Pretendimi: Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka udhëzuar liderët botërore të vendosin ligje të “Moshës së Vdekjes”
Verdikti: E paprovuar
—————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se Forumi Ekonomik Botëror (WEF) ka udhëzuar qeveritë botërore që të vendosin ligjet e “Moshës së Vdekjes”. Sipas këtij pretendimi, qeveritë do të përcaktojnë nëse qytetarët e tyre të moshuar mund të jetojnë apo jo pas një moshe të caktuar duke lehtësuar kostot e shoqërive për mbajtjen e tyre.
Postimi i mësipërm duket se i referohet një artikulli të portalit amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Duke mos ofruar asnjë provë, artikulli përshkruan një komplot të supozuar për të kontrolluar se sa gjatë mund të jetojnë njerëzit. Ai nuk shpjegon se si e di se çfarë po “planifikohej pas dyerve të mbyllura”.
Nuk ka asnjë provë që WEF ka bërë një propozim të tillë. Një kërkim në faqen e internetit të WEF me termat “Mosha e vdekjes” nuk dha ndonjë rezultat.
Në fakt, më 8 shkurt 2024, WEF propozoi gjashtë parime për të “ndihmuar një popullsi të plakur të jetojë mirë”. Këto parime kanë për synim të nxisin politika që përmirësojnë jetesën e të moshuarëve për shkak të rritjes së jetëgjatësisë në botë dhe jo të caktojnë ndonjë kufi jetese të kontrolluar nga qeveritë.