Pretendimi: Macroni dhe komunistët kanë vjedhur zgjedhjet ne Francë
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Vendimi i Presidentit Macron për të shpërbërë parlamentin dhe deklarimin e zgjedhjeve të parakoheshme shkaktoi pasiguri dhe panik, sidomos pasi koalicioni i të djathtës ekstreme e Marine le Pen fitoi rreth 34% te votave në roundin e parë.
Megjithatë, në mediat shqiptare kanë qarkulluar pretendime të pabaza mbi fitoren nominale të koalicionit të majtë në Francë në raundin e dytë. Disa prej tyre vijnë si pasojë e keqkuptimit të sistemit politik në Francë. Të tjera, janë pjesë e propagandës së ekstremit të djathtë për të deligjitimuar rezultatet e zgjedhjeve.
Si fillim, ekziston pretendimi se Fronti Popullor është një koalicon partish komuniste apo të ekstremit të majtë. Kjo nuk është e vërtetë. Fronti i Ri Popullor përbëhet nga tetë grupime politike, duke përfshirë edhe Partinë Komuniste franceze, e cila nuk ka qënë kurrë në pushtet. Fronti përfshinë edhe Partinë Socialiste (që në Francë konsiderohet e qendrës së majtë), si dhe Partia e Gjelbër. Fronti u organizua në mënyrë të shpejtë nga e majta franceze kur Macron deklaroi zgjedhjet e parakohëshme si një aleancë për t’i bërë ballë dhe ndaluar esktremin e djathtë.
Për më tepër, pavarësisht aleancës me Partinë Komuniste, programi i propozuar nga Front i Ri Popullor, nuk është i ekstremit të majtë. Analistë politik francez e kanë analizuar programin me thellësi, duke vënë në dukje se ai është një program kompromisi dhe larg nga të qenit radikal. Edhe grupimi “La France Insoumise,” që është një parti me bindje të forta të majta nuk mbështet politika radikale si heqja e pronës private, apo shtetëzimi i të gjitha industrive apo shërbimeve. Artikulli e përkthen titullin e partisë “La France Insoumise” si “Franca e pabindur,” kur në fakt përkthimi i saktë ështe “Franca e panënshtruar.”
Së dyti, artikulli pretendon se Macron “ia shiti” Francën komunistëve, duke bashkëpunuar me Frontin Popullor për të mbajtur jashtë Frontin Kombëtarë të Marine le Pen. Ky pretendim vjen nga një keqkuptim rrënjësor i sistemit politik francez. Zgjedhjet në Francë, si ato presidenciale dhe ato legjislative, zhvillohen në dy turne: nëse përgjatë turnit të parë një kandidat arrin të fitojë mbi 50% të votave, ai ose ajo zgjidhet menjëherë si deputet ose president. Nëse asnjë kandidat nuk e kap këtë prag, gjë që ndodh shpesh në Francë për shkak të sistemit multipartiak, atëherë kalohet në një raund të dytë. Në raundin e dytë, fiton kandidati me më shumë vota, pavarësisht përqindjes.
Pas roundit të parë, Front i Ri Popullor i kërkoi kandidatëve, të cilët nuk kishin dalë të paktën në vend të dytë, të tërhiqeshin nga gara që të mos ndanin votën midis të majtëve dhe partisë së qendrës së presidentit Macron (Ensemble).
Ky vendim u bë me besimin (e justifikuar pas rezultateve) se ato vota do të shkonin tek partia e presidentit Macron (Ensemble). Një vendim të ngjashëm morën dhe shumë prej deputetëve të partisë së Macron me të njëjtën logjikë. Në fakt, që pas Luftës së Dytë Botërore, Franca ka një histori të gjatë mobilizimi kundër të djathtës ekstreme, gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve. Përshembull, në zgjedhjet presidenciale të 2022, ku Macron u rizgjodh president, në turnin e parë, Le Pen e të djathtës ekstreme fitoi 23.2% të votës, ndërkohë që Macron mori 27.9% (Melonchon i France Insoumise fitoi 22%). Në raundin e dyte dhe përfundimtar, Macron fitoi me 58.55% të votave.
Edhe përse nuk fituan një shumicë në parlament, partia e Le Pen pati përsëri një fitore të konsiderueshme me 142 vende në parlamentin francez, ndërkohë që diskutimet midis Frontit Popullor dhe Macron për krijimin e një qeverie të re kane ngecur pa një zgjidhje të dukshme. Në përgjithësi, edhe përse Fronti Kombëtar i Le Pen nuk arriti fitoren e madhe që priste, partia e saj është rritur me ritme të qëndrueshme dhe e ardhmja është ende e hapur.