Faktoje vijoi trajnimet në lidhje me zbatimin e “Ligjit Për të Drejtën e Informimit” në Lezhë dhe Krujë. Në këto aktivitete morën pjesë gazetarë dhe koordinatorë për të drejtën e Informimit nga institucione lokale publike. Ndryshimet e propozuara në ligj dhe ngarkesa që kanë koordinatorët për sa i përket kërkesave për informacion, ishin disa nga çështjet e diskutuara në këto takime.
————————————————————————————-
Më 10 tetor, Faktoje mbajti në Lezhë trajnimin për zbatimin e “Ligjit Për të Drejtën e Informimit”. Koordinatorë për të drejtën e informimit të institucioneve publike dhe gazetarë u bënë pjesë e këtij trajnimi, me qëllim informimin mbi ndryshimet e parashikuara në këtë ligj.
Trajnimi në Lezhë, 10 tetor 2022
Gjatë takimit u diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe zbatimin e tij. Elona Hoxha, Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë për të Drejtën e Informimit iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve mbi këto tematika.
Trajnimi në Lezhë, 10 tetor 2022
Ajo theksoi rëndësinë e plotësimit të saktë të hapave kur dërgohet një kërkesë për informacion, për të shmangur zvarritjet në kthimin e përgjigjeve dhe burokracitë për çështje proceduriale.
Një tjetër trajnim për këtë tematikë u mbajt më 21 tetor në Krujë, ku morën pjesë gazetarë dhe koordinatorë të institucioneve kryesore të kësaj bashkie.
Trajnimi në Krujë, 21 tetor 2022
Koordinatorët shprehën shqetësimin në lidhje me problematikat që ata hasin me kërkesat për informacion të marra nga qytetarët. Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, zonja Elona Hoxha tregoi disa nga propozimet që janë bërë nga Komisioneri mbi ‘Ligjin për të Drejtën e Informimit’, me qëllim reduktimin e ngarkesës dhe përgjegjësisë për koordinatorët.
Trajnimi në Krujë, 21 tetor 2022
Faktoje, në bashkëpunim me zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit ka zhvilluar një sërë trajnimesh me koordinatorë, gazetarë dhe studentë të gazetarisë si pjesë e projektit “Forcimi i gazetarisë Fakt-Verifikuese në Shqipëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.