.

.

BallinaPertejFaktoje fiton betejën ligjore me shumicën e institucioneve shtetërore për ‘Faturat’

Faktoje fiton betejën ligjore me shumicën e institucioneve shtetërore për ‘Faturat’

VIOLA KETA

Gjykata Administrative vendosi që 8 institucionet më të larta të shtetit, Presidenca, Kuvendi i Shqipërisë dhe disa ministri, të vënë në dispozicion të Faktoje, faturat për shpenzimet në udhëtimet jashtë vendit të titullarëve. Vendimet janë marrë në një kohë rekord, pavarësisht sfidave që shkaktoi pandemia në të gjithë sistemin, por beteja ligjore ende vijon për kryeministrinë. Nisma e paprecedentë e Faktoje për paditjen e njëkohshme të të gjithë institucioneve të ekzekutivit dhe legjislativit, të cilët shkelën Ligjin e së Drejtës për Informim, konsolidon një praktikë të nisur më parë.


Procesi i faturave në Gjykatën Administrative

Në shtator 2019, Faktoje paditi në Gjykatë të gjitha ministritë (përveç Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Arsimit), Kryeministrinë, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidencën, për shkelje të Ligjit të së Drejtës për Informim 119/2014.

*Padia e depozituar nga Faktoje për një nga ministritë që refuzoi të jepte dokumentacionin e kërkuar

Këto institucione kishin refuzuar më herët të jepnin dokumentet e kërkuara nga Faktoje mbi shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit për periudhën janar 2018-qershor 2019, ose përgjigjen e dërguan të pashoqëruar me dokumentat (faturat) ilustruese.

Padia në gjykatë, ku Faktoje u përfaqësua nga Qendra Res Publica, përmes avokates Irena Dule, erdhi pasi edhe ankimimet tek zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, nuk sollën rezultatin e pritur. Sa i përket rolit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, si “ndërmjetësi” mes publikut, si kërkues i informacionit dhe institucioneve shtetërore, i cili duhet të garantojë informimin publik, avokatja Dule ka këtë koment:

Nëse Komisioneri do të kishte realizuar detyrën e vet, gazetarit do t’i njihej e drejta për akses në informacion në një kohë shumë më të shkurtër dhe pa kosto gjyqësore. Efekti tjetër pozitiv do të ishte mosngarkimi në mënyrë artificiale i punës së gjykatave. E thënë ndryshe komisioneri ka detyrë funksionale të trajtojë çdo ankesë që i paraqitet mes një vendimi. Në të gjitha rastet e Faktoje, Komisioneri nuk ka marrë asnjë Vendim. Kjo praktikë është e zakonshme në këtë zyrë, edhe pse Gjykata në raste të tjera e ka bërë të qartë se Komisioneri duhet të marrë vendim në çdo rast dhe jo të zgjedhë vetë sipas dëshirës.

*Lista e institucioneve që Faktoje paditi në Gjykatë

Me cilat institucione e fitoi betejën Faktoje

Deri në fund të vitit 2020, Faktoje numëron gjyqe të fituara me 8 institucione ose pjesën dërrmuese nga 11 të paditura, në shkallën e parë të Gjykatës Administrative. Për 6 prej tyre, kjo gjykatë vendosi ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit, pra që faturat të vihen në dispozicion, me përfundimin e gjykimit në shkallën e parë, edhe pse palët humbëse (institucionet shtetërore) i kanë kundërshtuar këto vendime në apel. Kjo është një tjetër fitore, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit bëhet për një numër të kufizuar çështjesh, siç shpjegon avokatja:

Ligjvënësi ka parashikuar se në raste të veçanta, për arsye jetike, është i domosdoshëm ekzekutimi i një vendimi pa humbur kohë, pra pa pritur që vendimi të marrë formë të prerë. Këto raste lidhen me shpërblime nga puna, kur të ardhurat janë jetike dhe paditësi nuk ka burime të tjera të ardhurash ose detyrimin për ushqim, të personave të paaftë. Përveç këtyre rasteve, Gjykata ka hapësirë të vlerësojë edhe raste të tjera që konsiderohen jetike. Meqenëse një gjë e tillë duhet kërkuar dhe argumentuar nga paditësi, ne çmuam se kërkesa e një gazetari për informacion publik duhet të marrë përgjigje shpejt, pasi informacioni është “një mall që kalbet”, siç shprehet edhe Gjykata e Strasburgut në vendime të saj. Gazetari nuk e kërkon informacionin për konsum vetjak, por për t’ia shpërndarë atë publikut.”

