Pretendimi: Pajisja në këtë foto shkakton uragane, tërmete, stuhi dhe thatësirat që më pas quhen ‘ndryshimi i klimës’ nga “elita.”
Verdikti: E pavërtetë
Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon foto e një pajisjeje gjigande, me pretendimin se ajo është përgjegjëse për një sërë fenomenesh të cilat i atribuohen ndryshimit klimaterik si stuhitë, tërmetet dhe thatësirat.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se pajisja e mësipërme është pjesë e një radari të llojit SBX.
Më tej, duke kërkuar në rrjet për radarë SBX, Faktoje gjeti foto të një strukture të ngjashme ngjyrë gri duke u transportuar nga një vinç gjigand.
Sipas përshkrimit që e shoqëron, foto tregon “radarin detar SBX, një komponent kyç i programit tokësor të mbrojtjes me rreze të mesme të Agjencisë amerikane për Mbrojtjen nga Raketat, duke u ngritur për t’u integruar në platformën e tij detare në Corpus Christi, Texas.”
Në 4 prill 2005, Boeing deklaroi se“ekipi i industrisë së Radarëve X-Band me bazë deti (SBX) të udhëhequr nga Boeing ka integruar radarin SBX në platformën e tij të detit në Corpus Christi, Texas.”
Pajisja në fjalë shfaqet edhe në një libërth mbi historinë e radarit SBX, të botuar nga Agjencia amerikane për Mbrojtjen nga Raketat (MDA).
“15 tetor 2004, skuadra e ndërtimit dhe vendosjes së radarit qëndrojnë përpara radarit SBX në Ingleside, Texas“
Sipas MDA, radari SBX “mund të gjurmojë objektet ndërsa fluturojnë drejt, sipër dhe larg anijes.” Ai është montuar mbi një platformë të lëvizshme gjysëm-zhytëse dhe “mund të pozicionohet në mënyrë që të mbulojë çdo rajon të planetit.”
Profesore Helene Galiegue nga Shkolla Kombëtare e Aviacionit Civil francez tha për AFP se radarët X-band përdoren zakonisht nga ushtria, aviacioni civil, shërbimet meteorologjike dhe misionet hapësinore.
Ajo shpjegoi gjithashtu se radarët nuk mund të shkaktojnë ndryshime në klimë apo në mot. “Valët elektromagnetike në këto frekuenca nuk ndryshojnë strukturën e grimcave të shiut apo reve, dhe atmosfera është plotësisht transparente ndaj valëve të frekuencave të larta. Nga ana tjetër, radarët me brez X përdoren nga meteorologët për të zbuluar dhe hartuar grimcat e shiut në distanca shumë të gjata,” tha Galiegue.
Maria Sabrina Greco, profesore në Universitetin e Pizës konfirmoi për AFP se “nuk ka radarë të aftë për të shkaktuar ndryshime klimaterike ose manipulime të motit.”
99% e literaturës shkencore bie dakord se ndryshimi i klimës është pasojë e veprimtarisë njerëzore.