.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëFermerët vendas nuk eksportojnë qumësht, ndërsa tregun shqiptar e dominon qumështi i importuar nga Serbia

Fermerët vendas nuk eksportojnë qumësht, ndërsa tregun shqiptar e dominon qumështi i importuar nga Serbia

Shqipëria jo vetëm që nuk eksporton qumësht nw vendet e BE-së, por vjet shënoi rritje të importit të këtij produkti kryesisht nga Serbia. Faktoje siguroi të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave që tregojnë se në 2021, importi i qumështit nga Serbia u rrit me mbi 5 milionë litra krahasuar me 2020-n,  ose me 310 %. Ekspertët ngrenë alarmin se skema e re e TVSH e miratuar në 2019 penalizoi prodhuesit vendas dhe favorizoi importin. Kjo shpjegon sipas tyre edhe faktin se tregu shqiptar po dominohet nga qumështi i importuar.

————————————————————-

Në mars të vitit 2018, ministri i Bujqësisë asokohe, Niko Peleshi deklaroi:

“Sfida jonë, detyra jonë si Ministri, si institucione, si qeveri shqiptare, është të ndërtojmë një sistem funksional sipas standardeve të Bashkimit Evropian, ta certifikojmë atë nga audituesit e Bashkimit Evropian. T`i japim mundësi eksportit dhe këtij sektori (qumështit), siç janë sektorët e tjerë” – u zotua Niko Peleshi.

Kur kanë kaluar 4 vite nga ky zotim, Faktoje vendosi të bëjë të hulumtim për të parë si është realisht situata në tregun shqiptar.

Ne iu drejtuam fillimisht me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ku e pyetëm në lidhje me sasinë e qumështit të importuar në vitet 2019, 2020, 2021.

Kërkesa për informacion dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, 15 shkurt 2022

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në vitin 2019 sasia në total e qumështit të lëngët të importuar në Shqipëri ishte 14,720,918 kg, në vitin 2020 ishte 11,439,905 kg dhe në vitin 2021 arrinte në 16,245,861 kg.

Po të marrim dy vitet e fundit (2020-2021), totali i rritjes së importit të qumështit është 42%.

Gjithashtu, ajo që vihet re nga të dhënat është se në vitin 2021 kemi një rritje të ndjeshme të importit të qumështit nga Serbia, që shkon në 6,144, 818 kg. Krahasuar me vitin 2020, në 2021 kemi një rritje me 310% të importit të qumështit nga Serbia.

Përgjigjia e Drejtorisë së Doganave, 15 mars 2022

Për sa i përket importit të qumështit pluhur, të dhënat e Drejtorisë së Doganave tregojnë se gjatë vitit 2021, Shqipëria ka importuar një sasi më të madhe qumështi pluhur nga Ukraina, konkretisht 631, 500 kg.

Përgjigjia e Drejtorisë së Doganave, 15 mars 2022

Por, a kanë arritur fermerët shqiptarë të eksportojnë qumësht drejt vendeve të BE-së?

Faktoje udhëtoi drejt fshatit Seman Sektor në Fier në fund të muajit shkurt, ku bisedoi me fermerin Robert Selimi. Familja prej 8 anëtarësh punon në këtë fermë, e cila është burimi kryesor i të ardhurave. Zoti Selimi tregon për Faktoje se së fundmi ai dhe fermerët e tjerë kanë marrë një goditje të fortë për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve blegtorale e bujqësore, por edhe importit të qumështit veçanërisht nga Serbia. Më tej ai shton se nuk ka arritur kurrë të eksportojë qumësht drejt vendeve të BE-së.

“Në muajt janar, shkurt nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga Ministria e Bujqësisë. Kemi kërkuar nismën 100 lekë për litër qumësht, na e thanë që do e japin, por nuk e kanë dhënë akoma.

Qumështin që prodhoj e çoj në baxho, është njëri që e mbledh. Qumështin e deles e shes me 1 mijë lekë (të vjetra) 450 lekë të lopës. Ne nuk po arrijmë dot të përballojmë kërkesat e tregut dhe jo më të eksportojmë. Ata po sjellin qumësht nga jashtë në vendin tonë. Sjellin me çmim të lirë, duke na dëmtuar edhe ne këtu. Vjen qumështi që andej dhe goditemi ne fermerët. Ne penalizohemi, sepse detyrohemi të ulim çmimin, edhe pse ne kemi qumësht bio, jo frigoriferi siç vjen nga jashtë”-tregon ai i shqetësuar.

Ferma në Seman Sektor, 21 shkurt 2022

Fermeri shton se mbështetja e dhënë nga qeveria është e pamjaftueshme, pasi çmimet janë shumëfishuar.

Ferma në Seman Sektor, 21 shkurt 2022

“Vitet e fundit kam marrë subvencion, vjet më dhanë dhe naftë. Unë si fermer jam regjistruar që në 2004, por në vitet 2019-2021 sikur kanë lëvizur pak. Në vitin 2018 nuk kam marrë mbështetje nga qeveria, ndërsa në vitet 2019-2021 mora. Unë aktualisht kam 350 dele dhe 10 lopë.

