Pretendimi: Në 6 qershor Macron dhe Evropa i shpallin luftë Rusisë
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Narrativat për përfshirjen e Europës në luftën e Rusisë kundër Ukrainës vazhdojnë të dominojnë rrjetet. Së fundmi, një deklaratë e presidentit francez Emmanuel Macron është nxjerrë nga konteksti dhe publikuar në rrjetin Threads, duke iu bashkangjitur lajmeve të tjera mbi përgatitjen ushtarake të vendeve të BE-së për të nisur luftën ndaj Rusisë.
Artikulli në fjalë përmban disa të pavërteta apo informacione të nxjerra nga konteksti. Së pari, njoftimi i Macron me datë 6 qershor i referohet vendimit të presidentit francez që të mundësojë instruktorë ushtarakë francezë për Ukrainën, por jo trupa luftuese ushtarake.
Sipas propozimit të Macron, personeli ushtarak francez do të niset në Ukrainë për të trajnuar personelin ukrainas, duke përfshirë operacionet e heqjes së minave ose riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake. Në këtë operacion priten të marrin pjesë me dhjetra dhe ndoshta qindra ushtarakë jo vetëm nga Franca, por edhe vende si Estonia dhe Lituania.
Ky vendim ende nuk është zyrtarizuar, pasi Macron pret që të lëshojë një deklaratë formale të enjten, me 6 qershor, gjatë vizitës së presidentit ukrainas Vlodimir Zelensky në Paris. Zyra e Zelenskit nuk i është përgjigjur komenteve të gazetarëve, ndërkohë që Ministria franceze e Mbrojtjes tha se ishte ende duke punuar me homologët e saj ukrainas “në veçanti për të kuptuar nevojat e tyre të sakta”.
Nuk ka asnjë plan për momentin që Franca të dërgojë trupa për të luftuar në Ukrainë, edhe përse në të shkuarën Macroni ka folur për faktin që do të ishte i gatshëm të çonte trupa në Ukrainë nëse do ishte e nevojshme. Artikulli në fjalë përmend përgatitjen e brigadës Rubikon të ushtrisë franceze, por një brigadë e tillë nuk ekziston. Për më tepër që nuk është dhënë asnjë detaj se nga është marrë ky citat.
Këto detaje përmenden më tej në artikull, ku shihet vendimi i Macron si një nga fazat e para të përfshirjes më të thellë të Europës në luftën me Ukrainën. Kjo narrativë është përdorur dhe nga Rusia, ku thuhet se personeli francez do të ishte një objektiv ushtarak për sulmet ruse.
Artikulli në fjalë i referohet po ashtu deklaratës së kryetares së Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin gjerman, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, e cila ka bërë thirrjen që Gjermania të rekrutojë 900,000 rezervistë, për t’i paraprirë strategjisë së Rusisë.
“Putini po trajnon njerëzit e tij për luftë dhe po i pozicionon ata kundër Perëndimit. Prandaj ne duhet të bëhemi të aftë për mbrojtje sa më shpejt të jetë e mundur,” ka thënë për mediat gjermane znj. Strack-Zimmermann
Për momentin, bëhet fjalë për deklaratën e një figure politike, dhe jo të një strategjie kombëtare që kërkon miratimin nga parlamenti gjerman.