Pretendimi: Kjo video tregon një qytetar amerikan që po proteston kundër ndikimit të Izraelit në politikën amerikane duke ngritur “Flamurin e Zi të SHBA-së”
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————————————-
Një video që ka marrë mbi 20 mijë shikime në Facebook pretendon se tregon një ndër shumë qytetarë amerikanë, të cilët “kanë nisur një lëvizje simbolike kundër ndikimit të Izraelit në politikën amerikane. Si shenjë proteste, ata po vendosin “Flamurin e Zi të SHBA-së” në shtëpitë e tyre, duke treguar pakënaqësinë ndaj qeverisë që, sipas tyre, po vepron si një lodër në duart e Izraelit.”
Pretendimet vijnë në kontekstin e deklaratës së Donald Trump, i cili zbuloi planin e tij të befasishëm që ShBA të marrë kontrollin e Gazës, pa dhënë specifika, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Njoftimi pasoi një propozim të papritur nga Trump për zhvendosjen e përhershme në vendet fqinje të 2 milionë palestinezëve që jetojnë në Gaza.
Megjithatë, Faktoje gjeti se, ndonëse gjesti i treguar në video shpreh vërtet revoltë kundër qeverisë, kjo revoltë ishte kundër qeverisë së mëparshme të presidentit Joe Biden, jo të tanishmes së Donald Trump.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është botuar për herë të parë në TikTok nga përdoruesja chels_hcr, më 31 gusht 2021, gjatë administratës Biden (2021-2025).
Në përshkrimin e videos shkruhet: “Sot i dashuri im që është veteran ushtarak ndryshoi flamurin jashtë shtëpisë sonë.”
Flamujt amerikanë të zinj patën një ringjallje tek mbështetësit e Trump në përfundim të vitit 2021, viti i parë i administratës Biden dhe viti i dytë i pandemisë Covid-19. Pakënaqësitë ndaj qeverisë Biden në këtë kohë lidheshin kryesisht me masat e marra për të luftuar përhapjen e Covid-19 si mandatet e vaksinimit dhe mbajtjes së maskave.
Media liberale Salon raportonte në atë kohë: “Mbështetësit e Trump kanë filluar të valëvitin flamuj amerikanë tërësisht të zinj, në një kërcënim të nënkuptuar për të dëmtuar ose vrarë kundërshtarët e tyre – që do të thotë njerëz jo të bardhë, “liberalë socialistë”, myslimanë, njerëz të vaksinuar dhe të tjerë që konsiderohen si “armiq” të “Amerikës së vërtetë”.”
Sipas gazetës Biscayne Times, flamuri amerikan i zi nënkupton “asnjë tolerim”. Sipas fjalorit ligjor juridik Law Insider, “asnjë tolerim do të thotë të refuzosh t’i kursesh jetën dikujt, madje edhe të personave që nuk janë në gjendje të mbrojnë veten e tyre ose që shprehin qartë qëllimin e tyre për t’u dorëzuar.”
Sipas Biscayne Times, ‘asnjë tolerim’ bie ndesh me ligjin e Shteteve të Bashkuara si dhe me Konventën e Gjenevës, e cila rregullon veprimet e luftës ndërkombëtare. Megjithëse Kushtetuta amerikane parashikon dënimin me vdekje për tradhtarët, praktika e asnjë tolerimi u ndalua në ShBA në 1863 gjatë Luftës Civile. Kjo u propozua nga Franz Lieber dhe u miratua nga Presidenti Abraham Lincoln për të siguruar që trupat e Unionit të mos hakmerreshin ndaj ushtarëve të Konfederatës, në mënyrë që vendi të kishte paqe. Kodi Leiber siguroi që jetët e ushtarëve të Konfederatës do të kurseheshin, pavarësisht zemërimit dhe pakënaqësisë që ndjenin ushtaret e Unionit.
Pra, burri në video ngriti flamurin e zi në 2021 për të protestuar politikat e administratës Biden, jo kapjen e administratës Trump nga Izraeli.