Sipas avokates Dule, kjo praktikë vendosi një tjetër standard pozitiv sa i përket qëndrimit të gjykatës ndaj çështjeve që kanë lidhje me të drejtën për informim.

“Shumica e gjyqtarëve e vlerësuan të drejtë kërkesën e Faktoje’ dhe vendosën detyrimin e institucioneve të japin informacionin menjëherë, pa pritur që vendimi të marrë formë të prerë. Nga këto raste po formësohet një pratikë e mirë e gjykatës që e vlerëson informimin e gazetarit po kaq jetik sa ç’është ushqimi për familjen! Vlen të theksojmë se ankimimi i vendimit gjyqësor që institucionet bëjnë i “shpëton” ato nga detyrimi për dhënien e informacionit, pasi gjykata e Apelit kërkon të paktën 3 vjet kohë për të gjykuar një cështje dhe dhënia e informacionit pas kaq shumë kohësh ka humbur aktualitetin dhe rëndësinë.”

Kuvendi i Shqipërisë është një nga institucionet që me vendim gjykate duhet të vendosë në dispozicion të Faktojes menjëherë dokumentet për shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit të titullarit. Aktualisht pritet ekzekutimi nga zyra e përmbarimit.

Edhe Presidenca duhet të japë informacionin e kërkuar nga Faktoje, pas pranimit të padisë nga Gjykata Administrative, por ndërsa pritet ekzekutimi i vendimit, ka patur një qëndrim refuzues ndaj vendimit të gjykatës, madje kërcënues kundër Zyrës së Përmbarimit, nga ana e këtij institucioni, sipas avokates që përfaqëson Faktojen në këtë proces. Cështja pritet të vazhdojë mes kërkimit të vendosjes së sanksionit gjobë, kundër nëpunësit që bëhet pengesë për ekzekutimin e vendimit.

Nga Ministria e Brendshme, u ekzekutua urdhri për zbatim të menjëhershëm të vendimit të gjykatës dhe Faktoje disponon tashmë informacionin e kërkuar me dokumentat shoqëruese për udhëtimet e titullarëve jashtë vendit të këtij institucioni, për periudhën janar 2018-qershor 2019.

U pranua plotësisht padia e Faktoje për ekzekutim të menjëhershëm edhe për Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë për Evropën e Punët e Jashtme dhe pritet ekzekutimi i vendimit nga zyra e përmbarimit.

Ministria e Bujqësisë vuri në dispozicion faturat, ndërkohë që procesi kishte nisur në gjykatë, pasi kërkesa me të njëjtin objekt iu dërgua nga Qendra Res Publica.

Ndërkohë, është pranuar plotësisht padia e Faktojes ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Shtetit për Diasporën, por pa detyrimin për ekzekutimin e menjëhershëm, çka do të thotë se do të pritet fundi procesit në të gjitha shkallët e gjykimit (që mund të marrë deri në disa vite kohë), nëse lihet në fuqi vendimi në favor të Faktojes. Faktoje e ka apeluar edhe këtë vendim pasi kërkon ekzekutimin e menjëhershëm të tij.

Sipas përfaqësues së Qendrës Res Publica, këto lloj vendimesh janë penalizuese për punën e gazetarit dhe informimin në kohë të publikut.

Beteja vazhdon për Kryeministrinë dhe disa ministri.

Aktualisht Faktoje është në pritje të përfundimit të procesit në gjykatën Administrative për Kryeministrinë, pasi çështja u pushua herën e parë, për shkak të shkeljes së afateve, siç vlerësoi në arsyetimin e tij gjyqtari i çështjes.

Megjithatë kjo betejë vazhdon, këtë herë me paditës Qendrën Res Publika e cila në emër të Faktoje ka kërkuar të njëjtin informacion.

