Fajin e ka “uji”

53

Erjola Azizolli

Vetëm disa orë nën pushtetin e rreshjeve intensive të shiut dhe, Durresi ështe gjendur i përmbytur dhe në emergjencë. Mësimi në shkolla e çerdhe është pezulluar. Veliera e Durrësit dhe nënkalimi përkatës janë përmbytur, ura e fshatit Borç rrezikon shembjen, ndërsa disa familje janë evakuuar. Qindra automjete dhe qytetarë janë bllokuar me orë të tëra në autostradën  Durrës-Tiranë e cila u pushtua nga uji. Alternativa për lëvizje të automjeteve në autostradë mbeti rruga e vjetër, Plepa-Ndroq. Në disa zona të Shkodrës dhe Lezhës, uji ka shkuar deri në 40 cm  Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu mblodhi Shtabin e Emergjencave Civile për të monitoruar situatën dhe në orët në vijim priten ndërhyrje sidomos në arginatura ku rrezikohet dalja nga shtrati i lumenjve.

Nusha Pulaj, banore e ish-Kënetës në Durrës, rrëfen për Faktoje.al se banesa e saj është përfshirë nga përmbytja:

“Uji hyri brenda dhe gjithçka u përmbyt.”

Por Nusha nuk është e vetme. Janë me dhjetra familje  në zonën e  Ish-Kënetës, Spitallë dhe Nishtullë,  të mbushura me ujë.  

“Kjo rrugë përmbytet gjithmonë kështu. Uji arriti mbi një metër këtu, nuk ka ardhur askush për të na parë. Ngjitemi deri në katin e dytë, në dorë të Zotit… e gjithë shtëpia është përmbytur,” tha një banor i lagjes 17 në Durrës, duke treguar situatën dramatike që po përjetojnë pas reshjeve të dendura.

Nga përmbytjet nuk kanë shpëtuar as zonat pranë portit, ku Veliera e Durrësit dhe nënkalimi përkatës janë përmbytur. Policia Bashkiake ka vendosur shirita sigurie për të ndaluar qarkullimin e mjeteve.

Rrugët e qytetit janë kthyer në pengesa të vërteta për qarkullim. Akseset e bllokuara përfshijnë “Mujo Ulqinaku”, “Hysen Myshketa”, “Marta Buda”, “Jahja Ballhysa”, “Kristo Sotiri”, “Glaukia”, “Vaso Pasha”, “Jeta Re”, “Vllazërimi”, “Jezerca”, “Azem Hajdari”, “Mbreti Pirro” dhe “Enkelejve”, duke prekur veçanërisht lagjet 12, 13, 14, 17 dhe 18.

Bllokime të tjera janë regjistruar nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në Durrësin e Ri. 

Situata nuk është vetëm në rrugë: rrëshqitje dheu janë regjistruar në Kodrën e Currilave, duke rrezikuar automjetet, ndërsa ura e fshatit Borç në njësinë administrative Manzë rrezikon shembjen për shkak të prurjeve të mëdha të ujit.