Të dallosh një lajm të rremë, të dyshosh që në foto e shpërndarë nuk është e vertëtë, po një premtim i dhënë është mbajtur apo jo? A ka diçka më shumë pas një video që bëhet virale?
Të rinjtë janë sot konsumatorë të informacionit, veçanërisht atij online dhe për të patur një mendim më kritik për morinë e lajmeve, fotove dhe videove me të cilat përditë përballen në rrjet, Faktoje ka nisur serinë e trajnimeve me 300 të rinj nga Korça, Kurbini, Vlora, Librazhdi, Kamza, Peshkopia, Durrësi dhe Shkodra.
Në bashkëpunim me IREX, Faktoje po zbaton projektin “Youth Reporting Albania Program” dhe gjatë mujave mars, prill dhe maj, të rinjtë të moshës 15-25 vjeç do të jenë pjesë e trajnimeve me fokus metodologjinqëe verifikimit të fakteve.
Krahas pajisjes së të rinjve me njohuri për edukimin mediatic dhe verifikimit të fakteve, qëllimi i projektit është që ata të jenë vetë kontribues me shkrime në media dhe postime/reagime në rrjetet e tyre sociale mbi temat më me interes për ta dhe komunitetet ku ata jetojnë.
Korça
Seria e trajnimeve nisi nga Korça, ku në datë 9 mars ekipi i Faktoje ndau me 25 të rinj të këtij qyteti të dhëna dhe informacione rreth metodologjisë fact-cheking, si të verifikojmë lajmet e rreme dhe si të jemi të kujdesshëm që të mos biem pre e tyre.
Të rinjtë gjatë trajnimit të Faktoje në Korçë
Të rinjtë shfaqën interes duke u angazhuar dhe ofruar opinione rreth këtyre tematikave, ndërsa shprehën shqetësimin se lajmet e rreme më së shumti i hasin në mediat online, kryesisht të shpërndara në rrjetet sociale.
Përgjatë trajnimit gazetarët e Faktoje i treguan të rinjve disa mënyra se si të përdorin mjete dhe aplikacione të ndryshme për të verifikuar vërtetësinë e një artikulli, të një fotoje apo videoje. Për të rinjtë korçarë tema që ata i shikojnë me interes për t’u përcjellë në media janë: roli i psikologëve në shkolla, bullizimi, numri i ulët i punonjësve sociale si dhe mungesa e aktiviteteve argëtuese dhe zhvilluese, etj.
Kurbin
Trajnimi i radhës për projektin Youth Reporting Albania Program (Youth- RAP) u zhvillua më 10 mars me një grup të rinjsh në Kurbin.
Ekipi i Faktoje paraqiti para të rinjve shembuj konkretë nga puna e përditshme në verifikimin e fakteve dhe sa rëndësi ka ky proces në përcjelljen e një informacioni të saktë, të plotë dhe të paanshëm.
Interesi i të rinjve ishte mjaft i lartë, të cilët u angazhuan në dhënien e ideve mbi procesin e verifikimit të fakteve dhe treguan se shpeshherë edhe ata kanë rënë pre e lajmeve të rreme që qarkullojnë kryesisht në mediat online.
Gjatë trajnimit u diskutua gjatë edhe mbi temat që shqetësojnë të rinjtë në Kurbin. Bullizmi, mungesa e qendrave rinore në Kurbin, rritja e rolit të psikologëve në shkolla apo edhe ofrimi i kushteve dinjioze për zhvillimin e procesit mësimor ishin disa nga shqetësimet e tyre të përditshme.
Për të nxitur të rinjtë që të bëhen “konsumatorë më kritik” të informacioneve që qarkullojnë, ekipi i Faktoje ndau disa detyra për ta në fund të trajnimit, që kanë të bëjnë me verifikimin e deklaratave të zyrtarëve publik. Tashmë të rinjtë do të kenë një mundësi mjaft të mirë që të jenë kontribues me shkrime në Faktoje me temat që shqetësojnë komunitetin ku ata jetojnë.
Vlora
Në ambientet e American Corner Vlorë, më 11 mars u mbajt trajnimin e radhës me të rinj nga qyteti i Vlorës. 30 të rinjtë pjesmarrës morën informacion dhe mësuan sesi mund ta parandalojnë duke përdorur mjete dhe aplikacione të ndryshme verifikimi.
“Janë të shumta problematikat në qytetin e Vlorës që ne nuk i shikojmë të trajtohen ne media, kriminaliteti përshembull. Jeta e një të riu në Vlorë duket se vlen më pak se ajo e të rinjve në qytete të tjera” – tha një prej të rinjve duke shtuar se mungesa e informacioneve dhe aktiviteteve për të rinjtë e bën më të vështirë shkëputjen nga krimi.
Problematikë mjaft shqetësuese ishte edhe ngrohja në shkolla për të cilën 30 të rinjtë pohuan njëkohësisht se nuk shikonin asnjë zgjidhje edhe për vitet e ardhshme.
Të rinjtë dhanë një listë të atyre që përbënin problematikë në komunitetet e tyre jo vetëm si adoleshent por edhe si qytetar, e tillë ishte problematika e mbledhjes dhe grumbullimit të plehrace dhe furnizimi me ujë 24 orë.
Faktoje mblodhi rastet dhe informoi të rinjtë se pikërisht ky ishte rasti që ata të bëheshin pjesë e thirrjes dhe të propozonin tema të cilat me mentorimin e Faktoje do të publikohen si artikuj për publikun e gjerë.