.

.

BallinaPertejFillimi i vitit shkollor i qartë për vendet e rajonit, Shqipëria ende në pritje

Fillimi i vitit shkollor i qartë për vendet e rajonit, Shqipëria ende në pritje

Ministrat e Arsimit në rajon, kanë qartësuar qytetarët e tyre se si do të jetë fillimi i vitit shkollor, dhe çfarë masash kanë marrë për zbatimin e tyre. Por në Shqipëri duket se ende nuk ka një qartësi në informacion. Ministrja e Arsimit Besa Shahini, 4 javë para fillimit të vitit shkollor ka dhënë deklaratën e parë publike për sa i përket planit mbi vitin e ri shkollor, duke mos qartësuar asnjë vendim konkret.


“Në korrik kemi hartuar një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore, por nëse këtë do e bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr task-forca për koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri.” – bëri me dije ministrja e Arsimit, zonja Shahini në komunikimin e datës 17 gusht.

Një ditë më pas, më 18 gusht, ministrja e Arsimit u shfaq në një tjetër komunikim publik, këtë herë e shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, zonja Ogerta Manastirliu.

“Ne duam t’i hapim shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar, por sipas specifikave që kanë shkollat individuale dhe gjithmonë duke kombinuar edhe me mësimin që mund të zhvillohet në kushte shtëpie, duke ndjekur RTSH Shkollën, duke ndjekur mësimin online në rastet kur duhet të mbyllet një shkollë për shkak të sigurisë shëndetësore apo një grup shkollash në rast se duhet të bëjmë një gjë të tillë.” – tha zonja Shahini.

Por si është situata në vendet e rajonit?

Kosova

Situata në Kosovë është shumë e ngjashme me atë në vendin tonë. Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për zhvillimin e mësimit në vitin e ri shkollor që fillon më 1 shtator, ndërsa janë paraparë 3 skenarë të mundshëm të bëra publike në një njoftim të datës 10 gusht në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në Kosovë.

“Në skenarin A është paraparë kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Në skenarin B është parapare kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe E-mësimi. Në skenarin C është paraparë E-mësimi.

Organizimi i mësimit është parapaparë për të gjitha nivelet e arsimit në Republikën e Kosovës.”- thuhet në njoftimin zyrtar.

Në një takim qeveritar të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, ministri Ramë Likaj kërkoi që vendimi përfundimtar mes tre opsioneve të parashtruara për fillimin e vitit të ri shkollor të merret nga Qeveria e Kosovës.

Maqedonia e Veriut

Në ndryshim nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Veriut ka dalë me një vendim përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor. Në një konferencë për shtyp më datë 18 gusht, ministri i Arsimit dhe i Shkencës, zoti Arbër Ademi e bëri publik këtë vendim:

“Kemi vendim përfundimtar që viti i ri shkollor, në princip, në parim të organizohet nëpërmjet mjeteve bashkohore të komunikimit elektronik. Pra, të kemi online mësim.”

Mëgjithatë, zoti Ademi bëri me dije se përjashtim do bëjnë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë që mund ta ndjekin me prezencë fizike, nëse japin pëlqimin prindërit e tyre. Përjashtim bëjnë edhe rastet kur komunat në të cilat bëjnë pjesë shkollat kanë numër të vogël nxënësish dhe me kërkese të tyre mund të realizohet procesi mësimor me distancat fizike të nevojshme. Por edhe në këtë rast është i domosdoshëm pëlqimi i prindërve.

Serbia

Serbi mësimi është vendosur që do të fillojë më 1 shtator. Në ndryshim nga vendet e mësipërme, Serbia do t’i hapë shkollat por do ta lërë plotësisht në dorën e prindërve nëse fëmijët do e ndjekin shkollën me prezencë fizike apo nëpërmjet platformës televizive të vënë në dispozicion. Këta të fundit do duhet të paraqiten në shkollë vetëm për të bërë provimet. Nxënësit që do e ndjekin mësimin me prezencë fizike duhet të mbajnë maskën në klasë.

Bosnja dhe Hercegovina

Në Bosnje dhe Hercegovinë viti i ri shkollor do të fillojë më 1 shtator.  Orët e mësimit do zgjasin mes 20 dhe 30 minuta, ndërsa një klasë nuk mund të ketë më shumë se 15 nxënës të pranishëm. Çdo fëmijë duhet të ulet i vetëm në bankë, ndërsa shkollat do të dezinfektohen edhe gjatë një pushimi të shkurtër. Fëmijët duhet të vijnë me maskë në ambientet shkollore, por nuk janë të detyruar ta mbajnë në klasë gjatë mësimit. Megjithatë, çdo zonë (kanton) mund të adoptojë planin e saj të ruajtjes nga virusi në varësi të situatës epidemiologjike në atë zonë.

Duke iu kthyer vendit tonë, pavarësisht mungesës së një vendimmarrjeje deri në këtë moment, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu është shprehur me nota optimiste mbi fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas saj, eksperienca e deritanishme me hapjen e shkollave dhe cerdheve ka treguar se nuk ka pasur një shpërthim të virusit në këto mjedise, me përjashtim të rasteve sporadike.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img