“Çështja në fjalë nxorri në pah defektet në legjislacion, të cilat mund të përmirësohen në të ardhmen, si në ligjin për gjykimet administrative edhe në ligjin për të drejtën e informimit. Mangësi të tjera legjislative janë vërejtur dhe janë komunikuar në formën e rekomandimeve edhe më herët. Çështjet e shqyrtuara dhe nisur nga Faktoje, konsolidojnë praktikën gjyqësore dhe evidentojnë problematika që kanë nevojë për adresim” –thotë avokatja.

Padia për Ministrinë e Infrastrukturës u pranua pjesërisht, çka nënkupton vënien në dispozicion të informacionit të përgjithshëm mbi shpenzimet e titullarit për udhëtime jashtë vendit, të pashoqëruar me faturat e kërkuara.

Mungesa e informacionit të plotë, cënon punën hulumtuese të gazetarit, ndaj këto lloj vendimesh janë apeluar”-këmbëngul avokatja Dule.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, padia për të cilën është pranuar pjesërisht. Ajo që tërheq vëmendjen është, jo vetëm arsyetimi i cunguar (gjithë arsyetimi i gjykatës paraqitet në vetëm një paragraf, jashtë çdo standardi) por edhe përdorimi i të njëjtit arsyetim, si në vendimin për Ministrinë e Infrastrukturës, edhe pse çështjet janë shqyrtuar nga dy gjyqtarë të ndryshëm.

Më poshtë arsyetimi i Gjykatës në çështjen kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në vijim arsyetimi i Gjykatës në çështjen kundër Ministrisë së Shëndetësisë

Padia ndaj Ministrisë së Mbrojtjes është pushuar, por aktualisht Qendra Res Publica ka bërë padi me të njëjtin objekt, për llogari të Qendrës Faktoje, njësoj siç është vepruar me kryeministrinë.

Të gjitha institucionet e paditura nga Faktoje kanë ankimuar vendimet e shkallës së parë të Gjykatës Administrative.

Misioni i Faktoje, sa transparent është shteti me shpenzimin e parave të taksapaguesve

Ajo që u shndërrua në një betejë ligjore në gjykatë mes Faktojes dhe 11 institucioneve të shtetit, nisi me një kërkesë, bazuar në Ligjin për të Drejtën e Informimit 119/2014, për të verifikuar se si shpenzohen paratë e taksapaguesve në shërbimet zyrtare jashtë vendit, duke nisur nga kostoja e biletave të avionit deri tek akomodimi nëpër hotele.

Kërkesa u dërgua më 8 korrik 2019 për të gjitha Ministritë ku kërkohej informacion i detajuar për udhëtimet jashtë vendit të titullarit nga janari 2018 deri në qershor 2019. Të vetmet ministri që u përgjigjën me dokumentacion të plotë, ishin Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë.

Më 23 gusht 2019, Faktoje publikoi artikullin e parë ku pasqyroheshin shpenzimet për udhëtimet për Ministrinë e Drejtësisë. Ky artikull i ripublikuar nga shumë media, shkaktoi një valë reagimesh të forta në opinionin publik dhe në nivel qeveritar, duke dëshmuar së pari ndjeshmërinë e lartë të publikut ndaj mënyrës sesi shpenzohen paratë e tyre nga funksionarët e shtetit dhe së dyti ‘indinjatën’ e këtyre të fundit kur media bën detyrën duke nxitur transparencën dhe llogaridhënien.

Pas publikimit të atij artikulli nuk vonuan pasojat, që u shfaqën me hermetizimin e menjëhershëm të ministrive të tjera ndaj dhënies së informacionit të kërkuar.

Në mungesë të përgjigjeve, apo dhënies së tyre të padetajuara me faturat iluestruese, Faktoje iu drejtua Komisionerit Për të Drejtën e Informimit, por edhe ky hap nuk dha rezultatin e pritshëm. Kjo nuk e ndali Faktojen të kryente misionin e saj dhe të ndërmerrte hapat ligjore, duke çuar në gjykatë njëkohësisht të gjitha institucionet që shkelën ligjin për të drejtën e informimit, Kryeministrinë, ministritë, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidencën. Në këtë mënyrë, Faktoje shënon ngjarjen e paprecedentë në Shqipëri, duke çuar gjithë ‘shtetin’ në gjykatë për shkelje të ligjit për të drejtën e informimit. Shkrimi për faturat u vlerësua me çmimin e dytë nga BE, për Gazetarinë Investigative për vitin 2019.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img