Më 30 qershor 2024, në një vizitë të zhvilluar në Theth, kryeministri Edi Rama, përballë burrave të fshatit (mes tyre edhe të rinj), u tha se ndërtimet e tyre pa leje mbi tokat e familjes nuk ishin tipikisht ndërtime të bëra për t’ju shmangur ligjit, por nisur nga nevoja.  

Ai pranoi gjithashtu se shtrëngimi i legjislacionit për zonat e mbrojtura e kishte pamundësuar ndërtimin me leje, dhe se shumë banorë kishin ndërtuar për të zhvilluar turizmin familjar, duke u premtuar për pasojë faljen e gjobave.

Në të njëjtin vit, sipas të dhënave që IMT e Shkodrës ka përcjellë për Faktoje.al numri i ndërtimeve pa leje ishte 16.

Më herët në vitin 2023 (zgjedhjet lokale) ishin evidentuar 26 raste të kundraligjshme ndërsa në vitin 2022 vetëm 13 ndërtime të paligjshme.

Një vit më pas

Shifrat e vitit 2025 që IMT e Shkodrës ka përcjellë për Faktoje.al tregojnë një tjetër realitet nga vitet e mëparshme.

”Për vitin 2025 deri në dt. 12.07.2025 Korrik janë konstatuar 50 raste ndërtimesh të kundërligjshme për të cilat janë ezauruar të gjitha proçedurat ligjore duke marrë masa administrative dhe duke i referuar  pranë Prokurorisë se Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Është vijuar duke u ndërmarrë aksione për prishjen e objekteve, të cilat për mungese të logjistikës specifike dhe për shkak te kësaj zone nuk janë realizuar. Pas kërkesës për mbështetje IKMT-së Tiranë në dt.04.07.2025 u ndërhy për realizimin e tyre në dt. 07.07.2025 e ditët në vijim”, thuhet në përgjigjen e IMT.

Pyetja që lind është se: A mund të shihet kjo rritje (tre herë më shumë) e ndërtimeve pa leje (vetëm për një vit) jashtë kontekstit të deklaratës së një viti më parë nga kryeministri Edi Rama?

Rrëfimi i banores

Për disa banorë fjalët e kryeministrit u panë si garanci e dhënë me gojë, apo siç preferojnë vetë banorët e Thethit si “fjalë e besës” për të ndërtuar mbi tokat e tyre edhe pse asnjë premtim nuk ishte e reflektuar në ligj.

Më 11 korrik, katër ditë pasi kishte filluar prishja e ndërtimeve, një banore e Thethit rrëfen se si ndërtoi mbi tokën e familjes pas thirrjes së kryeministrit:

“Vjet (2024) erdhi Edi Rama e tha: ‘Mblidhi djemtë ku i ke e ku si ke e mi sill këtu në Shqipni të lënë emigracionin e të vijnë e të investojnë’. Erdhi djali e nisi e investoi vetëm kur më ka ardh policia, unë kam met pa mend. I thashë: ‘Mua më ka thënë Edi Rama’. Më tha: ‘Ke ndërtuar pa leje’. I thashë: ‘Kam ndërtu në tokë teme, e në tok të katragjyshit të burrit tim. I thashe as kam ndërtu tek Rana e Hedhun dhe as kam ndërtu trotuareve të Tiranës. Kam ndërtu në tokë time’. Kjo e para. Dhe e dyta vetë shteti më tha: ‘Ndërtoni dhe jetoni’. Kështu humbim shpresën e të rinjve. Ku është shpresa e të rinjve? Ku është Edi Rama tash?!”, ngriti supet banorja e Thethit.

Rrëfimi i saj nuk ishte një rast i veçuar për të kuptuar se si ishte përcjellë mesazhi i kryeministrit.

Famullitari Dom Vlash Palaj dënoi sjelljen e autoriteteve që, sipas tij, i kishin mashtruar dhe braktisur banorët: “Një konflikt i madh atje në Theth, më vjen shumë keq për ato njerëzit e shkretë sepse i joshën, i rrejtën, i blenë, i shfrytëzuan, i vjelën për nga ana monetare, dhe në fund i hodhën, i tradhtuan, i dogjën, i shkatërruan, do t’i gjobisin e do t’i burgosin”

Votat

Fenomeni i premtimit të faljes se gjobave dhe nxitjes për të ndërtuar në tokë të tyre u reflektua edhe në vota.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, PS-ja fitoi në Theth 388 vota, 171 partia e afërt me të, PSD, kundrejt 259 votave që mori PD

“…Kam marrë pashaportizimin kët vit në Tiranë dhe e kam sjellë në Theth me i dhan votën Edi Ramës. Mua mu thafshin krahët, mu thafshin dy duart si e kam fut atë votë në atë vend. Po ca më shtini me e fut. Po si me i dhënë votën atij more?! A e shih cfarë më bani. Edhe tri shpija të tjera mi ka prish atje lart. Katër shtëpia më kanë prish…”, vijoi ofshamën banorja e Thethit.

Nga premtimi tek mungesa e ligjit

Kryeministri Edi Rama premtoi një vit më parë (qershor 2024) për banorët e Thethit një paketë ligjore për malet, që në thelb do t’u mundësonte emigrantëve të investonin në vendlindje, edhe pa qenë pronarë me letra, në një marrëdhënie të re me shtetin, me qira simbolike 1 euro.

Por premtimi i Ramës pa reflektime ligjore zgjati 6 muaj. Në janar të këtij viti qeveria miratoi projektligjin për paketën e maleve. Në mars (2025) Kuvendi e miratoi  me procedure të përshpejtuar. Vetëm në fund të muajit qershor bashkitë u vunë në lëvizje përmes një udhëzimi të brendshëm se si duhet të zbatohet ligji.

Kjo periudhë kohore, pa fushatë informuese, i çoi banorët të lëviznin mbi një terren të rrëshqitshëm, duke u reflektuar edhe në shifra. Në fund, përgjegjësia mbeti vetëm mbi ta…

Artikulli paraprakVetëm dy procedime nga SPAK për përdorim të administratës në zgjedhje
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.