.

.

Home Pertej Verifikimi i lajmeve në Facebook Flota në ndihmë të Gazës asnjë lidhje me kompanitë publike në ShBA

Flota në ndihmë të Gazës asnjë lidhje me kompanitë publike në ShBA

0
Flota në ndihmë të Gazës asnjë lidhje me kompanitë publike në ShBA

Pretendimi: Emri i Flotës Sumud, që u nis për të thyer bllokadën e Izraelit në Gaza, rrjedh nga emri i kompanisë publike SMUD

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Një postim i çuditshëm që po qarkullon në rrjetet konspiracioniste shqipfolëse pretendon se aktivistja suedeze Greta Thunberg është “një mjet globalist që përdoret si mjet joshës” e drejtuar nga një grup “organizues prej shtatë anëtarësh që drejton ekspozimin e të gjithë këtyre njerëzve pahumanizëm në botë,” që mban emrin SMUD. Emri i flotës Sumud, që është përjekur të thyente bllokadën izraelite në Gaza që në korrik 2025, pretendohet se vjen nga ky emër.

Për këto pretendime të jashtëzakonshme, si zakonisht, nuk jepet ndonjë provë.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se personat në foto, shtatë anëtarët e organizatës së ligë, në të vërtetë janë bordi drejtues i Sacramento Municipal Utility District (SMUD), një shërbim elektrik në pronësi të komunitetit që i shërben Qarkut të Sacramento, në ShBA.

Sipas faqes së SMUD, “çdo drejtor përfaqëson një zonë gjeografike ose “lagje” të ndryshme. Gjatë mandatit të tyre katërvjeçar, puna e tyre është të krijojnë politika dhe vlera se si ju shërbejmë dhe të përcaktojnë drejtimin afatgjatë që SMUD do të marrë ndërsa ecim përpara.”

As SMUD, një kompani energjie shtetërore, dhe as bordi i saj drejtues që ndryshon çdo 4 vite nuk kanë lidhje me Greta Thunberg, Flotën Sumud, apo një “grup organizues” që drejton ato.

Ndërkaq, Flota Sumud nuk është frymëzuar për emrin nga kompania publike elektrike e Sacramentos, por nga fjala arabe sumud, që do të thotë “vendosmëri”.
Sumud është një vlerë kulturore, temë ideologjike dhe strategji politike palestineze që doli në pah midis popullit palestinez pas Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 si pasojë e shtypjes së tyre dhe rezistencës që ajo frymëzoi.