Foto e shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohet se astronautët po qëndrojnë në hënë pa skafandrat me oksigjen, në fakt i përket një stërvitje të ‘Apollo 16’ për misionin e uljes në Hënë. “Faktoje” sjell detajet që tregojnë se imazhi i gjysmë shekulli nuk provon se ulja në hënë është një inskenim i NASA.
Një postim i shpërndarë më 1 korrik në rrjetet sociale pretendon se astronautët po qëndrojnë në hënë pa pasur nevojë për skafandrat me oksigjen. “Prill 1972, nga arkivat e NASA. Astronautët po marrin pak ajër të pastër në Hënë. Në ato kohë çdo gjë ishte e mundur!”-shkruan një përdorues në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Ky postim ka lidhje me teorinë e shpërdarë në shumë rrethe konspiracionistësh se udhëtimet në hapësirë të astronautëve të NASA janë të manipuluara. Si provë për këtë teori sillen foto apo video të seteve të xhirimit të filmave me astronaut apo “gafa” të mungesës së gravitetit në anijet kozmike.
Për shkak të interesit që ngjallin këto “prova” dhe numrit të reagimeve dhe komenteve, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të informacionit të shpërndarë.
Nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove kostatuam se imazhi është publikuar kudo në internet më shumë se 950 herë dhe arritëm që të gjenim më tepër detaje rreth tij. Nga të dhënat që qarkullojnë në faqe të besueshme, shihet se imazhi i përket 6 shkurtit të vitit 1972 dhe në të tregohet një stërvitje e astronautët të Apollo 16 përpara misionit të uljes në Hënë. Burimi i fotografisë është vetë NASA, që nëse do të kishte inskenuar udhëtimin nuk do të publikonte një pamje pa mjetet ndihmëse të frymëmarrjes në Hënë.
“Astronautët e Apollo 16, piloti i Modulit Hënor Charles M. Duke, komandanti John W. Young dhe piloti i Modulit të Komandës Thomas K. Mattingly II gjatë një stërvitje stërvitore në përgatitje për Misionin e Zbarkimit Hënor”, shkruhet krahas fotos së publikuar.
Ndryshe nga çfarë pretendojnë përdoruesit në rrjetet sociale, imazhi tregon astronautët gjatë trajnimit në tokë në një terren të përafërt me atë të Hënës në mënyrë që stërvitja t‘i ofrohet sa më shumë realitetit. Këtu mund të gjendet arsyeja përse astronautët mund të pozojnë përpara aparatit fotografik duke marrë ajër të pastër toke dhe jo hëne.
Një foto tjetër e stërvitjes të mjetit shëtitës hënor rreth një fushe në Qendrën Hapësinore Kennedy të simuluar për të përfaqësuar sipërfaqen hënore (22 Dhjetor 1971)
Apollo 16 ishte misioni i dhjetë me ekuipazh në programin hapësinor të Shteteve të Bashkuara, i cili zbriti në Hënë në datat 16–27 prill 1972. Ishte i dyti nga “misionet J” të Apollonit, me një qëndrim të zgjatur në sipërfaqen hënore, një fokus në shkencë dhe përdorimin e mjetit lundrues hënor (LRV). Zbarkimi dhe eksplorimi ishin në malësitë e Dekartit, një vend i zgjedhur sepse disa shkencëtarë prisnin që ajo të ishte një zonë e formuar nga veprimet vullkanike, edhe pse një supozim i tillë nuk rezultoi i vërtetë.