Lajmi për foton e një fantazme të dokumentuar në aparatin e një familje britanke, është i pavërtetë. Zbulimi “shokues” i portalit lajmetverteta.com rezulton të jetë një foto e manipuluar, e publikuar 4 vite më parë në një tabloid anglez.
—————————————————————————————-
Një artikull i portalit të quajtur, ironikisht, lajmetverteta.com, pretendon se një grua në Britaninë e Madhe ka nxjerrë rastësisht në foto një fantazëm. Fotografia që artikulli i 16 tetorit pretendon se “po shokon botën që prej ditës së djeshme” është publikuar, në fakt, që në 2018 nga tabloidi anglez Daily Mail.
Në artikullin e Daily Mail, një grua pretendon se në një nga fotot që ka kapur në parkun Plessey është shfaqur një fantazmë.
Pas djalit me syze, vihet re një fëmijë tjetër. Foto nga Daily Mail.
Kjo foto me kualitet të dobët është e vetmja provë që ofrohet nga gruaja.
Për shkak të cilësisë së ulët të fotos, është e vështirë që të verifikohet më tej me programe dhe aplikacionet të specializuara manipulimit që mund të jetë bërë me këtë foto.
Meqënëse, duket se vetëm një foto e tillë “misterioze”, mjafton për tabloidet angleze dhe portalet shqiptare për të ndezur këmbanat e alarmit, “Faktoje” vendosi të tregonte se sa thjeshtë mund të prodhohen ‘prova’ të tilla. Me anë të programit Photoshop, fëmija fantazëm zëvendësohet në fotot mëposhtë me një fëmijë tjetër, ose, me një nga gomarët maskotë të “Faktoje”.
Foto e modifikuar me Adobe Photoshop nga Faktoje
Foto e modifikuar me Adobe Photoshop nga Faktoje
Shpresojmë që këto shembuj të mos përdoren përsëri për të prodhuar prova dhe lajme të tjera të rreme në portale për fantazmat.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin