prezantuar si një politikë të re të qeverisë. Mirëpo, në fjalën e mbajtur, presidenti francez theksoi se vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm.

Kjo është lehtësisht e kuptueshme edhe në videon që shoqëron artikullin e  Patriotik Media, ku Macron thotë gjatë fjalës së tij shprehimisht: “Pëlqimi prindëror do të jetë i nevojshëm dhe vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm”.

Screenshot, pjesë nga fjalimi i Macron ku theksohet që vaksina nuk do të jetë e detyrueshme

deklaratën publike në 7 mars, u prezantua nisja e një fushate të përgjithshme vaksinimi kundër papillomavirusit njerëzor (HPV) në shkollat e mesme nga klasa e 5-të, që do të fillojë në shtator. Risi në politikën e re të Francës është ndryshimi normativ që vaksina të kryhet edhe nga farmacistë e infermierë, në mënyrë që të lehtësojë fluksin dhe radhët.

Vaksinimi HPV është përfshirë së fundi edhe në kalendarin e vaksinave nw Shqipwri. Në muajin dhjetor, Faktoje zhvilloi intervistë me mjekë gjinekologë, të cilët sqaruan: “Infeksionet nga HPV, të transmetueshme nëpërmjet marrëdhënies seksuale, shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, vulvës, penisit, anusit, fytit si dhe lythat genitale. Bazuar në të dhënat e marra për 15 vite që kjo vaksinë është përdorur në vendet e tjera, kemi sigurinë që vaksinimi parandalon infektimin nga viruset e HPV deri në 99%.  Për shkak se vaksina parandalon infeksionet që shkaktojnë tumore, midis grave të vaksinuara përqindja e gjendjeve prekanceroze ka rënë me 40-50%.”

Në studimet e publikuara prej saj konstatohet se qëkur vaksinimi HPV u rekomandua për herë të parë në vitin 2006, infeksionet me lloje HPV që shkaktojnë shumicën e kancereve dhe lythave gjenitale kanë rënë me 88% tek vajzat adoleshente dhe 81% tek gratë e reja. Vaksinimi kundër HPV ka reduktuar edhe numrin e rasteve të parakancerozës së qafës së mitrës tek femrat e reja.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img