Pretendimi: Krahasimi i formës së kokës së bankierit britanik Jacob Rothschild me kafka të zgjatura njerëzore provon prejardhjen jonjerëzore të familjes Rothchild
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, krahason një foto të bankierit anglez Jacob Rothschild me çfarë duket si një kafkë e zgjatuar njerëzore si ‘provë’ se familja hebreje ka prejardhje jo-njerëzore ‘Anunnaki’.
Në të vërtetë, Anunnaki janë një grup hyjnish të sumerëve, akadianëve, asirianëve dhe babilonasve të lashtë. Ata nuk përshkruhen si të kenë karakteristikë kokat apo kafkat e zgjatura, apo me ndonjë veçanti tjetër jo-njerëzore.
Kafkat që duken në imazh, pavarësisht deformimit të tyre, janë njerëzore. Forma e tyre e pazakontë është rezultat i një praktike mijëravjeçare të quajtur deformimi artificial i kafkës.
Ato janë gjetur në 1928 nga arkeologu peruan Julio Tello në provincën Pisco pranë bregdetit jugor të Perusë. Mbi 300 kafka të zgjatura u zbuluan në një varrezë në gadishullin Paracas.
Kultura Paracas besohet se daton rreth viteve 800 deri në 100 para Krishtit. Ata ndërtuan sisteme ujitjeje, endnin tekstile të zbukuruara me hollësi dhe i varrosnin të vdekurit e tyre në varre të ripërdorura për periudha të gjata kohore.
Deformimi artificial i kafkës që prodhon një formë të zgjatur të kokës është i njohur nga një gamë e gjerë kulturash në të gjithë botën. Kjo praktikë i paraprin historisë së shkruar. Ajo praktikohej zakonisht në një numër kulturash të ndara gjerësisht gjeografikisht dhe kronologjikisht.
Hipokrati dhe shkrimtarë të tjerë klasikë përmendën Makrocefalitë ose Kokëgjatët, një racë me koka të gjata, të cilat mund të kenë qenë ose jo të vërteta. Prova më të sigurta e lidhin praktikën me qytetërime që përfhsijnë Hunët dhe Alanët në Euroazi, Inkasit, Majat dhe indianë të ndryshëm të Amerikës së Veriut, disa australianë aborigjenë dhe disa banorë të ishujve të Paqësorit.
Mendohet që praktika bëhej për të treguar status të lartë shoqëror ose sepse konsiderohej estetikisht e pëlqyeshme.
Një set kafkash të kulturës Paracas që tregojnë një gamë të llojeve të ndryshme të modifikimit të kafkës
Deformimi i qëllimshëm i kafkës ende ndodh sot në disa zona, përfshirë Vanuatu.
Kafkat e Paracas janë të ekspozuara në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë, Antropologjisë dhe Historisë në Lima të Perusë. Ato janë një burim i dukshëm interesi për paranormalistët që kërkojnë shenja të fenomeneve jashtëtokësore ose biblike.
Familja Rothschild është familje e pasur hebreje, biznesi bankar i së cilës daton që nga shekullit XVIII. Si një familje hebreje, Rothschildët janë vënë në shënjestër nga konspiracionistët si një shembull kryesor i hebrenjve që dyshohet se përdorin paratë e tyre për të kontrolluar institucionet financiare globale që në vitet 1800.