Pretendimi: HAARP kontrollon motin dhe është një armë që përdoret për të prodhuar tërmete, tsunami, vullkane, vetëtima, tornado, dhe uragane.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————–
Në rrjetet konspiracioniste vijon të qarkullojë pretendimi se projekti studimor HAARP është një armë që kontrollon motin dhe shkakton një sërë fatkeqësish natyrore.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.