Por, me këto çmime që kanë vajtur sot, ne nuk jemi të kënaqur nga mbështetja finaciare e qeverisë. Plehun unë sot po e marr 110 mijë lekë (të vjetra) kuintali, më parë e kemi marrë me 50 mijë lekë, vjet e parvjet. Janë trefishuar sivjet. Nafta u rrit dhe të gjitha çmimet e tjera janë rritur.”-thekson fermeri.

Faktoje bëri një kërkim edhe në faqen e INSTAT në lidhje me eksportin e qumështit shqiptar, por nuk ka një ndarje të veçantë për këtë produkt. Instituti i statistikave publikon të dhëna të përgjithshme në lidhje me eksportin e ushqimeve.

Për sa i përket importit të qumështit nga Serbia, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për qarkun e Tiranës, Nikolin Jaka bëri të ditur në një intervistë për Top Channel se ato zënë 28% të tregut në Shqipëri.

“Shifrat janë kokëforta dhe të nxjerrin në të tilla rezultate. Vetëm në vitin 2021, Serbia tashmë zë në tregun shqiptar 28% të produkteve të qumështit të importuar në Shqipëri, që do të thotë se Serbia ka pasur një rritje të ne vite, ka pasur 8% ndërsa sot është 21% dhe të shohim se ku do të arrijë në vitin 2022”- sqaroi Jaka.

Ne biseduam edhe me ekspertë të ekonomisë, të cilët na konfirmuan se Shqipëria nuk eksporton qumësht dhe produkte bulmeti në vendet e BE-së, pasi nuk përmbush standardet e kërkuar prej tyre.

Në dhjetor të një viti më parë, ekspertja e sigurisë ushqimore, Valbona Paluka tregoi rrugën që duhet të ndjekë Shqipëria për të ofruar produkte të pranueshme për vendet e BE-së.

“Fillon me ndjekjen e të gjithë shëndetit të kafshëve, tek identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve, pra është gjurmueshmëri e procesit që nga kafsha në fermë e deri tek produkti final. E gjitha kjo mbyllet me monitorimin laboratorik të mbetjeve dhe testeve të tjera, të cilat duhen për sëmundje të caktuara të jenë të kontrolluara nga laboratorët shqiptarë, në rastin tonë nga ISUV që është laborator reference”- tha Valbona Paluka.

Pse përpunuesit zgjedhin të importojnë qumësht

“Arsyeja pse përpunuesve të qumështit iu leverdis më shumë të importojnë qumësht e bulmet lidhet me skemën e famshme të TVSH. Skema aktuale e prezantuar në vitin 2019 për kompensim të fermerëve në normën prej 6% nuk ka arritur të prodhojë rezultatin e dëshirueshëm në sektorin bujqësor për arsye të mosinteresimit të grumbulluesve apo përpunuesve të produkteve bujqësore për të aplikuar këtë skemë.”-vlerësojnë për Faktoje ekspertë të ekonomisë.

“Mosinteresimi lidhet me faktin se këta grumbullues apo përpunues kreditojnë TVSH prej 6% në blerjet e produkteve bujqësore (lëndë të para për ta) dhe faturojnë me 20% produktet e tyre finale, pra TVSH e pagueshme në administratën tatimore është 14%.

Për shkak se tashmë, qarkullimi i produkteve bujqësore në rrjetin tregtar dhe agropërpunues u formalizua në një masë të konsiderueshme, aplikimi i kësaj skeme nxori në pah defektet e ligjit për TVSH-në dhe agropërpunuesit u vunë përballë dy zgjedhjeve: Të rrisin 14% çmimin e shitjes ose të ulin 14% çmimin e blerjes.

Aktualisht sektori i bujqësisë llogarit së për një artikull që blihet me 100 lekë dhe shitet me 110 lekë, në rast se me skemën e TVSH-së 20%, fitimi i mbetur i agropërpunuesit ishte 8.3 lekë, me skemën e re me kompensim 6%, kalon në humbje 2.7 lekë. Agropërpunuesi ka dy zgjidhje, ose të rrisë çmimin final të konsumatorit me 14% që të ruajë të njëjtin fitim, gjë që është e pamundur për shkak të konkurrencës, ose të ulë çmimin e blerjes te fermerët çka do të shkaktojë reagimin e fermerëve, të cilët shpesh herë kanë organizuar protesta”- tregon eksperti.

Më tej ai shton: “Alternativa për të rritur çmimet ndaj konsumatorit final është e pamundur, pasi sipërmarrjet agropërpunuese shqiptare konkurrohen nga kompanitë e importit, të cilat ndihmohen me subvencione në vendet e tyre të origjinës dhe si rrjedhojë ofrojnë çmime më konkurruese. Pra, siç mund të shihet qartë, opsioni i rritjes me 14% të çmimeve për konsumatorin është i papërshtatshëm pasi dëmton të gjithë palët; fermerin, përpunuesin si dhe konsumatorin fundor.

Në këto kushte, agropërpunuesit iu drejtuan importit, pasi të njëjtin produkt, e merrnin me çmim të njëjtë me 20% TVSH, ndërkohë në vend marrin të njëjtin produkt, mbase edhe me çmim më të lirë, por me 6% TVSH. Një llogaritje e thjeshtë tregon se është më e leverdishme ta blesh një produkt me 53 lekë në Serbi, sesa me 47 lekë në Shqipëri. Prandaj edhe importi i qumështit nga Serbia nga 0 lekë që ishte në 2018 ka shkuar në 327 milionë lekë në 2021”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img