Pretendimi: Finlanda e njeh zyrtarisht Palestinën si shtet sovran dhe të pavarur

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Në fillim të gushtit 2025, në rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullojë lajmi se Finlanda kishte njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran.

Megjithatë, këto lajme janë të nxituara.

Finlanda ende nuk e njeh shtetin e Palestinës.

Në korrik 2025, Finlanda nënshkroi një deklaratë të përbashkët të ministrave të jashtëm që u bënte thirrje shteteve të njihnin ose të shqyrtonin njohjen e Palestinës si shtet. Iniciativa, e udhëhequr nga Franca, erdhi përpara një samiti të OKB-së në shtator 2025 dhe përfshinte 15 nënshkrues nga Europa, Amerika e Veriut dhe Paqësori.

Pavarësisht nënshkrimit, Finlanda nuk e ka njohur zyrtarisht Palestinën. Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen përsëriti se një hap i tillë do të ndërmerrej vetëm si pjesë e një kuadri më të gjerë që favorizon paqen dhe sigurinë e ndërsjellë.

“Ne besojmë se njohja e Palestinës është një hap drejt modelit me dy shtete. Mbështetja e zgjidhjes me dy shtete do të thotë që Finlanda do ta njohë Palestinën në një moment të caktuar,” shkroi Valtonen në platformën X. “Njohja do të ndodhë në një kohë kur konsiderohet se promovon më së miri stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon dhe si pjesë e një kuadri më të gjerë që përparon sigurinë e të dyja palëve. Ky kuadër u shqyrtua në New York dhe puna vazhdon.”

Në gusht 2025, presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi se është i gatshëm të miratojë njohjen e Palestinës nëse qeveria e paraqet një propozim të tillë. Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, përsëriti mbështetjen e Helsinkit për një zgjidhje me dy shtete, pa specifikuar nëse qeveria ishte e gatshme të njihte një shtet palestinez.

Deri në kohën e botimit të këtij artikulli, Finlanda ende nuk e njeh Palestinën si shtet.