Faktoje përmbylli një seri trajnimesh me koordinatorë për të drejtën e informimit, gazetarë dhe studentë në lidhje me zbatimin e “Ligjit Për Të Drejtën e Informimit”. Gjatë muajve dhjetor 2022-janar 2023 u zhvilluan trajnime në Kamzë, Tiranë dhe Shijak, ku u prezantuan propozimet e bëra nga zyra e Komisionerit për ndryshimet në këtë ligj.
Faktoje zhvilloi trajnime në Kamzë, Tiranë dhe Shijak, ku në fokus ishte zbatimi i “Ligjit Për të Drejtën e Informimit”.
Trajnimi i radhës mbi zbatimin e “Ligjit Për të Drejtën e Informimit” u mbajt më 9 dhjetor në Kamzë, ku morën pjesë koordinatorë për të drejtën e informimit dhe punonjës të zyrës së shtypit të këtij institucioni. Koordinatorët kërkuan që gazetarët të jenë të qartë dhe konkretë në pyetjet e adresuara instituioneve, pasi në shumë raste hasin vështirësi në kuptimin dhe interpretimin e tyre.
Elona Hoxha, Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë për të Drejtën e Informimit theksoi rëndësinë që ka komunikimi mes koordinatorëve dhe gazetarëve në lidhje me pyetjet e paqarta, në mënyrë që këta të fundit të marrin përgjigje brenda afateve ligjore.
Trajnimi në Kamzë, 9 dhjetor 2022
Më 14 dhjetor, Faktoje zhvilloi një tjetër trajnim, këtë herë në Universitetin e Tiranës, me studentët e Departamentit të Gazetarisë. Në cilësinë e ekspertes, zonjë Elona Hoxha u sqaroi studentëve hapat që duhet të ndjekin për të dërguar një kërkesë për informacion tek institucionet publike. Nga ana tjetër, disa studentë ndanë edhe raste konkrete kur kishin nisur një kërkesë për informacion, por në kundërshtim me ligjin, përfaqësuesi i institucionit u kishte kërkuar arsyet për çfarë duhen këto të dhëna.
Trajnimi me studentët, 14 dhjetor 2022
“Kjo është një mënyrë për të dekurajuar qytetarët apo gazetarët që kërkojnë informacion. Përfaqësuesi i institucionit nuk kërkon arsye përse qytetari apo gazetari e kërkon atë informacion, nuk ka detyrim të japë shpjegime për këtë”, sqaroi zonja Hoxha.
Takimi përmbyllës në kuadër të zbatimit të “Ligjit Për të Drejtën e Informimit” u mbajt në Shijak më 9 janar. Përfaqësues të këtij institucioni u bënë pjesë e tij, ku ekspertja Elona Hoxha ndau informacione të rëndësishme përsa i përket ndryshimeve në ligj, ku ndër të tjera parashikohet që përgjegjësia për mosdhënien e informacionit të shkojë te personat përkatës dhe jo te koordinatori. Gjithashtu, një nga propozimet e bëra është edhe rritja e pagës së koordinatorëve, për shkak të ngarkesës së punës.
Trajnimi në Shijak, 9 janar 2023
Trajnimi në Shijak, 9 janar 2023
Faktoje, në bashkëpunim me zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit zhvilloi ciklin e trajnimeve me koordinatorë, gazetarë dhe studentë të gazetarisë si pjesë e projektit “Forcimi i gazetarisë Fakt-Verifikuese në Shqipëri”, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta.