Shkodër, 23 shkurt 2026 – Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje, prezantoi të hënën përpara përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas një viti monitorimi të punës së kësaj bashkie.
Ky proces është pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED), që prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri.
Pjesë e monitorimit për vitin 2025 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda. Monitorimi është bazuar në tre elementë kryesorë: nivelin e transparencës së pushtetit vendor, përmbushjen e premtimeve elektorale si dhe fondin social.



Transparenca
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se bashkitë me performancën më të lartë në transparencë janë Shkodra, Lezha, Korça dhe Saranda, me 100%përmbushje të indikatorëve të matur.
Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Shkodër matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 100%.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudin Beka vlerësoi procesin e monitorimit nga qendra Faktoje.

“Ne e vlerësojmë shumë edhe Faktoje e cila për disa vite radhazi ka pjesë të kërkimit të saj edhe të analizës, edhe Bashkinë Shkodër. Edhe këtë vit ne mbajmë atë traditën e mirë përsa i përket transparencës ndaj publikut,”- u shpreh Beka.
Bilanci i premtimeve
Sa i përket premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, në rastin e Bashkisë Shkodër, nga 4 premtime të monitoruara, 3 premtime janë kategorizuar si pjesërisht të mbajtura dhe 1 i përmbushur plotësisht.
“Disa nga premtimet, të cilat kanë qënë pjesë e monitorimit të Bashkisë Shkodër, janë mbaruar. Disa janë në proces dhe disa presin të vazhdojnë shumë shpejt,”- shtoi më tej nënkryetari i bashkisë Shkodër.


Në total, nga 40 premtime të verifikuara në të dhjeta bashkitë vetëm 5 janë realizuar plotësisht, 12 pjesërisht, ndërsa 23 nuk janë përmbushur.
Kjo do të thotë se 57.5% e premtimeve mbeten të pambajtura, duke krijuar një hendek të madh mes retorikës elektorale dhe veprimit konkret. Premtimet u monitoruan përmes analizës së buxhetit, ndjekjes së prokurimeve publike dhe vëzhgimeve në terren.
Ky është viti i gjashtë që Faktoje realizon një raport të tillë, duke sjellë një panoramë të qartë mbi transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit vendor në Shqipëri.
Fondi Social
Gjetjet për vitin 2025 tregojnë se Fondi Social ka vijuar të zgjerojë shtrirjen e tij në nivel vendor, duke përfshirë bashki të reja dhe duke mbështetur një gamë më të gjerë shërbimesh sociale. Megjithatë, analiza evidenton edhe sfida të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me cilësinë dhe plotësinë e të dhënave të raportuara, mospërputhjet ndërinstitucionale dhe mungesën e planifikimit të qartë për vazhdimësinë e shërbimeve pas përfundimit të financimit.
Në disa raste, shërbimet mbeten të varura nga fondet qendrore dhe të ekspozuara ndaj rrezikut të ndërprerjes, ndërsa shpërndarja e tyre nuk reflekton gjithmonë në mënyrë të balancuar nevojat e të gjitha grupeve vulnerabël. Këto gjetje nënvizojnë nevojën për më shumë transparencë, koordinim dhe planifikim të qëndrueshëm, në mënyrë që investimi publik të përkthehet në shërbime me ndikim real dhe afatgjatë për komunitetet.
Projekti “40 premtime, 10 bashki” është i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).






