Pretendimi: Kjo foto në largësi e kullave të Çikagos tregon se toka nuk është sferike
Verdikti: Mungon konteksti
Vjolanda Peca
Prova më e fundit që vë në dyshim formën e rrumbullakët të Tokës në rrjetet sociale është një foto e ndërtesave të larta të qytetit të Çikagos në ShBA nga një largësi prej rreth 53 miljesh.
Kjo foto është shpërndarë duke ngritur pyetjen “Nëse toka është glob, a nuk duhej që këto objekte të mbuloheshin nga kurbatura e Tokës?”.
Fotoja është bërë nga dy të rinj, Joshua Super dhe Shalee Blackmer, rreth 9 vite më parë, ndërsa po qëndronin në Parkun Shtetëror Warren Dunes të Michiganit. Ata vunë re figura të çuditshme drejtkëndëshe që shfaqeshin në horizont dhe shpejt kuptuan se ato ndërtesa ishin pjesë e qytetit të Çikagos, rreth 60 milje larg.
Postimi të rinjve ne Reddit
Efekti i çuditshëm që kapën të rinjtë është produkt i një gjendjeje të veçantë atmosferike të quajtur “mirazh superior.” Një mirazh superior ndodh kur ka një përmbysje të temperaturës; ajri nën vijën e shikimit është më i ftohtë se ajri mbi të. Kur rrezet e dritës kalojnë nëpër këtë inversion të temperaturës, ato përkulen poshtë për shkak të dendësisë më të lartë të ajrit të ftohtë, duke rezultuar në një imazh të përmbysur që duket sikur fluturon mbi pozicionin e tij aktual.
Distanca nga parku shtetëror Warren Dunes është rreth 53 milje përtej liqenit në Çikago.
Ndonjëherë, objektet poshtë horizontit mund të bëhen të dukshme. Në këtë rast, lakimi optik ishte më i fortë se lakimi i sipërfaqes së Liqenit Michigan, duke e bërë të mundur që të shiheshin ndërtesat e qytetit nga ana tjetër e liqenit.
Fotografia ka ngjallur interes të madh dhe debat në rrjetet sociale, ku shumë njerëz janë mahnitur nga ky fenomen i rrallë dhe kanë kërkuar shpjegime mbi mundësinë e tij.
Një astronom dhe ekspert i mirazheve nga Universiteti Shtetëror i San Diegos, Andrew T. Young, shpjegoi këtë fenomen të rrallë dhe sipas tij, mirazhet superiore nuk janë të pazakonshme në këtë kohë të vitit, kur ajri po ngrohet, por liqenet janë ende të ftohtë nga dimri.
“Ajri zakonisht nuk është mjaft i pastër për të bërë mirazhin të dukshëm në këtë distancë të madhe; kështu që qartësia e ajrit është ndoshta faktori më i pazakontë në rastin e fotografisë mbi liqen. Është gjithashtu ndihmuese që dielli që po perëndon po ndriçon retë e larta në qiell përtej Çikagos, kështu që ndërtesat janë siluetë kundër qiellit të ndriçuar të perëndimit”, shpjegoi Young.
Këto diagrame të përkuljes së rrezeve janë vizatuar nga Dr. Andrew T. Young i Universitetit Shtetëror të San Diegos. “Hobs” do të thotë “Lartësia e Vëzhguesit”.
Pra, janë kushtet atmosferike që kanë bërë të mundur që imazhi të shihej në atë mënyrë, jo për shkak të mungesë së kurbaturës së tokës.
Nuk duhet mohuar gjithashtu edhe cilësia e lenteve të aparateve fotografike, të cilat kanë arritur nivele tepër të larta profesionale edhe për përdoruesit amatorë.