Pretendimi: Beyfortus është një vaksinë që po marrin foshnjat e porsalindura

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————–

Në rrjetet sociale po qarkullon lajmi se foshnjat e porsalindura në Lazio, Itali, po vaksinohen me një vaksinë të quajtur Beyfortus.

Ndërsa është e vërtetë që Lazio ka nisur në fund të vitit 2024 injektimin e foshnjeve të porsalindura me Nirsevimab, i cili shitet nën emrin Beyfortus, ky i fundit nuk është vaksinë, por një antitrup monoklonal që lufton virusin respirator sincicial (RSV). 

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, RSV është “një virus i zakonshëm i frymëmarrjes që zakonisht shkakton simptoma të lehta, të ngjashme me ftohjen.” Megjithatë, foshnjat dhe të moshuarit kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë dhe të kenë nevojë për shtrim në spital. Globalisht, RSV infekton deri në 90% të fëmijëve brenda 2 viteve të para të jetës dhe shpesh riinfekton fëmijët më të rritur dhe të rriturit. Rëndësia klinike e RSV tek foshnjat është se mund të shkaktojë bronkiolit që çon në inflamacion të rrugëve të vogla të frymëmarrjes dhe vështirësi të konsiderueshme në frymëmarrje.

Nirsevimab është miratuar për përdorim nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në korrik 2023 për të parandaluar RSV dhe komplikimet e lidhura me të tek fëmijët e vegjël. Ai është miratuar për përdorim edhe nga rregullatorët e Bashkimit Europian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.

Sipas FDA, studime klinike në ShBA zbuluan se një injeksion i Nirsevimab ishte mbi 70% efektiv në uljen e rrezikut të pacientit për të marrë trajtim mjekësor për virusin. Nirsevimab funksionon me anë të proteinave të prodhuara në laborator që “imitojnë aftësinë e sistemit imunitar për të luftuar patogjenët e dëmshëm si viruset.”

Sipas Agjencisë Euorpiane të Barnave (EMA), një antitrup monoklonal është një lloj proteine ​​që është krijuar për të njohur dhe t’iu bashkuar një strukture specifike (të quajtur antigen). Nirsevimab ngjitet në një proteinë të quajtur ‘proteina F’ në sipërfaqen e virusit RSV. Kur Nirsevimab lidhet me këtë proteinë, virusi bëhet i paaftë për të hyrë në qelizat e trupit, veçanërisht ato në mushkëri. Kjo ndihmon në parandalimin e infeksionit RSV.

Antitrupat monoklonalë ndryshojnë nga vaksinat sepse ato nuk e mësojnë trupin se si të shmangë infeksionet e ardhshme, duke i bërë ato më të dobishme për sigurimin e mbrojtjes së menjëhershme dhe afatshkurtër nga kushte të tilla si kanceri dhe Covid-19.

Vaksinat funksionojnë duke futur në organizëm një version të paaktivizuar ose të dobët të një virusi. Pasi sistemi imunitar kupton se një virus ka hyrë në organizëm, ai prodhon antitrupa për t’u mbrojtur kundër tij.Tashmë, kur virusi i vërtetë të hyjë në trup, sistemi imunitar e njeh menjëherë dhe nis ta luftojë.

Ndërkaq, antitrupat monoklonalë funksionojnë duke marrë antitrupa natyrale kundër një virusi specifik nga një dhurues. Antitrupat nxirren nga kampioni i marrë dhe kopjohen. Këto antitrupa monoklonalë më pas injektohen, dhe pas injektimit marrësi i tyre është i aftë ta luftojë virusin.

Sistemi imunitar nuk ‘mëson’ të prodhojë antitrupa nga kjo mënyrë imunizmi. Për këtë arsye, antitrupat monoklonialë përdoren për të ofruar mbrojtje gjatë një periudhe të jetës kur organizmi është më vulnerabël.

CDC rekomandon “ose vaksinimin e nënës kundër RSV ose imunizimin e foshnjave me antitrupa monoklonal RSV”, duke shtuar se “shumica e foshnjave nuk do të kenë nevojë për të dyja.” Akademia Amerikane e Pediatrisë gjithashtu rekomandon Nirsevimab për parandalimin e RSV tek fëmijët.

Sipas faqes Vaccinarsi a Lazio, “efikasiteti dhe siguria e Nirsevimab janë konfirmuar nga studimet klinike, të cilat demonstrojnë një ulje të konsiderueshme të shtrimeve në spital të lidhura me RSV tek të porsalindurit e shëndetshëm dhe të parakohshëm, duke kapërcyer problemin që lidhet me antitrupin e mëparshëm monoklonal, Palivizumab, i cili kërkonte administrime mujore.”

Pra, jo vetëm që Nirsevimab është provuar të ulë sëmundjen serioze me RSV tek të porsalindurit, ai nuk është as antitrupi i parë që administrohesh tek foshnjet kundër RSV. Përpara nisjes së përdorimit të Nirsevimab, foshnjet imunizoheshin nga RSV me antitrupin Palivizumab, i miratuar për përdorim mjekësor që në 1998.

Shitur nën emrin Synagis, Palivizumab, i cili kërkonte pesë injeksione mujore gjatë sezonit të virusit – dhe çdo injeksion mund të kushtonte më shumë se 1000 dollarë. Për shkak të çmimit dhe logjistikës së shpërndarjes, ilaçi ishte i disponueshëm vetëm për fëmijët në rrezik të lartë për t’u sëmurë rëndë nga RSV.

Parandalimi është thelbësor sepse trajtimet specifike për RSV nuk ekzistojnë. Kur fëmijët sëmuren nga gripi, ilaçi antiviral Tamiflu mund të ndihmojë në trajtimin e tij. Por nuk ekzistojnë barna të tilla për RSV.