Pretendimi: Filmimi i largimit të Apollo 11 nga sipërfaqja e Hënës provon se udhëtimi ishte i rremë
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Teoritë konspirative janë po aq të vjetra sa dhe vetë bota. Një prej tyre është edhe udhëtimi i njeriut në Hënë plot 56 vite më parë. Në rrjet qarkullojnë disa video me pikëpyetje që ngrenë dyshime mbi vërtetësinë e këtij udhëtimi historik.
Video e parë, që shfaq filmimet origjinale të largimit të misionit nga Hëna, shoqërohet me pyetje: si erdhi kjo video kur ekipi u kthye në Tokë?

Videoja mbështetet mbi argumentin se videoja do të mund ta transmetohej vetëm nëse dikush prej astronautëve do të qëndronte në sipërfaqen e Hënës për të filmuar dhe më pas transportonte kamerën fizikisht në Tokë. Ajo që nuk përmendet në postimin e videos është fakti që pamjet e Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin duke shkelur në sipërfaqen hënore, dhe më pas largimi i anijes së tyre kozmike, u transmetuan drejtpërdrejt më 20 korrik 1969.
Pra, nuk pati nevojë që ekipi në Hënë të kthente kaseta në Tokë për të transmetuar imazhet, pasi teknologjia ekzistonte që në atë kohë për transmetime përmes antenave dhe kamerave.
Siç e shpjegon edhe Muzeumi i Shkencës në Britaninë e Madhe, ekipi i Apollo 11 ishte i pajisur me një kamerë të veçantë që mund të transmetonte video dhe imazhe drejt Tokës. I vendosur në sipërfaqen e Hënës nga Armstrong dhe Buzz Aldrin, sinjali i marrë nga kamera më pas u transmetua përmes një antene drejt Tokës, ku u prit nga stacionet në Australi, përpara se të kalonte në stacionin e Huston (Teksas) dhe të transmetohej live në televizionet në të gjithë botën (NASA, Smithsonian Air & Space).

Videoja e dytë ngre pyetjen se si Presidenti i atëhershëm, Richard Nixon mund të kishte pasur një telefonatë të drejtpërdrejtë me Armstrong, i cili ndodhej në Hënë. Nixon arriti të telefononte në Hënë nëpërmjet një transmetimi radio-telefonik, pra duke përdorur si teknologjinë e telefonave dhe atë të transmetimeve radio. Thirrja shkoi nga Uashingtoni, D.C., në Huston. Pastaj, u drejtua në hapësirë duke përdorur CapCom, një kapsulë komunikuese, që përdoret nga NASA për të mbajtur kontakt me astronautët gjatë misioneve hapësinore.

Të dyja këto pretendime kanë disa dekada që qarkullojnë në rrjet dhe janë hedhur poshtë edhe nga verifikues të tjerë. Edhe Faktoje ka hedhur poshtë disa postime te ngjashme mbi udhëtimin në Hënë, i cili vazhdon të mbetet një magnet për teori